Adoptimi dhe zbatimi i kërkesave të Bashkimit Europian për produktet BIO, konvencionale dhe të integruara

foto aktiviteti 1Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, realizoi më datë 2 nëntor 2015 Sesionin e III të Grupit të Punës së Bujqësisë me temë ”Adoptimi dhe zbatimi i kërkesave të Bashkimit Europian për produktet BIO, produktet konvencionale dhe produktet e integruara”.

Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri shpjegoi se grupet e punës janë krijuar për të sjellë bashkë aktorët më të rëndësishëm jo publik (shoqëri civile, akademi, biznese dhe media) dhe politik-bërësit dhe zbatuesit e politikave të sektorit publik. Është e rëndësishme, sipas z. Gjipali që procesi drejt integrimit në BE të jetë transparent, ku shoqëria civile dhe grupet e interesit të jenë pjesë mbështetëse e tij edhe në hapjen e negociatave. Ky rrugëtim nuk është i thjeshtë por shumë intensiv dhe i vështirë, sidomos në kuadër të përafrimit të një volumi shumë të madh të legjislacionit, hartimit dhe zbatimit të tij me atë europian.

Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agro-Biznesit Shqiptar (KASH) vijoi duke vënë theksin kryesisht tek treguesit problematik sa i përket produkteve BIO, konvencionale dhe të integruara.Gjatë fjalës së tij, Z. Rrapaj u shpreh se 350 mijë familje që prodhojnë produkte BIO përballen me vështirësi si: çmimet e larta të plehrave kimike, insekticidet dhe pesticidet jo- efektive; mungesë infrastrukture për ujitje; vështirësi dhe kosto në proceset e ambalazhimit dhe çertifikimit; si dhe mungesa e tregjeve. Sipas kreut të KASH bujqësia shqiptare e ka të pamundur të konkurrojë tregun europian dhe atë fqinj me anë të prodhimit të produkteve konvencionale, pasi niveli i prodhimit bujqësor kombëtar është 10 herë më i vogël në krahasim me vendet fqinje. Zgjidhja për z. Rrapaj do të ishte ndryshimi i qëndrimit ndaj prodhimeve BIO, me anë të një perspektive të re që nxit prodhimin bujqësor organik, dhe nxitjen e prodhimin në masë të produkteve organike që do të shoqërohej me ulje çmimi. Si element pozitiv, Z. Rrapaj përmendi krahun e lirë të punës, tokën e pa kontaminuar, dhe një kërkesë në rritje të tregjeve europiane që do mundësonte eksport të prodhimeeve shqiptare.

Z. Sali Metani, ekspert dhe përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë mes institucionet shtetërore, përfshirë drejtoritë teknike. Duke patur parasysh se 60 % e legjislacionit të hartuar nga Komisioni Europian përqendrohet tek legjislacioni me elementë bujqësor, Z. Metani foli për rëndësinë që duhet kushtuar sektorit. Ai ngriti nevojën e rritjes së informacionit dhe ndërgjegjësimit për fermerët në lidhje më legjislacionin shqiptar dhe atë europian. Për këtë proces është me vlerë bashkëpunimi dinamik mes OJF-ve, institucioneve private dhe drejtorive teknike, pasi mungon përgatitja e disiplinës teknike. Për të pasur një bashkëpunim më të mirë edhe me Këshillin e Agro-Biznesit Shqiptar (KASH) dhe organeve të tjera z. Metani paraqiti si zgjidhje ngritjen e një platforme elektronike të dhënash ku të renditen kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian.

Eksperti i Grupit të Punës z. Florian Xhafa, trajtoi tematikën e sesionit III duke e analizuar në tre aspekte kryesore: 1. aspekti i politikave 2. aspekti ligjor dhe 3. aspekti institucional. Në aspektin e politikave të ndërmarra sipas z. Xhafa ka zhvillime në fushën e bujqësisë, por siç e pasqyruar dhe në dokumentin strategjik në një seksion të veçantë të prodhimit organik, ka një mangësi të dukshme të statistikave. Statistikat e fundit të pasqyruara në dokument janë të vitit 2012 dhe nuk japin një pamje të qartë të gjendjes aktuale dhe potencialit të saj duke vështirësuar hartimin e politikave. Problematikë tjetër është mbështetja e ulët ekonomike e cila shtrohet si detyrë e qeverisë për të ngritur struktura me qëllim menaxhimin e programit dhe hartimit të politikave dhe krijimin e masave specifike. Nga ana tjetër BE ndryshe nga Shqipëria ofron fonde specifike bazuar në gjashtë prioritete që mund të zhvillohen edhe nga qeveria shqiptare të renditura më poshtë. 1. Pagesa e drejtpërdrejtë për një fermë të vetme 2. Peshkimi dhe akuakultura 3.Kërkimi dhe inovacioni 4. Skemat e fermave organike 5. Skemat për ngritjen dhe mbështetjen e shoqatave të prodhuesve organikë 6. Njohja e skemave të prodhimit organik . Sipas ekspertit të grupit të punës sa i takon anës ligjore, mbetet sfidë për prodhuesit shqiptarë çertifikimi i prodhimit organik dhe mbrojtja e etiketës së prodhimeve në tregun vendas. Në aspektin institucional, Z. Xhafa evidentoi mungesën e specialistëve dhe stafit përgjegjës për produktet bio, konvencionale dhe të integruara. Detyrat kryesore sipas z. Xhafa janë mbikëqyrja e tregut, mbrojtja e prodhimeve BIO, qartësimi i konsumatorit dhe rritja e kapacitete për hartimin e politikave dhe zbatimin e tyre.
Takimi u shoqërua me diskutime dhe debate mes ekspertëve të grupit të punës, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe autoriteteve shtetërore.

Për më shumë informacione mbi Konventën për Integrimin Europian dhe rekomandimet e Kapitulljve 11&12 (Bujqësia) ndiqni linkun: Konventa për Integrimin Europian- Kapitulli 11&12 (Bujqësia)