Inkurajimi i përgjegjshmërisë së qeverisjes vendore nëpërmjet rritjes së informimit

????????????????????????????????????

Më datë 16 shkurt 2012, EMA në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës organizuan forumin me temë “Inkurajimi i përgjegjshmërisë së qeverisjes vendore nëpërmjet rritjes së informimit”. Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Inkurajimi i përgjegjësisë së qeverisjes vendore: mbështetje për Bashkinë e Vlorës në përmirësimin e procesit të informimit të publikut” mbështetur nga Banka Botërore dhe Këshilli Britanik. Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të administratës së Bashkisë së Vlorës, kryesisht të atyre departamenteve që kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me publikun si dhe të strukturave të tjera të lidhura me të. Gjithashtu të pranishëm në këtë forum ishin edhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Arben Beqiraj, Nënkryetar i Bashkisë së Vlorës i cili theksoi bashkëpunimin pozitiv me EMA-n. Gjatë fjalës së tij ai prezantoi eksperiencën e deri tanishme të bashkisë lidhur me mënyrën se si realizohet në praktikë komunikimi ndërmjet administratës bashkiake në njërën anë dhe komunitetit e grupeve të ndryshme të interesit në anën tjetër. Z. Beqiraj u shpreh se bashkia e Vlorës përdor instrumente të ndryshme për informimin e publikut të tilla si broshura dhe fletëpalosje. Një tjetër burim informimi është dhe faqja e internetit e bashkisë, e cila vit pas viti pasurohet në bazë të sugjerimeve të publikut dhe grupeve të interesit.

Koordinatorja e projektit pranë Këshillit Britanik, Znj Marsela Çela gjatë fjalës së saj përmendi rolin e programit “Development Marketplace” në mbështetjen e pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, duke theksuar se ky program synon të nxitë transparencën publike dhe të kontribuojë në mirëqeverisjen në të dyja nivelet. Ajo nënvizoi se aktualisht Këshilli Britanik ka përzgjedhur disa organizata, të cilat përmes iniciativave të tyre synojnë për të qenë sa më pranë komunitetit dhe për të rritur transparencën e organeve të pushtetit vendor përkundrejt publikut.

Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA prezantoi gjetjet e deri tanishme dhe hapat e ndërmarra në kuadër të këtij projekti. Ndër rekomandimet e prezantuara prej tij përmendim: forcimin e bashkëpunimit media – pushtet vendor; zgjerimin e kompetencave të Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun në qarkullimin e informacionit; si dhe përdorimin e elektronikës dhe software-ve për rritjen e efikasitetit të strukturave të bashkësinë në procesin e qarkullimit të informacionit.

Pjesë e këtij projekti është sistemi elektronik i qarkullimit të informacionit i cili po zbatohet në Bashkinë e Vlorës. Ky sistem do të mundësojë konvertimin e procedurave  ekzistuese nga formati shkresor në skedarë elektronik, pjesë e rëndësishme e të cilit është arkivimi në mënyrë elektronike e këtij informacioni. Gjatë aktivitetit specialistët u njohën me mënyrën e funksionimit të këtij sistemi dhe diskutuan mbi disa prej shqetësimeve të tyre lidhur me përdorimin e tij.

Bashkia Vlorë së bashku me EMA-n po eksplorojnë një sërë instrumentesh për të garantuar një transparencë më të madhe të aktiviteteve të bashkisë dhe për të rritur aksesin në informacion të aktorëve të interesuar duke përdorur sa më mirë burimet që janë në dispozicion. Programi i propozuar për qarkullimin dhe arkivimin e informacionit në Bashkinë e Vlorës, i cili u prezantua gjatë aktivitetit është tashmë në fazën përfundimtare të realizimit të tij.