AIEN – Moduli VIII: “Shoqëria e Informacionit dhe Kërkimi Shkencor”, 2-3 shkurt 2018

Në kuadër të Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), ditën e premte dhe të shtunë, në datat 2-3 shkurt 2018 u zhvillua Moduli VIII: “Shoqëria e Informacionit dhe Media” si dhe “Shkenca dhe Kërkimi Shkencor”, me fokus Kapitullin 10 dhe 25 të procesit të negociatave BE-Shqipëri.

Dita e parë e Modulit VIII nisi me një prezantim të shkurtër nga z. Geron Kamberi, Koordinator Akademik i AIEN dhe Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Sesioni i parë dhe i dytë u prezantuan nga Prof. Melita Kovačević, Eksperte Europiane e Studimeve të Larta Akademike, pjesë e Bordit Këshillimor të Platformës Rajonale për Bashkëpunimin Vlerësues në Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor. Gjatë sesionit 1 ajo prezantoi një hyrje mbi Shoqërinë dhe Kërkimin Shkencor ku temat kryesore që u trajtuan ishin rëndësia e hulumtimit, inovacioni, zhvillimi social, kapaciteti i hulumtimit si dhe Perspektiva e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Fillimisht Prof. Kovačević na paraqet me disa të dhëna statistikore se sa përqind e PBB e secilit nga vendet Ballkanit ka shpenzuar në fushën e Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit e kryesisht vihet re se vlerat janë tejet të ulëta dhe variojnë nga 0.1% në Kosovë deri në 2.38% në Slloveni. Më pas trajtohet tema e globalizimit e cila prek të gjitha proceset dhe aktivitetet e njeriut dhe kjo duhet te shërbejë si nxitës për të zhvilluar rolin strategjik të universiteteve në kërkimin shkencor. Panorama e madhe na lejon të kuptojmë se Globalizimi i cili na drejton drejt reformimit të universiteteve, të cilat gjithashtu luajnë një rol kyç në rritjen e ekonomisë. Rolet kryesore të universiteteve moderne pritet të jenë studimet akademike, kërkimi shkencor e zhvillimi dhe idetë inovatore e teknologjia.

Në sesionin 2, Prof. Kovačević diskutoi për: mundësitë për të kontribuar në Zonën Kërkimore Europiane (ERA) dhe mbi Fushën e Studimeve të Larta Akademike në Europë (EHEA), për lëvizshmërinë e kërkuesve, ndërkombëtarizimi i kërkimit shkencor, perspektiva rajonale dhe Bashkimi Europian. Një theks i veçantë i vihet rolit të kërkimit shkencor që është zhvillimi dhe rritja ekonomike nga e cila derivojnë mundësi të reja punësimi, inovacioni dhe zhvillimi i shoqërisë në përgjithësi.

Në sesionin 3 z. Geron Kamberi trajtoi kapitullin 10 dhe 25 bazuar në kontekstin shqiptar, rekomandimet e Bashkimit Europian dhe sfidat që kemi në të ardhmen. Kapitulli 10 përfshin tre fusha: 1-Komunikimin elektronik, 2-Shërbimet e shoqërisë së informacionit dhe 3-Politika audiovizuale. Ai u shpreh se negociatat për Kapitullin 10 nënkuptojnë: një harmonizim të legjislacionit dhe arritje standardesh me vendet e tjera anëtare për mënjanimin e pengesave drejt një tregu shërbimesh të shoqërisë së informacionit, përkrahjen e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorit në këtë sektor, si dhe zgjerimin e mundësive për qasjen ndaj shërbimeve më moderne on line, shërbimet audiovizuale, liria dhe pluralizmi i medias.

Në sesionin 4 që u trajtua sërish nga z. Kamberi u diskutua për informacione praktike, për programet e Shqipërisë me BE-në, në instrumentet financiare mbi kërkimin shkencor dhe zhvillimin. Diskutimi vijoi fillimisht me shpjegimin e Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit e cila me anë të Ligjit 132/2014 të Republikës së Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen me Komisionin Europian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin kuadër “Horizon 2020–programi për kërkim dhe inovacion”. Me anë të kësaj marrëveshje, Shqipëria zyrtarisht është anëtar i asociuar në këtë program europian. Kjo nënkupton se Shqipëria do të marrë pjesë në aktivitetet e Programit në përputhje me objektivat, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në Program, termat dhe kushtet e përcaktuara në këtë Marrëveshje dhe anekset e saj.

Në sesionin 5 i cili u drejtua nga z. Besar Likmeta nga BIRN Albania u diskutua kryesisht për rëndësinë e gazetarisë investigative, përforcimin e mekanizmave të llogaridhënies së medias. Gjithashtu z. Likmeta përmendi disa nga tregimet më të mira hulumtuese që mbulojnë një gamë të gjerë aspektesh, nga keqpërdorimi i pushtetit drejt padrejtësive shoqërore në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri.

Sesioni i fundit ishte një përmbledhje informative e Sesionit Përgatitor para Modulit Përfundimtar ku u pasqyrua draft Axhenda  dhe pjesëmarrësit dhanë idetë dhe sugjerimet e tyre.

Informacion më të detajuar mbi Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN)  gjeni në: www.aien.al