Dita e Europës 2019 – Forum Rinor : Zgjedhjet e Parlamentit Europian – Ndikimi i tyre në BE dhe të ardhmen e Shqipërisë, 28 maj 2019

Më 28 maj 2019, në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, u organizua Forumi Rinor me temën: “Zgjedhjet e BE-së: Ndikimi i tyre në BE dhe në të ardhmen e Shqipërisë” në kuadër të projektit “Dita e Europës 2019”, të cilin Lëvizja Europiane në Shqipëri po e zbaton me mbështetjen e Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare dhe Komisionit Europian në kuadër të Programit “Europa për Qytetarët”.

Një takim paraprak u mbajt mes përfaqësuesve të EMA-s dhe Dekanit të Fakultetit Juridik dhe të Shkencave Politike , Prof. Asoc. Dr. Andon Kume. Z. Kume shprehu dëshirën e tij për të bashkëpunuar edhe në të tjera aktivitete të ngjashme që kanë në fokus të rinjtë dhe në tema që përfshijnë Bashkimin Europian, integrimin e vendit në BE ose zhvillimet e ndryshme që ndikojnë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Znj. Nirvana Deliu, Koordinatore e Projektit “Dita e Europës 2019”, Lëvizja Europiane në Shqipëri falenderoi përfaqësuesit nga universiteti që mundësuan realizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar nevojën e diskutimit me studentët dhe profesionistët e rinj për këto çështje, jo vetëm me qëllim ofrimin e informacionit se cilat janë zhvillimet kryesore në BE, por edhe për nxitur të menduarin kritik dhe përfshirjen e tyre në dhënien e opinioneve dhe analizave.

Pas saj, znj. Olta Qejvani, Pedagoge e e së Drejtës së Bashkimit Europian në UAMD, bëri një prezantim të shkurtër pjesëmarrësve për institucionet e Bashkimit Europian dhe sesi realizohet procedura e votimit në Parlamentin Europian. Ajo shkurtimisht prezantoi grupet parlamentare kryesore që ishin në garë në këto zgjedhje dhe cilët janë skenarët e mundshëm në bazë të rezultateve të votimit në 28 vendet e BE-së.

Dr. Klodiana Beshku, Pedagoge dhe eksperte e Gjeopolitikës dhe BE, prezantoi në detaje sesi shkoi procesi i zgjedhjeve në BE, cilat ishin parashikimet dhe vlerësimet e rezultateve dhe se çfarë do ndodhë tani që procesi i votimit përfundoi. Duke përdorur një qasje sociale dhe teorike, ajo analizoi pse qytetarët e BE-së votuan në këtë mënyrë duke përmendur ndikimin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Duke krahasuar zgjedhjet e tanishme me ato të mëparshme katër vite më parë, znj. Beshku analizoi ndryshimet mes tyre. Duke pasur një qasje më pozitive ajo argumentoi, që edhe pse ekziston frika e po përflitet për një
rritje të populizmit apo ekstremizmit të cilat mund të vënë në rrezik BE-në, akoma ky rrezik në të vërtetë nuk është real dhe projekti Europian do të vazhdojë përpara pa u cenuar.

Pas prezantimit së znj. Beshku, u zhvillua një diskutim me studentë dhe ligjërues të Universitetit, duke pasur në qendër një pikë të rëndësishme si pyetja se si mund të lexohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e Shqipërisë drejt BE-së?