Demokracia dhe Mirëqeverisja

Që nga themelimi i saj, puna e EMA-s ka qenë e fokusuar në tema që lidhen me promovimin dhe forcimin e procesit të demokratizimit të Shqipërisë. EMA beson në edukimin qytetar dhe pjesëmarrjen aktive në jetën publike nga ana e aktorëve jo-shtetërorë dhe të qytetarëve si një mjet për të rritur transparencën dhe llogari-dhënien institucionale. Në këtë drejtim, ne punojmë me qeverinë qendrore dhe lokale. EMA vazhdimisht organizon aktivitete me karakter rritjen e kapaciteteve profesionale dhe monitoruese me qëllim rritjen e demokracisë dhe qeverisjes së mirë në Shqipëri, si një nga standardet kyçe të BE.

Projektet e ndërmarra në këtë fushë janë si më poshtë:

  • Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE (2023 – në vazhdim) – zbatohet nga EMA me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian – IPA Civil Society Facility 2021, dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Lirinë e Informacionit (CTFI). Ka si objektiva kryesorë përfshirjen qytetare, dialogun për politika, bashkëpunimin mes aktorëve dhe grupeve të interesit, në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit lidhur ngushtësisht me fillimin e punës për hapjen e negociatave për Grupkapitullin 1 – Themeloret. Nisma synon të mbështesë OSHC-të në Shqipëri të luajnë në mënyrë efektive dhe të qenësishme rolin e tyre monitorues në fushat e lidhura me qeverisjen e mirë dhe shtetin e së drejtës, duke u ofruar në të njëjtën kohë hapësirë për dialog dhe shkëmbim idesh me institucionet shtetërore dhe grupe të tjera interesi. Katër komponentët e përfshirë dhe të ndërlidhur mes tyre janë: 1) Pjesëmarrja nëpërmjet përfshirjes – dialogut – angazhimit, 2) Ngritja e kapaciteteve, 3) Monitorimi dhe hulumtimi dhe 4) Informimi.
  • Erasmus+ KA 105 “Bëni hapin e parë” (tetor 2020 – maj 2022) zbatuar nga EuroTreviso, Itali si organizata udhëheqëse në bashkëpunim me EMA si partner nga Shqipëria, dhe organizata të tjera nga Hungaria, Greqia dhe Libani. Objektivi kryesor i projektit është të ndajë përmes metodës së edukimit joformal përvojat personale të 25 të rinjve nga vende dhe fe të ndryshme për një temë të përbashkët si pjesëmarrja e të rinjve në jetën demokratike – çfarë është demokracia për ta, dhe si kanë apo janë duke marrë pjesë në angazhime apo aktivitete në vendin e tyre në lidhje me të drejtat e njeriut, demokracinë ose mjedisin.
  • Indeksi i Politikës së Integrimit të Migracionit (MIPEX) (2015-2016; 2019-2020), i udhëhequr nga Grupi i Politikave të Migracionit (MPG) dhe CIDOB, mbulon periudhën 2014-2019. MIPEX2020 është një mjet i veçantë që mat politikat për integrimin e iemigrantëve në 52 vende nga pesë kontinente, duke përfshirë të gjitha vendet e BE-së + MB dhe tre vende nga Ballkani Perëndimor (Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). MIPEX mat politikat që promovojnë integrimin në të gjitha shoqëritë. Treguesit e ndryshëm të përfshirë në raporte krijojnë një pamje shumëdimensionale të mundësive të migrantëve për të marrë pjesë në shoqëri bazuar në 8 fusha: tregu i punës; arsimimi; bashkimi familjar; pjesëmarrja politike; qëndrimi i përhershëm; qasja në shtetësi; anti-diskriminimi; dhe qasja në sistemin shëndetësor. EMA është partneri i MIPEX të Shqipërisë dhe studiuesit e saj janë të përfshirë në raportet e vlerësimit për Shqipërinë bazuar në tetë fusha vlerësimi. Gjeni më shumë: https://www.mipex.eu/albania
  • Erasmus KA3 – T.A.K.E Part (janar 2019- janar 2020), zbatuar nga Insitute for the Future (Itali)  dhe EMA (Shqipëri), synon organizimin e dy seminareve ndërkombëtare në qytetin e Napolit, ku do të marrin pjesë 50 pjesëmarrës (të moshës 18-30 vjeç) në secilën prej organizimeve, me qëllim përfshirjen në një dialog konstruktiv me politikbërës të rangut kombëtar dhe ndërkombëtar. Periudha e mobilitetit përfshin dy seminare ndërkombëtare, një në qershor 2019 dhe një në nëntor 2019. Projekti është finalizuar me një punim nga pjesëmarrësit i titulluar “Manual për aftësitë kyçe dixhitale që duhen për të arritur pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të rinjve” që do të përfshijë  metodat e përdorura në procesin e vendimmarrjes nëpërmjet mjeteve dixhitale.
