Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Leksione mbi Integrimin Europian për Akademinë e OJF-ve nga EMA

Në kuadër të projektit të Qendrës Burimore Kombëtare për Shoqërinë Civile në Shqipëri, të implementuar nga Partnerët në Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, EMA dhe ekspertët e saj po kontribuojnë me leksione mbi integrimin në BE dhe rolin e Shoqërisë Civile për çdo vit akademik të Akademisë së Organizatave Jo-Fitimprurëse . Në këtë drejtim EMA ka mbajtur dy sesione: për Akademinë e OJF-ve 2019 dhe Akademinë e OJF-ve 2020:

Sesioni për Akademinë e OJF-ve 2020 – organizuar online më 19 mars 2020 për shkak të masave Covid-19 që po zbatohen në vend që nga 8 marsi 2020. Tema e leksionit ishte: “Integrimi në BE dhe roli i OSHC-ve në këtë proces” dhe u ligjërua nga z. Gledis Gjipali, ekspert në çështjet e integrimit europian njëkohësisht drejtor ekzekutiv i EMA. Temat e këtij sesioni të ndjekur nga 20 pjesëmarrës përfshinin:

1. Momentet kryesore të procesit të integrimit në BE të vendit
2. Sfidat kryesore të Shqipërisë në këtë proces
3. Procesi i liberalizimit të vizave
4. Programet e financimit të BE për vendet aspiruese si edhe pritshmëritë ndaj IPA III
5. Roli i OSHC-ve në procesin e integrimit në BE, etj.

Leksioni për akademinë e OJF-ve 2019 –u organizua më 8 maj 2019 me temën: “Roli dhe kontributi i aktorëve të Shoqërisë Civile mbi integrimin e Shqipërisë në BE.”  Lektorë të këtij sesioni ishin z. Gledis Gjipali dhe znj. Mona Xhexhaj, ekspertë të integrimit në BE nga EMA.

Gjatë këtij sesioni u diskutuan këto tema:
1. Pikat kryesore të procesit të integrimit në BE të vendit.
2. Sfidat kryesore të Shqipërisë, fokusuar në 5 prioritetet e caktuara nga Komisioni Europian
3. Procesi i liberalizimit të vizave në Shqipëri – standardet e kërkuara për të arritur liberalizimin e vizave si edhe zhvillimet kryesore në këtë fushë përgjatë viteve të fundit, si: Sistemi Europian i Informimit dhe Autorizimit; ose Mekanizmi I Pezullimit të Liberalizimit të Vizave.
4. Fondet e BE për vendet aspiruese: Fondet IPA: si ky instrument është përditësuar dhe ndryshuar gjatë këtyre viteve dhe cilat janë mundësitë që i ofron sektorit të Shoqërisë Civile. Fokusi kryesor u vendos në programet e IPA-s ku Shoqëria Civile dhe Organizatat Jo-qeveritare mund të përfshihen, të tilla si: Instrumenti Mbështetës i IPA-s për OSHC ose Programet Ndër-Kufitare, etj.
5. Roli i Shoqërisë Civile në procesin e integrimit drejt BE, duke nënvizuar strukturat e krijuara gjatë procesit për hapjen e negociatave, përfshirë këtu Platformën e Partneritetit dhe krijimin e Grupeve negociatore për çdo kapitull të acquis të BE.
6. Roli i medias në informimin objektivisht dhe analizimin e këtij procesi duke kushtuar vëmendje pengesave, kosto-përfitimeve për qytetarët si edhe grupeve të interesit përgjatë procesit të integrimit në BE.
Më shume se 30 pjesëmarrës nga Organizata të shoqërisë civile brenda dhe jashtë vendit morën pjesë në këtë sesion.