Forumi i politikave: A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?

forum politikaveMë 21 dhjetor 2011, EMA në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizoi forumin e politikave “A ia vlen të kthehesh në Shqipëri?”. Të ftuar në këtë forum ishin: Z. Përparim Kabo, Antropolog, Z. Bernard Zeneli, Menaxher i programit “Brain Gain” si dhe Znj. Silvana Banushi, Drejtore e Politikave të Migracionit, Kthimit dhe Riintegrimit, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Forumi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve shtetërore, agjencive te punësimit si dhe botës akademike, të cilët diskutuan mbi problematikat me të cilat përballen profesionistet e kualifikuar gjatë kthimit në vendin e origjinës.

Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtorit Ekzekutiv të EMA-s, Z. Gledis Gjipali, i cili permendi rolin e kapitali njerëzor në zhvillimin social, ekonomik dhe politik të vendit. Ndaj në këtë kontekst kthimi i vëmendjes për të analizuar fenomeneve të ndryshme që lidhen me kapitalin njerëzor merr rëndësi të vecantë.

Znj. Blerta Hoxha, hulumtuese pranë EMA-s prezantoi gjetjet kryesore të anketës realizuar me profesionistë të rikthyer që janë kualifikuar jashtë vendit, disa nga të cilat janë:

  • Rikonfirmohet prirja në rritje e të kualifikuarve për tu kthyer në Shqipëri. Shqiptarët shkojnë jashtë vendit kryesisht me qëllim studimin dhe jo punësimin. Lidhjet familjare përbëjnë shtysë të fortë për tu rikthyer.
  • Megjithatë i lartë mbetet numri i atyre që largohen çdo vit. Për pasojë, mbetet e vështirë të njihet me saktësi dinamika e dy proceseve: largimit dhe kthimit të trurit.
  • Ndër vështirësitë me të cilat përballen të kualifikuarit për tu integruar në Shqipëri mbizotërojnë ndryshimet në kulturën e punës si dhe korrupsioni.
  • Me gjithë dëshirën për tu kthyer, të kualifikuarit jashtë vendit kanë lidhje të dobëta me institucionet shtetërore. Të paktë janë ata që marrin ndihmë nga institucionet shtetërore për tu ri-integruar.
  • Njohja e diplomës ende perceptohet si një procedurë e gjatë dhe burokratike e për tu shmangur nëse është e mundur.
  • Mbizotërojnë mënyrat jo formale të punësimit si për shembull duke kontaktuar drejt për drejt punëdhënësin (37,9%) apo nëpërmjet të afërmve e miqve (36,4%). Këto të dhëna rikonfirmojnë që kanalet zyrtare të punësimit në tregun shqiptar mbeten ende të dobëta, duke ulur mundësitë për  rekrutime transparente dhe konkurruese.
  • Shqipëria nuk është e përjashtuar nga rreziku i “shpërdorimit” të trurit dhe as nga ai i ri-largimit të tij! Rreth 42% mendojnë se po avancojnë pak ose aspak profesionalisht në Shqipëri. Edhe pse shumica e konsideron të mirë ose shumë të mirë vendimin për tu kthyer (79%), shqetësues mbetet fakti se rreth 36% e të kualifikuarve të kthyer nuk e shohin veten në Shqipëri pas pesë vitesh.

Bazuar në gjetjet e anketës por njëkohësisht edhe në hulumtimin e politikave aktuale të punësimit si dhe në informacionet e marra nga takimet me një sërë aktorësh shtetërore dhe jo shtetëror, Znj. Hoxha theksoi se tashmë në Shqipëri nevojiten politika më gjithëpërfshirëse dhe afatgjata për ri-integrimin e të kthyerve të kualifikuar me qëllim shfrytëzimin sa më mirë të kapitalit njerëzor.

Antropologu Përparim Kabo, mbajti një fjalim me temë “Kthimi Trurit” si fenomen, realitete dhe prirje!”. Gjatë diskutimit të tij Z. Kabo u ndal në mënyrë të veçantë tek koncepti i tregut të ideve ku në themel të secilës është konkurrimi i vlerave dhe aftësive. Kthimi i trurit është një akt individual por organizimi i tij shndërrohet në një aset me vlera për gjithë shoqërinë. Sipas Z. Kabo ajo që aktualisht e pengon zhvillimin e një tregu idesh në Shqipëri është komercializimi i vlerave, partitizmi fanatik përfshirë këtu klientelizmin dhe nepotizmin familjar. Qarkullimi i elitave është një tipar i munguar i shoqërisë shqiptare me pasoja për zhvillimin e saj e duke penguar shfrytëzimin e vlerave të sjella dhe nga profesionistët e kthyer. Ai u përpoq të sillte për publikun një qasje filozofike të analizimit të këtij fenomeni si nevojë për adresimin e duhur të tij, duke e gërshetuar diskutimin me metafora te forta që vinin nga realiteti.

Z. Bernard Zeneli, Menaxher i programit “Brain Gain” bëri një prezantim mbi këtë program, arritjet e tij si dhe sfidat e ardhshme. Z. Zeneli u përqendrua kryesisht tek risitë që zbatimi i këtij programi solli në debatin publik duke e bërë konceptin e “Brain Gain” pjesë të ligjërimit mbi politikat publike si dhe ndryshimet e rëndësishme legjislative që pasuan në këtë kontekst. Megjithatë ai përmendi se për një sërë arsyesh që kryesisht lidhen me vonesat në disbursimin e mbështetjes financiare ekzistues apo edhe mungesën e interesit të donatorëve po evidentohet gjithnjë e më shumë një fenomen i ri, ai i “Brain Gain fatigue” (Lodhje nga thithja e trurit). Pavarësisht problematikës, rasti i Shqipërisë po frymëzon vendet e tjera të rajonit për ndërmarrjen e një programi të tillë duke shërbyer si një shembull pozitiv në kuadër të promovimit të politikave të thithjes së trurit.

Znj. Silvana Banushi, nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përmendi rolin e institucioni që ajo përfaqëson në kthimin dhe riintegrimin në një kontekst më të gjerë duke përfshirë të gjithë shtetasit shqiptare që jetojnë jashtë vendit. Znj. Banushi theksoi se për shkak të vetë natyrës së ndërhyrjes dhe mbështetjes që kërkojnë profesionistët e kualifikuar jashtë vendit, problematika e kësaj kategori gjendet pak e adresuar në Strategjinë Kombëtare për Migracion 2005 – 2010. Megjithatë ajo u shpreh se aktualisht Ministria ka ndërmarrë iniciativën përmes ngritjes se një grupi pune për hartimin e Strategjisë së re të Migracionit dhe Zhvillimit e cila do të fokusohet më specifikisht në këtë drejtim. Në këtë kontekst Z. Banushi ftoi EMA-n si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile për të marrë pjesë në këtë proces me qëllim adresimin sa më të mirë të problematikave që lidhen me fenomenin e rrjedhjes dhe thithjes së trurit.

Forumi politik u ndoq nga një sesion diskutimesh ku pjesëmarrësit sollën eksperiencat personale dhe diskutuan mbi politikat promovuese për krijimin e një mjedisi mirëpritës dhe favorizues ndaj meritokracisë dhe profesionalizmit.

Pasqyrimin e takimit në media mund ta gjeni në faqen tonë të website, në rubrikën “EMA në Media”.

Gjetjet kryesore te anketes