Dixhitalizimi si mjet për forcimin e demokracisë- Analiza SWOT

Në datën 5 qershor 2019 u zhvillua takimi informues në Tiranë, mes Lwvizjes Europiane në Shqipëri (EMA) dhe 25 të rinjve të përzgjedhur për seminarin e parë në kuadër të projektit të Programit Erasmus + (KA3 Action) në bashkëpunim me Institute for the Future (Itali) në datat 10-15 Qershor 2019.

Tema e këtij aktiviteti ishte “Dixhitalizimi si mjet për forcimin e demokracisë” dhe se si të përdorim analizën SWOT në vlerësimin e demokracisë elektronike në institute dhe shtete specifike.

Nirvana Deliu, Koordinatore e projektit T.A.K.E Part for Albania, bëri një përshkrim të shkurtër të projektit dhe tematikës së tij.  Ajo ofroi informacione të detajuara dhe disa nga qasjet kryesore për sa i përket dixhitalizimit, metodave të ndryshme të dixhitalizimit dhe përdorimin e analizës SWOT për të vlerësuar këto të fundit. Duke qenë se jo të gjithë pjesëmarrësit ishin të familjarizuar me analizën SWOT, Nirvana shpjegoi shkurtimisht se në çfarë konsiston kjo analizë (S- Pikat e forta, W-Pikat e dobëta, O-Mundësitë, T- Rreziqet) dhe se si përdoret zakonisht në vlerësimin e veprimeve, politikave të ndryshme si në fushën sociale ashtu dhe në atë  ekonomike.

Ina Begotarja, një nga pjesëmarrëset e seminarit të qershorit dha një shembull praktik se si mund të përdoret SWOT duke marrë në analizë bashkinë e Tiranës që është dhe institucioni ku ajo punon. Duke përmendur mjete të ndryshme elektronike që përdoren në ambientin e saj të punës, për përfshirjen dhe informimin e qytetarëve, falë analizës SWOT, ajo ishte në gjendje të analizonte të katërt elementët në rastin konkret të bashkisë, duke vendosur theksin dhe në të ardhmen e demokracisë dixhitale dhe mjeteve që mund të përdoren për ta aksesuar në  Shqipëri.

Në vazhdimësi pjesëmarrësit diskutuan rreth temës dhe ndanë detyrat për prezantimin në Power Point mbi analizën SWOT dhe vlerësimin e demokracisë dixhitale në nivel lokal në Shqipëri. Ata shkëmbyen idetë e tyre se cilat mund të jenë mjetet që mund të përdoren për të krijuar demokracinë dixhitale dhe pjesëmarrjen elektronike të qytetarëve në vendimmarrje dhe se si këto mjete mund të ndihmojnë për të rritur transparencën e institucioneve.