Forumi: Kuptimi i procesit të Integrimit Europian të vendit

Më 13 qershor 2012, Lëvizja EMA në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Ambasadën Italiane,  organizoi forumin me temë “Kuptimi i procesit të Integrimit Europian të vendit”, ku i ftuar nderi ishte Shkëlqesia e Tij Z. Massimo Gaiani, Ambasador i Republikës Italiane në Shqipëri. Ky aktivitet, në të cilën morën pjesë studente dhe pedagogë të universitetit të Durrësit u zhvillua në kuadër të projektit “Shtjellimi i Procesit të Integrimit Europian” mbështetur nga Ambasada Britanike në Shqipëri.

Aktiviteti u hap nga Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Z. Mit’hat Mema, i cili bëri një prezantim të bashkëpunimeve që ky universitet ka arritur të ndërtojë me universitetet italiane dhe të tjera në Europë. Edhe pse i themeluar vetëm vitet e fundit, Universiteti i Durrësit gëzon bashkëpunime të frytshme në kuadër të programit Tempus dhe shkëmbime të tjera me universitetet e Bolonjës, Kietit, Padovës, etj. Z. Mema u shpreh se bota akademike në njëfarë kuptimi është një hap përpara me Integrimin Europian krahasuar me pjesën tjetër të shoqërisë, kjo për shkak se tashmë ajo është ndërkombëtare dhe e hapur ndaj përvojave të vendeve të tjera.

Në fjalën e tij, Ambasadori Italian Z. Massimo Gaiani theksoi se Italia e ka mbështetur në këto 100 vite Shqipërinë si shtet i pavarur dhe në ndihmën që ka dhënë ka ndjekur njëkohësisht një logjikë respekti për sovranitetin, vullnetin dhe vendimmarrjen e vetë shqiptarëve. Megjithatë, në gjykimin e ambasadorit Gaiani tashmë nuk flitet më për ndihmë të Italisë ndaj Shqipërisë, por për bashkëpunim të mirëfilltë mes dy palëve.
Duke iu referuar procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë, ai vlerësoi si pozitiv faktin që opinioni publik shqiptar e mbështet fuqimisht Integrimin në BE, edhe pse vitin e fundit është vënë re një rënie e lehtë e mbështetjes. Këtu ai përmendi rolin e rëndësishëm të universiteteve për të përhapur dije dhe kuptueshmëri mbi këtë proces dhe sfiduar zërat që vënë në dyshim avantazhet e anëtarësimit të Shqipërisë. Ambasadori Gaiani vuri në dukje disa prej avantazheve të anëtarësimit, përfshirë këtu: tregun e përbashkët të BE-së, aspektin rregullator, shpërndarjen më të mirë të burimeve nëpërmjet politikës së kohezionit dhe fondeve strukturore, mundësinë për të folur me një zë më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare, etj.

Ndërsa Z.Gledis Gjipali Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, gjatë fjalës së tij u ndal në mënyrë të veçantë tek rëndësia e informimit të brezit të për një njohje më të mirë dhe thelluar të procesit të Integrimit Europian duke tejkaluar retorikën politike që shpesh shoqëron këtë proces. Ai i konsideroi të rinjtë si aktorë të rëndësishëm në influencimin e politik bërjes për të  përshpejtuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.

Në përfundim, aktiviteti u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh gjatë të cilës Ambasadori Gaiani u pyet mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe implikimet e tyre në procesin e Integrimit Europian