Aktivitetet e Ditës së Europës

dita e europesNë kuadër të Aktiviteteve të Ditës së Europës, EMA në bashkëpunim me Roma Active Albania (RAA) organizoi më 4 Maj 2012 në Qendrën e Informimit të  Bashkimit Europian, një sesion trajnimi mbi “Mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kuadër të procesit të integrimit në BE”. Ky aktivitetet, i mbështetur nga Komisioni Europian, kishte për qëllim nxitjen e ndërveprimit shoqëror midis studentëve romë dhe jo-romë të shkollave të mesme nëpërmjet rritjes së informacionit dhe ndërgjegjësimit të tyre mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Seanca u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të mëparshme dhe aktuale të EMA me RAA, si një nga partnerët tanë më të mirë në promovimin e vlerave europiane tek brezi i ri. Për më tepër, Z. Gjipali në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë që i dedikohet të drejtave të njeriut në programin e BE-së dhe në perspektivën europiane të Shqipërisë.

Një përshkrim i hollësishëm i kuadrit kryesor ligjor europian që lidhet me të drejtat e njeriut u prezantua nga Asistenti i Programeve të EMA, Z. Nensi Shyti. Gjatë prezantimit të tij, Z. Shyti i kushtoi vëmendje të veçantë arritjeve të realizuara deri tani nga qeveria shqiptare për të adresuar këtë çështje në planin e saj të veprimit për 12 prioritetet e KE-së.

Z. Dritan Ziu, Koordinator i RAA, paraqiti disa shembuj të jetës së përditshme lidhur me diskriminimin, si dhe me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Më tej, ai theksoi punën e vazhdueshme të organizatave të ndryshme dhe RAA në veçanti, për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut mbi të drejtat e komunitetit Rom dhe fushatat kundër diskriminimit.

Më pas aktiviteti u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh, ku nxënësit ishin të përfshirë në hartimin e një posteri i cili pasqyronte perceptimin e tyre mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivel kombëtar dhe europian.

Në vazhdim të Aktiviteteve të Ditës së Europës, më 10 maj 2012, një seancë informative u mbajt në ambjentet e Universitetit Marin Barleti. Qëllimi i kësaj seance ishte prezantimi i studentëve dhe stafit akademik me aspektet e ndryshme të procesit të lobimit nga grupet e interesit në BE. Një dokumentar i titulluar “Brussels for Business – Climate Change and Business Lobby in Brussels” u prezantua për publikun, duke shërbyer si një pikënisje drejt një debati konstruktiv të moderuar nga Znj. Blerta Hoxha, Kërkuese pranë EMA. Znj. Hoxha analizoi zhvillimin e konceptit të lobimit në BE në krahasim me atë të SHBA-sw, duke përçuar njw informacion të detajuar në lidhje me këtë çështje. Ajo gjithashtu vuri në dukje nevojën në rritje për lobim që vjen si pasojë e zgjerimit të kompetencave të BE-së gjatë viteve të fundit, si dhe çështjet e transparencës së organizatave në këtë proces