Promovimi i librit: Politika dhe pasioni

promovim libriMë 22 dhjetor 2011, EMA në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dudaj” dhe Universitetin “Marin Barleti” prezantuan në auditoret e këtij universiteti një ndër kryeveprat botërore në fushën e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, i cili për herë të parë vjen në gjuhën shqipe “Politika dhe pasioni: Drejt një liberalizmi më Egalitar”. Kjo iniciativë është ndërmarrë në kuadër të projektit “Nxitja e studimit dhe analizës  së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe rolit në ndryshim të shtetit”, mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Kjo iniciative përmes përkthimit në shqip të tre autoreve më të njohur në lëmin e shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare synon të rrisë dhe pasurojë debatin dhe kuptueshmërinë mbi këto çështje në nivelin akademik dhe politik, media, dhe shoqërinë civile, për t’u reflektuar më pas në shoqëri.

Gjatë këtij aktiviteti Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA-s bëri një përmbledhje të shkurtër të librit duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek risia dhe tematika e larmishme që ky libër trajton. Pasi bërë një prezantim të shkurtër të autorit, Michael Walzer, si një ndër filozofët dhe teoricien e shquar politik dhe profesor në Universitetin Prinston, Z. Gjipali përmendi se ky është një libër që kontribuon për një kuptim më të mirë të mënyrës së organizimit të shtetit dhe shoqërisë në kohët moderne. Si një vepër e cila kritikon hapur teorinë liberale, Walzer sugjeron mënyrat se si teoria liberale mund të rishikohet për ta sjellë atë më pranë kërkesave të barazisë. Libri trajton një larmishmëri çështjesh sensitive të tilla si multikulturalizmi, pluralizmi, shoqëria civile dhe drejtësia raciale e gjinore, analizuar këto nga pikëpamja e doktrinës liberale ku dijet e thella teorike gërshetohen me njohuritë praktike.

Znj. Eurona Leka, Lektore pranë Universitetit “Marin Barleti” bëri një prezantim dhe analizë rreth librit, nën një këndvështrim krahasues të demokracisë liberale në Shqipëri. Duke u nisur nga deontologjia e titullit i cili lidh në mënyrë të bashkënrenditur dy terma: pasioni dhe politika, të cilat gjatë gjithë rrugëtimit të filozofisë politike janë parë si në antagonizëm me njëri-tjetrin, Znj. Leka theksoi idenë se pasioni ka spikatur gjithmonë si një komponent qëndror dhe i pashmagshëm i jetës politike të një vendi. Në fjalën e saj, duke ritheksuar se vepra prezanton gjendjen e krizës në të cilën ndodhet teoria liberale si rezultat i ndarjes së shoqërisë në miniklane, ku gjithësecili synon të jetë më transformues se të tjerët, ajo evidenton strukturën e librit të ndërtuar mbi formën e eseve, ku secila prej tyre ofron një rivlerësim provokativ të parimeve bazë të mendimit liberal. Në përfundim duke bërë me dije se liberalizmi është një doktrinë që minon vetveten, shpërfill traditat, krijon tek çdo brez një liri absolute si nga historia ashtu dhe nga shoqëria, Znj. Leka i përcjell auditorit zgjidhjen kryesore të propozuar nga Walzer, pikërisht atë të domosdoshmërisë së korigjimit komunitar.

Znj. Elona Bano, Dekane e studentëve dhe pedagoge pranë Departamentit të Drejtës Publike, trajtoi kapitullin  e III-të librit kushtuar të drejtave Kulturore të sjella nga autori në një pikëvështrim socialo-politik, i ndryshëm nga ai juridik. Znj. Bano nënvizoi rëndësinë që kanë për shoqërinë respektimi dhe garantimi i të drejtave kulturore. U trajtuan gjerësisht nocionet e “komunitetit kulturor”, “identitetit kulturor” si edhe fakti i të pasurit të një legjislacioni gjithëpërfshirës, i cili garanton riprodhimin dhe vetëgjenerimin e komuniteteve të ndryshme kulturore, të cilat siç pohon dhe Michael Walzer konsiderohen të stigmatizuara dhe për rrjedhojë viktimizohen. Referimi i znj. Bano u ilustrua me citate nga libri “Politika dhe pasioni” si edhe me kazuse të GJEDNJ-së.

Më pas aktiviteti u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh ku studentë dhe stafi akademik shkëmbyen pikëpamjet e tyre mbi një sërë çështjet të trajtuar në libër dhe aplikimin e tyre ne realitetin shqiptar.

“Politika dhe Pasioni: Drejt një liberalizmi më Egalitar” duhet të lexohet nga çdo njeri që është i interesuar për drejtësi sociale dhe për mënyrat nëpërmjet të cilave kërkojmë ta realizojmë atë. Ky libër gjendet në Bibliotekën e Studimeve Europiane dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë EMA-s, si dhe në libraritë shqiptare.