Aktivitet Informues : Projekti T.A.K.E Part

Në takimin informues të mbajtur më datë 18 mars 2019, mes European Movement in Albania (EMA) e të rinjve të përzgjedhur për aktivitetin që do të zhvillohet në Napoli në kuadër të projektit TAKE Part, të Programit Erasmus +, në datat 10-15 qershor 2019, pati prezantime mbi i) organizatën dërguese EMA-n, punën e saj me të rinjtë ndër vite dhe mundësi të tjera angazhimi gjatë periudhës prill-qershor 2019 ii) përshtypje dhe këshilla nga pjesëmarrësit e vjetshëm në shkëmbimin rinor në Napoli iii) informacion për programin e aktivitetit dhe detaje të tjera

Fillimisht Mona Xhexhaj, Drejtore Programi e EMA-s bëri një prezantim të shkurtër të Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), duke u fokusuar në punën dhe projektet rinore. Duke njohur rolin dhe potencialin e të rinjve, organizata i kushton një vëmendje të veçantë iniciativave që synojnë fuqizimin e të rinjve. EMA tashmë ka krijuar një traditë në zbatimin e projekteve përmes të cilave promovohet demokracia pjesëmarrëse dhe roli i të rinjve në këtë drejtim.

Në vijim pati një prezantim të të rinjve pjesëmarrës në takim. Nga 150 aplikime, janë përzgjedhur 25, ndër këta 16 vajza dhe 9 djem dhe mosha mesatare e grupit është 24 vjeç. Të rinjtë vijnë nga fusha studimi apo marrëdhënie pune në Drejtësi, Shkenca Politike e Sociale si dhe Inxhinieri Informatike e Ndërtimi, me qëllimin e një grupi të përzierë, ku secili të ketë mundësi të shkëmbeje eksperienca të ndryshme. Kur ndanë pritshmëritë e tyre mbi aktivitetin, pjesëmarrësit u shprehën se presin:-Të marrin eksperienca dhe metoda për zhvillimin e demokracisë online në Shqipëri; krijimin e një platforme ndërkombëtare  online me qëllim vendimmarrjen rajonale lidhur me problematikat globale; Njohja e praktikave më të reja europiane lidhur me vendimmarrjen online; Dëshira për implementimin e platformave të reja në Shqipëri dhe aplikimi i tyre konkret; Nxjerrja në pah e ideve bashkëpunuese mes të rinjve. Në vijimësi, dy të ftuarit e takimit, Olta Qejvani dhe Resul Resulaj, si përfaqësues të grupit të vjetshëm në projektin Youth Committee for the Future 2018, të ngjashëm me atë që pritet të zhvillohet këtë vit në Napoli me Institute for the Future (Itali), ndanë eksperiencat e tyre me të rinjtë duke i stimuluar në angazhimin e plotë lidhur me projektin.

Resul Resulaj theksoi dy qasje mbi projektin si një mundësi e mirë për 1) Njohjen me politikat e Bashkimit Europian  dhe 2) Aktivizimin Rinor. Duke përmendur mbajtjen e ligjëratave nga ekspertë europianë dhe zyrtarë italianë, Simulimin e Parlamentit Europian, duke i bashkangjitur punën në grup, njohjen me individë të rinj dhe frymën e bashkëpunimit mes tyre, vizita në Napoli e Pompei, për Resulin përshkruhen  si elemente që përbëjnë një eksperiencë frytdhënëse.

E ftuara e dytë, Olta Qejvani, Pedagoge në Universitetin Aleksandër Mosiu, po ashtu pjesëmarrëse në projektin e 2018, theksoi dhe adresoi dy përfitime nga pjesëmarrja në projekte të tilla: 1) Krijimi i Network-ut dhe shkëmbimi i eksperiencave. 2) Ofrimi i një mundësie të mirë për tu rikthyer në Shqipëri me ide të reja aktuale. Gjatë fjalës Olta u mundua tu shpjegonte të rinjve rëndësinë në pjesëmarrjen e aktiviteteve të tilla duke e parë jo si vetëm një eksperiencë 1 javore, por dhe si një mundësi të mirë pikënisje për përfshirjen dhe network të mëtejshëm me organizatat e persona të tjerë që do jenë në kontakt.

Nirvana Deliu, Koordinatore e Projektit pranë EMA-s, solli informacione të detajuara: mbi Organizatën Italiane Institute for the Future dhe institucionet e tjera partner në Itali si: Komuna e Napolit dhe Qendra Europe Direct dhe Instituti Italian për Studime Filozofike në Napoli, të cilat do të jenë dhe institucione mikëpritëse për zhvillimin e aktiviteteve. Gjatë 4 ditëve aktivitetet janë parashikuar në dy formate: 1) Ligjërime nga ekspertë italianë dhe të huaj mbi e-democracy, metodat e suksesshme që janë përdorur, risitë dhe avantazhet që ato sjellin, por edhe sfidat që mund të kenë në gjithëpërfshirje apo në zbatim. Pjesa tjetër e aktiviteteve do të zhvillohen në formatin: 2) World Café ku aktorët kryesorë në diskutime dhe debate do të jenë të rinjtë. Pasditja për çdo ditë qëndrimi do t’i kushtohet ‘Zbulimit të Napolit’ (Discovering Napoli), ku të rinjtë do të kenë mundësi të eksplorojnë dhe të shijojnë qytetin. Në ditën e fundit të aktiviteteve është parashikuar përgatitja e YouthPass për secilin pjesëmarrës dhe nata ndërkulturore (që nënkupton që të rinjtë e dy vendeve prezantojnë vendin e tyre duke demonstruar dhe ushqimet karakteristike, vallet apo muzikën tradicionale, por dhe vendet më turistike apo dhe elemente të tjera.)Nirvana si përfundim prezantoi shkurtimisht temat që do të diskutohen si: E-democracy  dhe metodat e ndryshme dixhitale për të mundësuar pjesëmarrjen në politikëbërje, eksperiencat e përdorura nga bashkitë e ndryshme të të dyja vendeve apo dhe nga institucionet europiane si përdorimi i rrjeteve sociale (Socila Media: Facebook, Twitter, Instagram); krijimi platformave për konsultime online apo diskutime (e-consultations ose e-delibaration), peticione online (e-petitions), votimi online (e-voting) etj.