Informimi dhe promovimi i vlerave Europiane dhe procesit të Integrimit Europian

Duke e kuptuar Integrimin në BE jo thjesht si një axhendë institucionale, por si një projekt ambicioz zhvillimi i nxitur vazhdimisht nga shoqëria, EMA është përkushtuar intensivisht për promovimin e vlerave europiane dhe rritjes së ndërgjegjësimit të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Përmes fushatave informative, forumeve publike për diskutim dhe aktiviteteve për rritjen e kapaciteteve profesionale, ne përpiqemi të shpjegojmë aspektet e shumta të procesit të integrimit; duke i përvetësuar këto të fundit dhe duke stimuluar të menduarit kritik dhe analitik midis institucioneve qendrore dhe lokale, studentëve, medias, shoqërisë civile, akademikëve etj.

Përveç festimeve dhe promovimit të vlerave europiane në raste të ndryshme, si Dita e Europës, EMA analizon dhe informon opinionin publik mbi çështjet bazë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE si: zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, procesi i marrjes së statusit të vendit kandidat dhe Lehtësimi / Liberalizimi i vizave.

Projektet e ndërmarra në këtë fushë janë si më poshtë:

  • Qëndra Burimore Kombëtare për Shoqërinë Civile në Shqipëri (2019 – në vazhdim), mbështetur nga Delegacioni i BE në Shqipëri dhe implementuar nga Partnerët Shqipëri, në kuadrin e aksioneve  lehtësuese të shoqërisë civile 2016-2017, ka 4 funksione kryesore:1. Sigurimi i ndihmës në shërbimet operative dhe krijimi i networkeve; 2.Krijimi i kapaciteteve për OSHC; 3.Përmirësimin e drejtimit të OSHC-ve dhe  rritjen e besimit te publiku;4. Lehtësimin dhe përkrahjen në dialoget politike. Roli i EMA si partner, fokusohet në organizimin e sesioneve informative  dhe shkrimeve kërkimore mbi BE, integrimin në BE dhe rolin e OSHC në procesin e integrimit në Shqipëri. EMA, nëpërmjet këtyre aktiviteteve është duke lehtësuar procesin e ndërgjegjësimit të sektorit civil në lidhje me integrimin në BE dhe duke promovuar bashkëpunimin, dialogun dhe krijimin e kapaciteteve e oranizatave lokale e kombëtare për të  rritur rolin dhe kontributin e tyre në këtë proces. Dy shkrime kërkimore, fokusuar në rolin e OSHC në procesin e integrimit në BE, duke ofruar rekomandime dhe sugjerime janë duke u hartuar nga kërkuesit e EMA-s. Faqja zyrtare: www.resourcecentre.al

