Forumi i Politikave – Kultura e konkurrencës së ndershme në Shqipëri

konkurencaMë 14 dhjetor 2011, EMA në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES) organizoi forumin e radhës të politikave “Kultura e konkurrencës së ndershme në Shqipëri”. Të ftuar në këtë forum ishin: Znj. Lindita (Milo) Lati, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës dhe Z. Gjergj Buxhuku,Përfaqësues i Konfindustrisë. Forumi mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve rregullatore shtetërore, komunitetit të biznesit si dhe botës akademike, të cilët diskutuan mbi politikat e konkurrencës dhe  problematikën e tij.

Forumi i hap me fjalën përshëndetëse të Drejtorit Ekzekutiv të EMAs, Z. Gledis Gjipali, i cili theksoi se ky aktivitet i shërben përçimit të informacionit dhe debatit tek publiku i gjerë duke mos e kufizuar atë në grupet e vogla të ekspertëve. Dimensioni ekonomik është një oaz i ri frymëzimi për EMA-n i cili do të shfrytëzohet më tej për të sjellë analiza më të thelluara dhe cilësore në këtë drejtim.

Për të ilustruar rëndësinë e kriterit ekonomik, Drejtori i FES për Shqipërinë Z. Michael Weichert, solli shembullin e fushatës elektorale të zgjedhjeve amerikane të 1992 ku ndryshimin ne rezultat e solli fokusi tek ekonomia. Ai theksoi se duke qene se në dy vitet e fundit opinioni publik është i tej ngopur me lajme dhe informacione nga situata politike, kthimi i vëmendjes në çështjet që lidhen me interesin e drejtpërdrejt të secilit prej nesh merre rendësi të veçantë, ndaj inkurajoi EMA-n për tu thelluar akoma edhe më shumë në këtë  drejtim.

Znj. Lindita (Milo) Lati, Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës bëri një prezantim të hollësishëm të filozofisë mbi të cilën operon ky institucion. Ajo u ndal në mënyrë të veçantë në mekanizmat eficente për rritjen e kulturës së konkurrencës në Shqipëri si një tregues i zhvillimeve pozitive. Sipas Znj. Lati puna e Autoritetit të Konkurrencës ka ardhur në rritje nga viti në vit po ri referohemi numrit të vendimeve dhe çështjeve të ngritura nga biznesi dhe trajtuara nga Autoriteti. Megjithatë jo domosdoshmërish numri i vendimeve është tregues i suksesit të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës pasi ka shumë raste ku Autoriteti ndërmjetëson dhe ndihmon biznesin në parandalimin e penaliteteve.

Ndërkohë përfaqësuesi i Konfindustrisë, Z. Gjergj Buxhuku gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e konkurrencës si një ndër shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet ekonomia kapitaliste. Duke qene në rolin e përfaqësuesit të komunitetit të biznesit, Z. Buxhuku përcolli për audiencën problemet e këtij komuniteti lidhur me ekzistencën e monopoleve apo oligopoleve. Kjo si pasojë e një tregu të vogël dhe të varfër e cila potencialisht bën të mundur shfaqjen e elementëve jo konkurrues. Sektori i shërbimeve dhe ai i importeve nga jashtë mbeten sektorët më problematik të ekonomisë shqiptare të cilat duhen targetuar gjatë punës së Autoritetit. Sipas Z. Buxhuku, shkalla e konkurrencës lidhet drejtpërdrejtë me mundësinë që tregu u ofron operatoreve të ndryshëm për të operuar në ekonominë e tregut.

Gjithashtu gjatë forumit Znj. Evisi Kopliku, hulumtuese pranë EMA-s prezantoi gjetjet kryesore të punimit “Kultura e konkurrencës së ndershme në Shqipëri”, përgatitur nga grupi i ekspertëve. Punimi ofron një pasqyrë të plotë të zhvillimeve të fundit lidhur me politikat e konkurrencës në Shqipëri, duke identifikuar faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin e një kulture konkurrence të ndershme e të drejtë midis aktorëve të tregut. Një fokus të veçantë në punim i kushtohet edhe rolit të institucioneve në kuadër të mbrojtjes së konkurrencës së ndershme dhe hedh dritë mbi instrumentet në dispozicion të tyre për të rritur kulturën e konkurrencës tek entet publike, komuniteti i biznesit dhe qytetarët (konsumatorët) në përgjithësi.

Forumi politik u ndoq nga një sesion diskutimesh ku përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës, enteve të tjera rregullatore, komunitetit të biznesit dhe botës akademike diskutuan se bashku lidhur me politikat e konkurrencës dhe problematikat e saj në realitetin shqiptar.

Forumi i politikave u pasqyruar gjerësisht në median e shkruar dhe atë vizive.