  • Revista Juridike Shqiptare (shkurt 2016 – në vazhdim) fillimisht mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Hollandës në Tiranë, realizuar nga EMA dhe Instituti për Politika dhe Ligj, ka si qëllim parësor të ofrojë analiza të thelluara të strukturave ligjore dhe institucionale shqiptare, si dhe të çështjeve të të drejtave të njeriut, identifikimit të mangësive ligjore dhe institucionale, e ndjekur nga rekomandime konkrete për ndryshime dhe procedura të nevojshme lidhur me problemet e konstatuara. Më shumë informacion për RJSH gjeni në faqen zyrtare dedikuar: www.lawjournal.al
  • Rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset zgjedhore (janar – shtator 2017 ). Qëllimi i kësaj nismei  financuar nga Programi i Ndihmës Direkte (DAP) nga Ambasada Australiane, është për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në procesin e vendim-marrjes. Projekti do të kontribuojë në nxitjen e edukimit të tyre për rëndësinë e demokracisë pjesëmarrëse dhe sidomos atë të votuarit, duke kërkuar të rrisë njohuritë, të menduarit kritik dhe veprimin e të rinjve në institucionet lokale dhe proceset zgjedhore. Ai u zhvillua në 3 qytetet kryesore të Shqipërisë (Elbasan, Shkodër dhe Vlorë) përmes ligjëratave publike dhe aktiviteteve të trajnimit.
  • Ndërtimi i urave – një kulturë e re bashkëpunimi mes institucioneve vendore dhe komuniteteve të tyre (qershor 2016 – qershor 2017), një projekt  i financuar nga National Endowment for Democracy, i cili synon të ofrojë informacione të mjaftueshme mbi avantazhet, si dhe efektet e mundshme negative të Reformës Administrative Territoriale; vendosjen e një dialogu të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm mes komuniteteve lokale (qytetarë, OJQ, media dhe academia) dhe zyrtarëve politikë dhe teknikë të komunave; si dhe për të krijuar instrumentet ligjore që garantojnë përfshirjen e qytetarëve në politikat lokale dhe proceset vendim marrëse.
  • Rinia si agjent i forcimit të demokracisë pjesëmarrëse dhe llogaridhënies institucionale në Bashkinë e Shkodrës (janar 2012 – dhjetor 2014) mbështetur nga Olof Palme International Center. Qëllimi i këtij projekti është rritja e kërkesës për përgjegjshmëri institucionale nga ana e institucioneve të pushtetit vendor, sidomos nga Bashkia e Shkodrës duke stimuluar pjesëmarrjen e të rinjve dhe ushtrimin e presionit mbi bashkinë me qëllim përmirësimin e transparencës mbi veprimtarinë e saj dhe komunikimin me publikun.
  • Në kërkim të politikave koherente dhe efektive për rajonet shqiptare: Ndërtimi i urave të bashkëpunimit midis aktorëve lokalë dhe qendrorë (shtator 2011 – qershor 2012) mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të marrë masa në kushtet e mungesës së thellë të komunikimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve. Ky objektiv do të arrihet përmes lehtësimit të dialogut mes palëve të interesuara dhe kryerjes së hulumtimeve me qëllim për të tërhequr interesin e aktorët rreth çështjeve aktuale dhe problemeve që ndikojnë në zhvillimin social dhe ekonomik të rajoneve të Durrësit, Vlorës , Elbasanit dhe Shkodrës.
  • Inkurajimi i përgjegjësisë së qeverisjes vendore: mbështetje për Bashkinë e Vlorës në përmirësimin e procesit të informimit të publikut (maj 2011 – shkurt 2012), mbështetur nga Banka Botërore dhe Këshilli Britanik. Qëllimi i përgjithshëm i kësaj iniciative është identifikimi i mangësitë në informacion dhe praktikat e papërgjegjshme në Bashkinë e Vlorës, përmes mbështetjes në përmirësimin e transparencës së veprimtarisë së tij dhe kanaleve të komunikimit me publikun.
  • Nxitja e studimit dhe analizës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe rolit në ndryshim të shtetit (qershor 2010 – qershor 2011), financuar nga Ambasada e SHBA në Shqipëri. Objektivi i përgjithshëm i kësaj iniciative është përmirësimi i i kapaciteteve të mësimdhënies dhe kërkimeve shkencore në universitetet shqiptare, me fokus të veçantë në universitetet publike, të cilët janë të pa privilegjuar për shkak të fondeve të kufizuara publike. Për më tepër projekti synon të rrisë dhe pasurojë debatin dhe kuptueshmërinë mbi këto çështje në nivelin akademik dhe politik, media, midis OJQ-ve dhe politikës,të cilat më pas do të reflektohen në shoqëri.
