Diskutim i Hapur: Mundësitë për Financim të Shkencës dhe Inovacionit në kuadër të Programeve të BE-së

Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave, në bashkëpunim me Ambasadën e Holandës në Shqipëri, më datën 5 qershor 2018 organizuan diskutimin e hapur mbi kapacitetet përthithëse të institucioneve shqiptare të fondeve të BE-së në kuadër të kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Znj. Mona Xhexhaj, Drejtorja e Programit të EMA-s në fjalën e saj hapëse vuri theksin në rëndësinë që kanë këto programe dhe mundësitë e financimit të tyre për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, duke vendosur theksin te rritja e aftësive përthithëse të institucioneve dhe organizatave shqiptare. Fokusi i këtij aktivitetit theksoi ajo, është mundësitë për financime dhe mbështetje në fushën e shkencës dhe inovacionit në kuadër të programeve europiane dhe mbështetjes së BE. Kjo temë erdhi si një propozim i rrjetit të AIEN, dhe përfaqësuesve nga universitetet, think-tanket, qendrat e kërkimit të cilët bazuar dhe në eksperiencën e tyre në fushën e kërkimit shkencor e vlerësojnë si mjaft problematike dhe sfiduese procesin e aplikimit dhe përthithjes së fondeve të tilla. Mbështetur në të dhëna të besueshme, znj. Xhexhaj nënvizoi dhe vlerën mjaft të ulët që zë në PBB e Shqipërisë, zëri i shpenzimeve për kërkimin dhe zhvillimin, në vetëm 0.35% e PBB. Në fund të 2017, tha ajo, numri i aplikimeve nga Shqipëria gjithsesi është rritur në 249 nga 146 që kanë qenë në 2016, por është niveli i suksesit të tyre që mbetet i ulët (7.9% për programin Horizon 2020).

Ishte ambasadorja e Holandës në Shqipëri, znj. Dewi van de Weerd ajo që përshëndeti këtë forum dhe gjatë fjalës së saj vendosi theksin te grantet e kërkimit shkencor dhe rëndësisë së tyre. Në fjalën e saj ajo deklaroi se shtetet kanë përqasje të ndryshme ndaj fondeve të kërkimit shkencor, por e rëndësishme është që të rriten kërkesat për financim të projekteve, në nivel kombëtar e europian. Thithja e granteve të huaja rrit bashkëpunimin ndërmjet vendeve, si dhe shërben për të shkëmbyer eksperiencat si dhe idetë ndërmjet partnerëve.

E ftuar ishte znj. Marjan Kreijn, Drejtore e Menaxhimit të Projekteve në Universitetin e TU Delf, ku udhëheq një skuadër prej 30 menaxherësh projektesh. Ajo foli për rëndësinë e programeve të BE-së me fokus kryesor Horizon 2020 dhe rolin e tij në kërkimin shkencor, drejt qëllimit për të bërë Europën më konkurruese. Ajo theksoi se aplikimi për grantet dhe financim duhet që të jetë më tepër në nivel institucional sesa në atë individual, pasi në këtë mënyrë dhe mundësia për të përfituar grantin do të ishte më e lartë. Gjithashtu fokusi duhet që t’i jepet projekteve që kanë një bashkëpunim të lartë ndërmjet organizatave, universiteteve apo partnerëve të tjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Formimi i konsorciumeve është një hap tepër i rëndësishëm dhe vendosja e krijimit të kontakteve me partnerët e tjerë është përcaktues në fazat e planifikimit të propozimeve për projekte.

Një diskutim u  zhvillua në këtë aktivitet me pjesëmarrësit, më së shumti kërkues të rinj, pedagogë dhe përfaqësues të universiteteve në Shqipëri. Pyetjet kishin në fokus vendosjen e kontakteve apo tematikave me interes që mund të kishin mundësi më të lartë për t’u pranuar nga ana e programit Horizon 2020 dhe programeve të tjera të financuara nga Bashkimi Europian. Sipas znj. Kreijn projekti dhe propozimi duhet që të zhvillohet shpejt dhe të perceptohet në mënyrë të tillë që t’i shërbejë interesit publik në tema të ndjeshme si sfidat e shoqërisë, siguria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, zhvillimet teknologjike, etj. Gjithashtu ajo vendosi theksin në rolin që ka koordinatori kombëtar në shpërndarjen e informacioneve për thirrjet mbi projekt-propozimet si dhe për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e programeve të tilla. Gjithashtu një pyetje mjaft interesante ishte dhe mbi pjesëmarrjen e vendeve të Europës Juglindore dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në këto projekte dhe suksesin e tyre në përfitimin e granteve. Znj. Kreijn tregoi se programi Horizon nuk është një program bamirësie por një program shkencor, i bazuar në merita dhe gjithëpërfshirës, dhe nëse vendet e Ballkanit Perëndimor do të propozonin tema me interes për Europën, kjo do të përbënte vlerë të shtuar.

Në fjalën përmbyllëse u ritheksua dhe njëherë nevoja e bashkëpunimit për të formuar rrjete bashkëpunimi të suksesshme. Gjurmimi i fondeve dhe organizatave partnere është i domosdoshëm për t’i paraprirë thirrjeve për propozime të projekteve. Aplikimi dhe thithja e projekteve shërben edhe për të marrë praktikat më të mira nga vendet e treta si dhe për të shërbyer si eksperienca, në mënyrë që Europa të bëhet më konkurruese në fushën e kërkimit shkencor dhe jo vetëm.