Dita e Europës 2019 – Modeli Simulues i Institucioneve të BE-së 2019

Për të pestin vit radhazi Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) organizoi Modelin Simulues të Institucioneve të Bashkimit Europian (EUIS) 2019 në Shqipëri. Ky simulim u organizua me mbështetjen e Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare në kuadërtë programit “Europa për Qytetarët”.
Sesioni i trajnimit i pjesëmarrësve të Simulimit të Institucioneve të BE-së u mbajt më 31 maj 2019 në Europe House.
Znj. Mona Xhexhaj Drejtore Programi e EMA-s, gjatë prezantimit të organizatës shpjegoi se EMA ka si synim kryesor përfshirjen dhe ofrimin e mundësive të tilla për të rinjtë, në mënyrë që ata të mësojnë dhe të rrisin kapacitetet dhe aftësitë e tyre.
Më pas, znj. Olta Qejvani, Lektore në Fakultetin e Shkencave Juridike dhe Politike, Universiteti i Durrësit, e cila i është bashkuar ekipit të trajnuesve të EMA-s për herë të parë këtë vit, bëri një prezantim të institucioneve të BE-së : Komisioni Europian, Parlamenti dhe Këshilli i Bashkimit Europian duke vënë në dukje dallimet kryesore midis rolit dhe peshës së këtyre institucioneve. Ajo shpjegoi gjithashtu procesin e vendimmarrjes brenda BE-së. Duke angazhuar të rinjtë në grupe pune të ndryshme dhe lojëra energjike, Znj. Qejvani theksoi nevojën jo vetëm për ta njohur këtë proces në teori, por mbi të gjitha pjesëmarrësit që të përfshihen në këtë procedurë në një mënyrë sa më praktike.
Tema e zgjedhur për simulimin e këtij viti ishte Direktiva (BE) 2019 / 790- “Për të drejtën e autorit në tregun e përbashkët dixhital”, e cila u prezantua nga z. Embro Ahmetaj, Lektor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, i cili ishte gjithashtu trajner gjatë ketij simulimi. Z. Ahmetaj përfundoi prezantimin e tij duke ofruar informacione të përgjithshme për atë se çfarë do të diskutohet në ditën e simulimit, ndërsa dha raste interesante dhe skenarë që do të ndikohen nga kjo Direktivë.
Prezantimet u përfunduan nga z. Albi Çela, pjesëmarrës i MEU Strasburg 2017, dhe trajner i EUIS në Tiranë, i cili shpjegoi shkurtimisht rregullat, procedurat dhe disa këshilla për tu përgatitur për simulimin, duke sqaruar rolin që secili pjesëmarrës do të kishte në institucionin që ishin zgjedhur për të përfaqësuar.
Pjesëmarrësit gjithashtu patën mundësinë të mbajnë një mbledhje me grupin parlamentar ku, sipas ndarjeve në grupet politike përkatëse, emëruan udhëheqësin e grupit parlamentar dhe sekretarin e grupit parlamentar dhe më në fund Këshilli i Ministrave u takua për të zgjedhur Presidentin e Këshillit dhe Zëvendësin e tij. Diskutimi i hapur dhe sesioni i pyetjeve-përgjgije ofroi mundësinë që të sqarohej dhe t’i jepej shpjegim çdo paqartësie lidhur me rolet dhe detyrat e secilit, ndërkohë që pjesëmarrësit kishin më shumë se 10 ditë kohë për t’u përgatitur për rolin e tyre dhe për të mbledhur informacionin e nevojshëm për temën e përzgjedhur.
***
Simulimi i Institucioneve të BE u zhvillua më 10 qershor 2019, ku 40 studentë u “veshën” si euro-deputetë, komisionerë dhe ministra të BE. Ata gjatë gjithë ditës diskutuan dhe votuan “Direktivën 2019/790 / BE lidhur me të drejtën e autorit në tregun e përbashkët dixhital”. Përfaqësueset e Komisionit Europian, znj. Lorenca Bejko dhe znj. Anxhela Mustafai prezantuan Direktivën tek anëtarët e Parlamentit Europian duke argumentuar mbi rëndësinë e kësaj direktive dhe i bënë thirrje Parlamentit dhe Këshillit për ta miratuar atë. Më pas ishte radha e grupeve politike parlamentare për të dhënë mendimet e tyre mbi Direktivën e propozuar. .Diskutimi që u mbajt kryesisht në nivele teknike dhe ligjore, ndonjëherë ndizej nga refuzimet dhe kundërshtimet e disa deputeteve të ekstremit të djathtë si deputetja znj. Vesiana Bode, ose deputetët jo të bashkangjitur si z. Maringlen Kurtaj. Për mos respektimin e rregullores dhe shqetësimin e anëtarëve të tjerë, Presidenca e Parlamentit Europian, përfaqësuar nga znj. Suada Dida si Presidente dhe znj. Silvana Rusi, si Zëvendës Presidente u detyruan të pezullonin përkohësisht diskutimin dhe ti kërkonin deputetëve në fjalë që të largohen nga dhoma për disa minuta. Edhe pse pati debate, slogane dhe reagime kundërshtuese nga ana e disa anëtarëve, Parlamenti megjithatë arriti të miratojë me sukses direktivën pas amendamenteve të saj.
Diskutimi nga Këshilli i Bashkimit Europian ishte konstruktiv, dhe kundërshtimet erdhën vetëm nga dy shtete, si të vetmit që e perceptonin se kjo Direktivë do t’i prekte ata në mënyrë negative. Ministrat dhanë argumentet e tyre nëse miratimi i kësaj direktive është në interes të vendeve të tyre dhe BE-së. U dallua në argumente Ministrja e Polonisë, Eleonora Topalli e cila u përzgjodh dhe si Performanca më e mirë e Këshillit të BE-së. Në përfundim, Direktiva u votua nga shumica e Ministrave të Shteteve Anëtare. Në fund të simulimit për të tre institucionet relevante të BE-së u shpallën fituesit dhe u shpërndanë certifikata për të gjithë pjesëmarrësit, duke përmendur edhe studentët të cilët ofruan performancat më të mira si Vesiana Bode, Ismail Thaçi, Armino Halla, Megi Balla apo Ervin Ymeraj
Aktiviteti i simulimit rezultoi shumë i suksesshëm, pasi studentët ishin plotësisht të përkushtuar ndaj roleve të tyre, prezantimeve që dolën gjatë diskutimeve dhe votimit, si dhe në përfaqësimin realist si zyrtarë të institucioneve të BE-së. Në fund të simulimit, pjesëmarrësit u qartësuan lidhur me funksionet dhe rëndësinë e secilit prej institucioneve të Bashkimit Europian duke u përballur me vështirësitë e negociatave dhe votimit. Aktiviteti nxiti të menduarit kritik, artin e të komunikuarit dhe negociuarit me individë që kanë mendime dhe pikëpamje të ndryshme si dhe të folurin dhe prezantimin publik.