  • Jean Monnet “Debat Politikash me botën akademike” (2016 – 2018), mbështetur nga Agjencia Ekzekutive e Arsimit, Audiovizualitetit dhe Kulturës, Komisioni Europian. Ky projekt, në kuadër të Programit Erasmus +, synon nxitjen e dialogut midis botës akademike dhe hartuesve të politikave, veçanërisht nxitjen e qeverisjes drejt politikave të Bashkimit Europian dhe përgatitjen e Procesit të Negociatave Shqipëri-BE. Një seri workshop-esh cilësore dhe të mirëstrukturuara mbi BE-në, që kombinojnë njohuri teorike, praktike dhe shkëmbime njohurish, do të trajtojnë çështjet më të rëndësishme që lidhen me BE-në në Shqipëri dhe rajon, fokusuar në kapitujt e aderimit dhe prioritetet, si reforma në drejtësi dhe e administratës publike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe politikat e anti-diskriminimit, reforma për sigurinë e ushqimeve, sfidat mjedisore etj. Më shumë informacion për AIEN gjeni dhe në faqen zyrtare dedikuar: www.aien.al
  • Konventa për Integrimin Europian (2014- në vazhdim) mbështetur nga SlovakAid. Kjo iniciativë ka si qëllim të përgjithshëm rritjen e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare. Vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjes për integrimin europian të vendit, si dhe promovimin e bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve për integrimin në BE. Për këtë janë ngritur katë Grupe Pune (I. Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; II. Drejtësia, Liria dhe Siguria; III. Bujqësia; IV. Mjedisi). Më shumë informacion për Konventën gjeni dhe në faqen zyrtare dedikuar: www.eurokonventa.al
  • Organizimi i aktiviteteve rinore me rastin e Ditës Europiane ( 2010–në vazhdim) mbështetur nga Komisioni Europian, Drejtoria e Përgjithshme e Komunikimit. Objektivi kryesor i kësaj iniciative ndërkombëtare ishte promovimi i Qytetarisë Aktive Europiane dhe dialogu Ndërkulturor nëpërmjet përfshirjes sociale dhe bashkëjetesës, si vlerat themelore të Bashkimit Europian dhe procesit të saj të zgjerimit.
  • Monitorimi i Kapitujve 23 dhe 24 të procesit të negociatave me  BE nëpërmjet lenteve të shoqërisë civile (shkurt 2017 – tetor 2017) – mbështetur nga Fondacioni “Konrad-Adenauer-Stiftung” në kuadër të Programit të Sundimit të Ligjit/Shteti Ligjor në Europën Juglindore (RLP SEE). Kjo nismë synon:
    a)    të monitorojë nivelin e zbatimit të reformave, përparimin e arritur në fushat kryesore që lidhen me Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe Kapitullin 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria) si dhe për
    b)    të advokuar për përmirësime thelbësore në fushat e sundimit të ligjit në vend.
    EMA ka publikuar raportet e mëposhtme të politikave dhe monitorimit: “Zbatimi i reformës së drejtësisë në Shqipëri”; “Bashkëpunimi gjyqësor në çështjet civile në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”; “Ekstremizmi i dhunshëm & radikalizmi, siguria kibernetike dhe migrimi “.
  • Shtjellimi i Procesit të Integrimit Europian (Shtator 2011 – Maj 2012), financuar nga Ambasada Britanike në Shqipëri. Kjo iniciativë synon të stimulojë një debat më të informuar dhe pa klishe mbi integrimin Europian duke ndërhyrë me një seri analizash dhe aktivitetesh informuese tek grupet e interesuara. Kryesisht dy janë drejtimet më të rëndësishme mbi të cilat do të fokusohet projekt: bërja e fushave kyçe të politikës së BE më të lexueshme për opinionin publik veçanërisht fushat të cilat përmenden edhe në Progres Raportin e KE për Shqipërinë 2011, si dhe zgjerimi i diapazonit të debatit mbi integrimin në BE përmes mbulimit të temave dhe përfshirës së aktorëve të ndryshëm.
  • Cikli i Forumeve Politike mbi Integrimin Europian (Janar 2009-2011) mbështetur nga Fredrich Ebert Stiftung (FES). Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është gjallërimi i debatit publik mbi procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë dhe promovimi i vlerave dhe politikave të BE-së në kontekstin e transformimit dhe zhvillimit të vendit.
  • Drejt Rritjes së Konkurrencës së Ndershme dhe një Ekonomie Tregu Funksionale në Shqipëri (Mars 2011- Janar 2012) financuar nga European Fund for Ballkans (EFB). Ky projekt kërkimor ka për qëllim të ofrojë një tablo të qartë të zbatimit të politikave të konkurrencës dhe ndihmës shtetërore në Shqipëri, duke identifikuar problemet kryesore dhe pengesat që rrjedhin nga mungesa e përafrimit të akteve normative dhe mungesa e zbatimit të tyre. Qëllimi i këtij projekti është identifikimi i problemeve, i pajtueshmërisë së kuadrit legjislativ të sektorëve strategjikë, si dhe i skemave ekzistuese të ndihmës shtetërore.
