EEPOW: Takim diskutues mbi Dërgimin me shërbim të punonjësve: Kuadri rregullator ligjor dhe ndikimet sociale

Më 26 qershor në Tiranë u zhvillua takimi diskutues mbi Direktivën 96/71/KE mbi “Dërgimin me Shërbim të Punonjësve”. Takimi synonte të diskutonte shkallën e përafrimit të Direktivës në legjislacionin kombëtar të punës, praktika të aplikimit të direktivës nga bizneset, kapacitetin e institucioneve për ta mbikëqyrur lëvizshmërinë për arsye punësimi e punës që zhvillohet në përputhje me këtë direktivë dhe ndikimin e pritshëm të direktivës në tregun e punës dhe çështje të punësimit të denjë dhe barazisë sociale.

Aktiviteti u organizua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me Qendrën Europiane për Politikat dhe Studim të Mirëqenies Sociale në Austri, si dhe Qendrën Kërkimore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Slloveni në kuadër të projektit EEPOW mbi Dërgimin me Shërbim të Punonjësve në Europën Lindore. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, z. Gledis Gjipali theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të drejtave të punonjësve dhe roli i aktorëve të përfshirë në proces, duke renditur këtu institucionet publike, biznesin, lëvizjet sindikale, kërkuesit shkencorë etj.

Takimin e përshëndeti znj. Silvana Banushi, Drejtoreshë e Përgjithshme për Politikat e Punësimit dhe Aftësimit Profesional pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë,  e cila ndau me pjesëmarrësit procesin e diskutimit të direktivës në momentin e rishikimit të legjislacionit të punës dhe faktorët që sollën adoptimin e direktivës në legjislacionin kombëtar. Në fjalën e saj ajo u ndal në përpjekjet e institucioneve për të ndjekur zbatueshmërinë e direktivës si dhe për përpjekjet për ta përfshirë direktivën në axhendën e aktivitete të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2018.

Koordinatorja e projektit EEPOW për Qendrën Europiane për Politikat dhe Studim e Mirëqenie Sociale në Austri, znj. Sonila Danaj në fjalën e saj u ndal në prezantimin e direktivës 96/71 si dhe mbi efektet e zbatimit të saj. Raste të zbatimit të direktivës me ndikim në tregun e punës, raste të damping-ut social, raste të cenimit të të drejtave të barabarta të punonjësve të dërguar me shërbim u prezantuan si raste studimore me mesazhe për bizneset, sindikatat dhe institucionet. Edhe pse qëllimi i Direktivës është rregullimi i lëvizjes së punonjësve brenda BE-së, progresi i integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor ka nxitur shkëmbimet ekonomike dhe lëvizjen e krahut të punës, duke rritur numrin e punonjësve që dërgohen me shërbim. Shpërndarja e punonjësve të dërguar me shërbim sipas statistikave europiane, të prezantuara nga znj. Danaj tregoi se janë sektorët e ndërtimit dhe bujqësisë ata sektorë që kanë tërhequr më shumë punonjës, kjo dhe për shkak të karakterit të tyre të përkohshëm. Në Europë edhe pse numri i personave që dërgohen me shërbim nuk është shumë i madh (0.4% ose 2 milion njerëz), ata kanë një ndikim të rëndësishëm në vendet ku ata priten apo dërgohen me shërbim. Gjermania është një nga shtetet që ka numrin më të madh të personave të dërguar me shërbim në këtë vend, ndërsa Gjermania, Polonia dhe Sllovenia mbajnë numrin më të madh të personave që dërgojnë me shërbim.

