Aktiviteti Prezantues i Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN)

Lëvizja Europiane në Shqipëri me mbështetjen e Komisionit Europian në kuadër të programit Jean Monnet “Policy Debate with Academic World”, më datë 12 maj 2017 prezantoi Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), që do të zhvillojë Modulet e saj gjatë  periudhës maj 2017-shkurt 2018.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), mbajti fjalën hyrëse duke prezantuar Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), risitë që ajo do të sjellë, qëllimin, fokusin kryesor të negociatave dhe kapitujt kryesorë të procesit të integrimit. Ai gjithashtu theksoi që ky program synon të përfshijë si përfaqësues të administratës shtetërore në nivel lokal dhe qendror, ashtu edhe pjesëmarrës nga Shoqëria Civile, Media dhe Akademia, si dhe operatorët e biznesit. Një tjetër element për t’u përmendur është edhe fakti që midis rreth 60 pjesëmarrësve të përzgjedhur ka një kombinim jo vetëm të fushave të tyre të interesit, por edhe të eksperiencës, duke pasur kështu si persona me vite eksperiencë në fushat përkatëse, ashtu si dhe të të rinj që janë në vitet e para të angazhimit të tyre profesional. Akademia do të fokusohet në kapitujt më të rëndësishëm të Procesit të Negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë, dhe do të kombinojë kuadrin teorik me atë praktik të këtij procesi.

Av. Florian Xhafa, Ekspert për Integrimin Europian, prezantoi metodologjinë e AIEN sesi ajo mund të shërbejë për të arritur më të mirën e mundshme të procesit të Stabilizim Asociimit. Ky proces kërkon një shqyrtim legjislacioni dhe një njohje të situatës faktike, në mënyrë që këto ligje, të drejta dhe liri që do të miratohen dhe zbatohen, të kenë mundësi të ndryshojnë mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit si  te strukturat politike, shtetërore dhe në tërë popullatën. Përqasja e një profesionalizmi të përafërt me negocimin në standarde është me rëndësi të fillojë sa më shpejtë si një hallkë kryesore zhvillimi.

Doc. Fjoralba Caka, lektore pranë Fakultetit të Drejtësisë në UT dhe pjesë e Grupit të Punës së AIEN, u shpreh se negociatat për Integrimin Europian kanë nevojë për një strukturë e fortë, e pa ngritur ende, por që me anë të Akademisë ajo do të mund të paraprihet. Ky është një proces sa politik, aq edhe teknik sepse ka të bëjë me interesat strategjike të vendit dhe 35 kapitujt që përfshijnë infrastrukturën, arsimin, ekonominë, lëvizjen e lirë të mallrave, drejtësinë etj. AIEN nis me karakter ekonomik, për të qenë sa më larg ngërçit që krijon karakteri politik i negociatave. Gjithashtu ajo shprehu optimizmin për një bashkëpunim të suksesshëm mes partnerëve, mbështetësive dhe akademikëve vendas dhe të huaj që do të marrin pjesë si lektorë në modulet e ndryshme të AIEN. Prania e lektorëve me formim profesional në vende të BE-së, nga rajoni dhe me eksperienca të gjata në çështjet e negociatave janë një vlerë e shtuar për Akademinë.