Forum: Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe Kosovës

25 majForumi:

“Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe Kosovës:
Stade të ndryshme, sfida të ngjashme”

Më 25 Maj 2012, EMA në bashkëpunim me KCSF organizoi forumin me temë “Perspektiva Evropiane e Shqipërisë dhe Kosovës: Stade të ndryshme, sfida të ngjashme”, ku i ftuar nderi ishte Shkëlqesia e Tij Z. Karsten Ankjaer Jensen, Ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri dhe Kosovë. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit “Shtjellimi i Procesit të Integrimit Europian”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Shqipëri i cili synon të stimulojë një debat publik më të informuar dhe pa klishe mbi integrimin europian dhe sfidat që paraqet për Shqipërinë dhe Kosovën duke përfshirë aktorë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues nga media dhe fusha akademike

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA, dhe Z. Fatmir Curri, Drejtor Programi i KCSF. Ata përshëndetën iniciativën e këtij forumi duke theksuar rëndësinë e mësimeve që mund të nxjerrin Shqipëria dhe Kosova nga njëra tjetra përsa i përket procesit të integrimit europian. Kosova mund të ndjekë shembullin e Shqipërisë lidhur më procesin e liberalizimit të vizave, dhe Shqipëria mund të ndjekë shembullin e Kosovës përsa i përket konsensusit të arritur për zgjedhjen e presidentit.

Z. Karsten Ankjaer Jensen, Ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri dhe Kosovë, e nisi fjalën e tij duke dhënë një përshkrim të karrierës së tij diplomatike dhe të vendit të veçantë që zënë Shqipëria dhe Kosova në të. Duke nënvizuar rëndësinë e procesit të integrimit europian, Z. Jensen theksoi se BE duhet t’i ndihmojë vazhdimisht të gjitha vendet e Ballkanit në rrugën e integrimit europian, por përgjegjësia më e madhe ndodhet në vetë shoqëritë e këtyre vendeve të cilat përcaktojnë me votën e tyre mënyrën se si, dhe nga kush, do udhëhiqen. Për sa i përket Shqipërisë, ambasadori shprehu keqardhjen e tij që ky proces po tejzgjatjet pafundësisht, pasi sipas tij Shqipëria, duke pasur parasysh dhe rolin balancues që ka luajtur në rajon, e meriton të ketë statusin e vendit anëtar të BE-së. Sidoqoftë, ai nuk rezervoi komentet për politikën shqiptare. Z. Jensen theksoi se ka ardhur koha që qytetarët shqiptarë të zgjedhin politikanë të cilët kanë një mendësi demokratike dhe vlera europiane. Sipas tij ka akoma mjaft politikanë të cilët nuk mund ta udhëheqin vendin drejt BE-së për shkak të interesave e lidhjeve që ato mbrojnë, mendësisë. të shkuarës e të tashmes së tyre, të cilat bien ndesh me vlerat europiane. Nga ana tjetër, sipas Z. Jensen, Kosova nuk duhet të ngadalësojë ritmin e reformave për shkak se disa vende anëtare nuk e kanë njohur akoma shtetin kosovar. Sa më përpara ecën Kosova me reformat aq më shume do të sheshohen pengesat e lidhura me statusin e saj.

Më pas aktiviteti u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh të pranishmit i drejtuan pyetje ambasadorit.