Përgjatë 22 viteve zbatim të Direktivës, vendet dërguese dhe ato pritëse kanë hasur probleme në lidhje me zbatimin e skemave të mbrojtjes sociale, si p.sh. mbulimin e sigurimeve shoqërore, mbulimin e kostove dhe dëmeve në raste aksidenti në punë etj.  Znj. Danaj referoi se në praktikë shpeshherë punëtorët e dërguar me shërbim ekspozohen ndaj punëve të vështira apo të rrezikshme. Ata ngelen jashtë vëmendjes dhe mbrojtjes së sindikatave, për shkak të hezitimit apo vështirësisë për të krijuar një marrëdhënie me to gjatë periudhës së dërgimit me shërbim. Raste si Laval Unporteri LTD, Viking, Ruffert, Consumer Louxemburg etj. u trajtuan gjatë prezantimit dhe tërhoqën vëmendjen e inspektoratit të punës, dhe autoriteteve sindikale. Krijimi i Autoritetit Europian të Punës si dhe propozimi për disa ndryshime në direktivën të propozuar në maj të vitit 2018 do të sjellin ndryshimet ligjore të domosdoshme për të mbrojtur të drejtat e punonjësve të dërguar me shërbim.

Ekspertja për Shqipërinë e hulumtimit dhe raportit,  znj. Mimoza Agolli shpjegoi procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me këtë direktivë. Ajo u ndal në ndjeshmërinë politike dhe ekonomike të kësaj direktive, si dhe në ndërgjegjësimin e nevojshëm për të ndërmarrë masat e duhura për tu përballur me efektet e direktivës në një të ardhme të afërt. Znj. Agolli theksoi asimetrinë që për momentin krijon adoptimi i direktivës, duke e bërë më të lehtë pritjen e punonjësve të dërguar me shërbim në krahasim me dërgimin. Kjo asimetri e ka bërë më të vështire, por jo të pamundur dërgimin e punonjësve nga kompanitë multinacionale me kontrata punësimi në degët europiane të kompanisë. Bizneset në intervistat e tyre e kanë trajtuar mundësinë për të çuar punonjës me shërbim sipas direktivës si mënyrën me efektive të transferimit të kapaciteteve dhe know-how nga kompanitë europiane në kompanitë vendase, duke përmirësuar praktikat e biznesit. Dërgimi me shërbim i punonjësve në sektorët ekonomikë që bazohen në krahun e pakualifikuar të punës është akoma i pa identifikuar drejt vendeve të BE-së. Ka tendenca që direktiva të lehtësojë dërgimin e punonjësve me shërbim në vende të treta.

Pas prezantimit të aspekteve kryesore të Direktivës, takimi u fokusua në diskutimin e katër çështjeve me shumë rëndësi: implikimet ligjore dhe politike për tregun e punës (Kodi i Punës) dhe e drejta sociale; shkëmbimi i informacionit institucional/organizativ; tregu i punës dhe aftësitë për punësim; shëndeti dhe siguria në punë. Tema paraqet interes për nga ana praktike e trajtimit të rasteve dhe shkëmbimi i eksperiencave me vendet e BE-së. Ky diskutim është mjaft i vlefshëm  për bizneset dhe institucionet publike.

                                                                         Përfaqësuesit e Inspektoratit të Punës sollën disa nga rastet që kanë hasur në punën e përditshme mbi trajtimin e marrëdhënieve të punës me persona të nënshtetësisë së huaj të punësuar në Shqipëri nën formatin e direktivës. Aktualisht, raportohen 80 raste të tilla, nga punëdhënësit. Punonjësit e huaj të dërguar me shërbim, punojnë kryesisht në Fier, Durrës dhe Tiranë, në sektorin e ndërtimit dhe aktivitete të lidhura me të. Vetë inspektorati nuk e monitoron këtë formë punësimi në mënyrë specifike, por e raporton si pjesë e statistikave të përgjithshme të punësimit të huaj. Mosevidentimi, ka sjellë vështirësi në kontrollin dhe inspektimin e këtyre rasteve në terren, sidomos në raport me çështje të sigurisë në punë dhe mbrojtjes sociale.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit ritheksuan edhe njëherë dobishmërinë e diskutimit, i pari në llojin e tij mbi Direktivën në fjalë dhe situatat që ajo rregullon, duke evidentuar edhe nevojën që ky aktivitet nxori në pah mbi sfidën e ardhshme që shtrohet për Shqipërinë lidhur me Direktivën: atë të detajimit të mëtejshëm me akte nënligjore që rregullojnë aspektet më specifike të marrëdhënies së punës me punonjësit e dërguar me shërbim.