Aktiviteti Prezantues në Durrës i Revistës Juridike Shqiptare, 30 mars 2018

Më 30 mars 2018 u zhvillua aktiviteti prezantues dhe diskutues mbi Revistën Juridike Shqiptare në ambientet e Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të stafit akademik ashtu edhe studentë dhe ekspertë juristë nga institucionet gjyqësore të qytetit të Durrësit. Nirvana Deliu nga EMA prezantoi shkurtimisht nismën dhe risitë që Revista Juridike Shqiptare sjellë, si një Revistë në të dyja gjuhët shqip dhe anglisht e ofruar vetëm në versionin online. Në ndryshim nga shumica e revistave të tjera, kontribuuesit dhe shkruesit nuk paguajnë dhe nuk kanë kosto shtesë, përkundrazi për t’i motivuar e për tí mbështetur në mënyrë që të përfshihen më shumë në këto iniciativa ata shpërblehen më një vlerë monetare simbolike.  Aktivitetin e përshëndeti dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike –Juridike, Prof. Asoc. z. Andon Kume i cili  ndër të tjera vlerësoi nisma të tilla si shumë të rëndësishme jo vetëm  për informimin e opinionit publik dhe krijimin e një hapësire debati dhe diskutimi mbi çështje më rëndësi në fushën juridike, por edhe për mundësitë për përfshirje dhe kontribute të pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë, që kanë elemente kyçe të formimit të tyre profesional dhe akademik publikimet dhe artikujt.  Z. Kume ndër të tjera motivoi dhe nxiti të pranishmit të bëhen pjesë e Revistës Juridike Shqiptare me kontributet e tyre.

Av. Holta Ymeri, Kryeredaktore e Revistës Juridike Shqiptare realizoi një prezantim të Revistës duke ofruar një panoramë të qartë se cilat janë shtyllat e revistës, kriteret për të dërguar artikuj, disa nga problematikat e hasura gjatë periudhës 1 vjeçare të revistës dhe risitë  që ajo ka sjellë si Blogu për Reformën në Drejtësi, përkthimi i artikullit në gjuhën angleze pa kosto shtesë për autorin/en nga përkthyes ligjorë të vetë Revistës, ofrimi i artikujve për lexim me akses të plotë etj. Av. Ymeri vuri theksin dhe tek rastet e plagjiaturës që sipas saj janë të shpeshta dhe ndonjëherë dhe të vështira për tu identifikuar. Gjithsesi ajo inkurajoi të pranishmit të bëhen pjesë e Revistës Juridike me artikuj dhe kontribute, pasi fushat dhe tematikat e trajtuara janë të prekshme për të gjithë dhe përbëjnë interes të veçantë, si artikujt në fushat e legjislacionit shqiptar, ashtu dhe në çështjet praktike dhe procedurat e ndryshme me interes për grupe të caktuara të shoqërisë si komuniteti i biznesit apo sipërmarrësve,  si dhe mbi procesin e integrimit europian dhe ndryshimet ligjore të vetë BE-së që në një mënyrë a tjetër ndikon edhe në kontekstin shqiptar.

Pas prezantimi të RJSH, dy prej katër autorëve të Numrit 5 të RJSH bënë një prezantim interesant të artikujve të tyre.

Av. Dr. Dorina Ndreka, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në Universitetin e Durrësit, kishte në fokus të punimit kompensimin civil të viktimave dhe praktikën gjyqësore shqiptare në lidhje me dëmshpërblimin civil gjatë procesit penal, ku në disa raste kompensimi civil është e vetmja mënyrë për të vendosur një person përpara përgjegjësisë për veprat penale, veçanërisht në rastin e të miturve. Av. Ndreka analizoi kështu Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri dhe nenet 58-68, që përcaktojnë mundësinë e paditësit civil të dëmtuar nga një vepër penale, për të marrë pjesë aktive në procesin penal, duke kërkuar kompensimin e dëmit civil të pësuar. Kjo sepse viktimat e veprës penale pësojnë humbje të ndryshme financiare të tilla si: faturat e spitaleve, humbja e kohës nga puna, çrregullimet mendore ose psikologjike, mallra të dëmtuara ose të vjedhura, shpenzimet e varrimit etj. Duke u bazuar në raste konkrete ajo vuri në pah dhe një problematikë siç është fakti që  shumica e padive civile për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga veprat penale bëhet në procese gjyqësore të ndara dhe sugjeroi mënyra të tjera më efektive për kompensimin civil të veprave penale.

Artikulli i Dr. Klodiana Beshku, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës trajton rolin normativ të Bashkimit Europian në shpërbërjen e ish- Jugosllavisë, në një kohë që sot pesë vendet e Ballkanit Perëndimor po i afrohen gjithnjë e më shumë Europës ku shumë e konsiderojnë të ardhmen e Ballkanit në Europë. Gjatë diskutimit të saj Dr. Beshku solli idenë e saj  që pavarësisht mangësive të Bashkimit Europian për të parandaluar shpërthimin e urrejtjes etnike në territorin e ish-Jugosllavisë, nuk mund të mohohet kontributi i Komunitetit Europian në drejtime të tjera më pak të eksploruara. Me qasjen për të vlerësuar dhe trajtuar “atë që është bërë” dhe jo atë që “nuk është bërë”, Dr. Beshku mbron dy argumente pak të eksploruara: që Bashkimi Europian u soll si një fuqi e butë (soft power) duke marrë pjesë në konflikt si një negociator i besueshëm dhe si një fuqi rregullatore in primis duke dhënë kontribut në nivel ndërkombëtar në ndryshimin e koncepteve “popull” dhe “entitet” me anë të normave të prodhuara gjatë viteve 1990-1993.

Informacion më të detajuar mbi Revistën Juridike Shqiptare gjeni në: www.lawjournal.al