EuroSpeak: Covid-19, arsimi online dhe shëndeti mendor, 14 janar 2021

Më datë 14 janar 2021 EuroSpeak organizoi Aktivitetin Informues me fokus ‘Covid-19, arsimi online dhe shëndeti mendor’. Ky është aktiviteti i parë i ciklit të aktiviteteve informuese që do mbahen gjatë periudhës janar – maj 2021. Këto aktivitete përfshijnë ekspertë, lektorë e gazetarë dhe kontribuojnë në të menduarin kritik mbi aspekte të ndryshme të Integrimit Europian, si edhe informimin mbi çështjet dhe temat më aktuale në këtë linjë.

Në aktivitetin e parë të EuroSpeak, të mbajtur online, diskutimi u fokusua në sfidat me të cilat vendi ynë, dhe i gjithë globi, u përball si pasojë e Covid-19. Izolimi me synim minimizimin e përhapjes së infeksionit në popullatë shkaktoi ndryshime rrënjësore në mënyrën e të jetuarit, qoftë edhe për një periudhë kohore të shkurtër, por me pasoja afatgjata. Ndër dimensionet më të prekura prej ndryshimeve është pikërisht ai i edukimit. Prej kohësh flitet dhe diskutohet rreth nevojës për reformim të sistemit arsimor, me Covid-19 problematikat u bënë më të thella dhe nevoja për ndërhyrje merr rëndësi të dorës së parë. Një tjetër pasojë që shkaktoi ‘tronditje’ në popullatë ishin dhe vetëvrasjet e kryera nga personat e infektuar. Ky ishte një fenomen jo i ri që shfaqej, por rritja e numrave të personave të vetvrarë krijoji frikë dhe ankth edhe te të painfektuarit. Ndryshimi i tablosë së ‘normalitetit’ sigurisht që solli dhe pasoja ekonomike të rënda, gjë për të cilën gjërësisht diskutohet, por ajo çka pak flitet janë kostot stratosferike të mos-investimit në këtë sektor.

Disa nga temat më me interes të këtij aktiviteti ishin të orientuara drejt mësimeve dhe praktikave të vlefshme që mund të nxirren nga kjo situatë; si teknologjia mund të kontribuojë efektivisht në krijimin e një ‘normaliteti të ri’ miks ‘on dhe offline’ në arsim; Si duhet trajtuar nga strukturat qeverisëse, dhe jo vetëm, fenomeni i problemeve të shëndetit mendor; Cilat janë kostot e investimit dhe mos-investimit në shëndetin mendor, etj. Folëse në këtë aktiviteti ishin: Aida Magjistari (Myrto), Lektore me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja; Belina Bedini, Lektore në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës dhe Dorentina Hysa, Lektore me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, UT. Të treja folëset kanë kontribuar me artikuj në revistën EuroSpeak.

Secila nga folëset u përqendrua në elementë të caktuar, ku në pjesën e parë Dr. Aida Magjistari u shpreh se e shikon pozitive për arsimin në Shqipëri mundësinë e shfrytëzimit të teknologjisë dhe se interneti duhet shfrytëzuar maksimalisht. Ajo u shpreh se duhet të ketë ndërgjegjësim sa i përket çështjes së internetit. Mësimi online në Shqipëri nuk është i mirëfilltë, por kjo duhet parë si një hapësirë për tu shfrytëzuar. Duhet ti kthejmë në të mirë të shkollës të gjitha aplikacionet që përdorim në telefon. Infrastruktura për të realizuar qasje në internet nga të gjithë mungon dhe kjo është një fushë që kërkon investim. Po ashtu të gjithë studentët që synojnë të studiojnë jashtë do ta kenë më të lehtë përshtatjen në universitete të huaja që teknologjinë e kanë kryefjalë të mësimdhënies. Nga pyetjet dhe komentet rreth shkollave profesionale, sporteve apo mjekësisë u konstatua se vendi ynë ka mungesa në infrastrukturë. Por duke marrë praktikat më të mira nga shtetet e tjera europiane Shqipëria mund t’ia dalë të përmirësojë më shumë mësimdhënien duke e alternuar atë fizike dhe online, përfundoi Magjistari.

Lidhur me ndikimin që Covid-19 ka pasur në shëndetin mendor, Dr. Belina Bedini theksoi se kujdesi ndaj shëndetit mendor nuk është parë si prioritar deri më tani, dhe ky është një problem. Shifrat e njerëzve të prekur në shëndetin mendor gjatë pandemisë, jo vetëm në vendet në zhvillim por edhe në ato të zhvilluara është rritur në mënyrë alarmante nga Covid-19. Problemi qëndron se vendet nuk kanë trajtuar me prioritet masat ndaj kujdesit të shëndetit mendor. Qeveritë duhet të ofrojnë ndihmë financiare për të adresuar pasiguritë ekonomike të popullsisë që si pasojë e Covid-19 kanë humbur punën e tyre. Media gjithashtu ka një rol shumë të madh, sidomos në paraqitjen e rasteve, nuk duhet ti përcjellin në forma tragjike me emra apo vendngjarje ku kryhen vetëvrasje pasi kjo ndikon më keq te njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor. Kjo ndikon te psikologjia e njerëzve që mendojnë se sistemi nuk është në gjendje të menaxhojë situatën, përfundoi Bedini.

Në pjesën e tretë, dedikuar kostove të investimit dhe mos-investimit në shëndetin mendor, Dorentina Hysa u shpreh se shëndeti mendor është lënë në harresë jo vetëm nga institucionet përkatëse por edhe nga vetë njerëzit. Sipas një studimi nga OBSH që Hysa ju referua, shtetet harxhojnë më pak se 2% të buxhetit në kujdesin e shëndetit mendor. Humbjet janë shumë të mëdha si nga personat që i përjetojnë ato pasi ata mund të paaftësohen për punë dhe kjo në mënyrë indirekte ndikon në ekonomi. Pandemia i theksoi problemet mendore sepse preku shumë dimensione, ekonominë, vendet e punës, financa të paqëndrueshme, shkaktoi ankth dhe pasiguri sidomos te njerëzit që mezi plotësonin nevojat jetësore dhe ata që humbën vendet e punës. Pozitiv është fakti se OBSH tashmë i ka dhënë prioritet investimit në kujdesin ndaj shërbimeve të shëndetit mendor. Hysa konstatoi se qeveritë përqendrohen në rezultate afatshkurtra dhe nuk i japin prioritet kujdesit të shëndetit mendor kur ndërkohë kërkohet investim i vazhdueshëm dhe afatgjatë, e mbi të gjitha cilësor. Kostot e mos trajtimit janë akoma më të mëdha duke filluar nga sjelljet delikuente, probleme me ligjin e deri në vetëvrasje.

Aktivitetin mund ta gjeni dhe online në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=wlFir7y50PQ