  • Procesi e liberalizimit të vizave me Shqipërinë: Si ta kthejmë një histori suksesi? (Qershor 2010 – Maj 2011), financuar nga Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Nëpërmjet një fushatë informuese mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga liberalizimi i vizave për shtresa të ndryshme të shoqërisë të tilla si: komuniteti rom, studentë, hulumtues, komuniteti i biznesit dhe publiku në përgjithësi, projekti ka kontribuar për ta shndërruar liberalizimin e vizave një histori suksesi në kuadrin e Integrimit Europian të Shqipërisë.
  • Duke synuar standarde cilësore për fermerët dhe advokimi me institucionet (Gusht 2008 – Prill 2009) financuar nga OXFAM GB. Kjo iniciativë kishte për qëllim dhënien e një kontributi të rëndësishëm në rritjen e informacionit ligjor mbi produktet bujqësore të cilësisë së lartë për fermerët e vegjël përmes një fushatë informative ndërmarrë në zonat më të mëdha bujqësore në Shqipëri.
  • EuroMed-Scola (Tetor – Dhjetor 2008) mbështetur nga Delegacioni i Komisionit Europian në Shqipëri. Kjo iniciative kontribuoi në rritjen e informacionit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri mbi procesin e vendimmarrjes në BE përmes një loje simuluese që rrit ndërveprimin shoqëror, bazuar në vlerat e përbashkëta si: toleranca, liria dhe qytetërimi. Gjatë aktiviteteve të organizuara në kuadër të këtij projekt, 10 pjesëmarrësit nga Shqipëria u ftuan për të diskutuar, debatuar dhe miratuar rezoluta për çështje lidhur me Bashkimin për Mesdheun si dhe çështje me interes të përbashkët për Partneritetin Euro-Mesdhetar, me të rinj të tjerë nga 27 shtetet anëtare të BE dhe 12 vendet e Partneritetit Euro-Mesdhetar.
  • Mbështetje për rrjetin e Qendrave të Informimit mbi BE-në në qytetet universitare të Shqipërisë (Gusht 2008 – Korrik 2009), financuar nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri. Qëllimi i projektit ishte afrimi i Europës më pranë qytetarëve shqiptarë, veçanërisht brezit të ri, me qëllim përmirësimin e njohuritë e tyre mbi çështje të ndryshme që lidhje me politikat e BE dhe zbatimin e standardeve të vendosura nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, duke rigjallëruar Qendrat e Informimit mbi Bashkimin Europian.
  • Mbështetja e përfshirjes së qeverisjes vendore në programet e asistencës së Bashkimit Europian (Qershor 2008 – Mars 2009), mbështetur nga Ambasada Holandeze në Shqipëri. Kjo nismë synonte rritjen e kapaciteteve administrative të Bashkisë Durrës, përgjegjëse për menaxhimin e programeve të financuara nga BE, shpërndarjen e njohurive mbi instrumentet e IPA dhe SSE për palët e interesuara, si dhe për inkurajimin e rritjes së rolit të shoqërisë civile në procesin e politikë-bërjes.
  • Udhëzimi i fermerëve shqiptarë drejt tregut të lirë (Prill – Qershor 2008) financuar nga OXFAM GB. Qëllimi i përgjithshëm i projektit ishte kontribuimi për një udhëzues më të mirë për komunitetin e fermerëve dhe industrisë së përpunimit ushqimor mbi mbarëvajtjen ditore të aktiviteteve të tyre ekonomike në bazë të instrumenteve ligjore dhe institucionalë të kërkuara nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
  • Identifikimi i grupeve të interesit që mund të humbasin nga procesi i Integrimit në BE (Janar  – Tetor 2008) mbështetur nga Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Ky projekt i zbatuar në partneritet me Këshillin Shqiptar të Agro-Biznesit kishte për qëllim identifikimin e grupeve sociale që mund të preken negativisht nga zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si pasojë e mungesës së informacionit, si dhe për të adresuar instrumente të ndryshme strukturore, administrative, juridike, ekonomike dhe të politikave sektoriale për përmirësimin e situatës.
  • Udhëtim në Europë (Janar  – Qershor 2008) financuar nga Balkan Trust for Democracy (BTD), një projekt i German Marshal Fund dhe Fondacionit Robert Bosch. Ky projekt është zbatuar në partneritet me Lëvizjen MJAFT!, Lëvizjen Europiane në Serbi dhe Mal të Zi. Në fokusin e projektit ishin 30 studentë të përzgjedhur shqiptarë, të cilët nëpërmjet një turneu 30 ditor në disa nga kryeqytetet më të rëndësishme të Shteteve Anëtare të BE njihen me vlerat dhe kulturën e BE-së.
  • Rritja e hapësirës cilësore mediatike për procesin e Integrimit Europian (Korrik 2007 – Janar 2008) mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Kjo iniciativë synonte krijimin e një rrjeti gazetarësh të aftë dhe të trajnuar të cilët do të mbulonin çështjet që lidhen me axhendën e integrimit Europian të Shqipërisë. Ky projekt u zbatua në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias, dhe Institutit Agenda.
  • Forcimi i rolit të Parlamentit në Procesin e Stabilizim Asociimit (Tetor 2007 – Qershor 2008) finacuar nga prania e OSBE në Shqipëri. Kjo iniciativë kontribuoi në mbështetjen e përfshirjes së Parlamentit dhe deputetëve të zonave të ndryshme të vendit në monitorimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, në promovimin e vlerave dhe politikave të BE në kuadrin e transformimit dhe zhvillimit të vërtetë të Shqipërisë.