  • Roli i Kuvendit të Shqipërisë në procesin e Integrimit në BE (shtator 2010 – janar 2011) mbështetur nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Projekti synonte eksplorimin e punën së këtij institucioni në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE, duke analizuar kapacitetet e tij administrative për të plotësuar nevojat për miratimin e politikave dhe legjislacionit kombëtare sipas rekomandimeve dhe strukturës së BE, si dhe punën e tij të përgjithshme në kuadër të përshpejtimit të agjendës së Integrimit Europian. Bazuar në mbledhjen dhe analizimin e fakte dhe pikëpamje të aktorëve të ndryshëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, EMA hartoi një set përfundimesh dhe rekomandimesh për një rol sa më të zgjeruar të këtij institucioni në kontekstin politik në kuadër të përpjekjeve të integrimit në BE.
  • Përmirësimi i demokracisë pjesëmarrëse në nivelin lokal: Edukimi dhe përfshirja e të rinjve në institucionet e qeverisjes vendore, si dhe në zgjedhjet e 2011 (tetor 2010 – qershor 2011), financuar nga National Endowment for Democracy (NED). Qëllimi i këtij projekti ishte përfshirja e votuesve të rinj në vendim-marrjen lokale përmes edukimit qytetar mbi rolin dhe rëndësinë që institucionet e qeverisjes vendore luajnë në jetën e përditshme dhe aktiviteteve praktike të monitorimit të punës së institucioneve.
  • Promovimi i pjesëmarrjes së të rinjve në Kuvendin e Shqipërisë (tetor 2009 – maj 2010) mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Kjo iniciativë u ndërmor për të rritur informimin e brezit të ri mbi punën e përditshme të Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet inkurajimit të pjesëmarrjes së tyre aktive duke ndikuar në punën e administratës publike me qëllim bërjen e saj më transparente, të hapur dhe demokratike.
  • Inkurajimi i pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike (tetor 2008 – qershor 2009) financuar nga National Endowment for Democracy (NED). Projekti arriti të kontribuojë në përmirësimin e arsimimit dhe ndërgjegjësimit të votuesve të rinj për rëndësinë e demokracisë pjesëmarrëse duke i angazhuar ata në një raund debatesh publike të organizuara në 7 qytete universitare të Shqipërisë.
  • Përmirësimi i cilësisë së procesit zgjedhor nëpërmjet monitorimit të procesit të lëshimit të kartave të identitetit (prill  – tetor 2009) mbështetur nga Ambasada e SHBA në Shqipëri. Qëllimi i projektit konsistonte në rritjen e transparencës në procesin e lëshimit të kartave të identitetit, si një nga aspektet themelore të lidhura drejtpërdrejt me zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Përmes një seti rekomandimesh bazuar në një proces monitorimi sistematik dhe adresuar të gjithë aktorëve shtetërore dhe jo shtetërore, EMA kontribuoi në përmirësimin dhe suksesin e këtij procesi.
  • Monitorimi i procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipëri (mars  – janar 2009) financuar nga Balkan Trust for Democracy (BTD), një projekt i German Marshall Fund. Ky projekt synonte mbështetjen e dëshirës së fortë të qytetarëve shqiptarë për të patur një regjim të lirë vizash me Komunitetet Europiane, duke monitoruar zbatimin e 42 standardeve të trupëzuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave, që iu dorëzua qeverisë shqiptare më 3 qershor 2008. Ky projekt ilustron gatishmërinë e Shqipërisë për të qenë pjesë e listës së “bardhë” të Shengenit, duke qenë se procesi i monitorimit të standardeve të Udhërrëfyesit analizonte nivelin e përputhshmërisë së Shqipërisë me kriteret e Rregullores të BE Nr. 539/2001.
  • A ka me të vërtetë rëndësi liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor? (mars  – gusht 2008), mbështetur nga King Baudouni Foundation and East-East Partnership without Borders Programe, Fondacionit Shoqëria e Hapur në bashkëpunim me European Citizen’s Action Service dhe me Stefan Batory Foundation. Projekti kishte për qëllim monitorimin e zbatimit të Marrëveshjeve të Lehtësimit të Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor përmes vënies në dispozicion të një linje telefonike ku qytetarët ankoheshin lidhur me probleme që hasin gjatë aplikimit për vizë Shengen dhe realizimit të një sondazhi të hollësishme sasiore. Ky projekt rajonal është zbatuar në të njëjtën kohë në Shqipëri, Serbi, Mali të Zi, Maqedoni dhe Bosnje – Hercegovinë.