Evoluojnë apo sillen në rreth: Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, janar 2020 Tiranë

Në kuadër të projektit “Evoluojnë apo sillen në rreth: Reformat institucionale dhe legjitimiteti demokratik në Kosovë, Shqipëri dhe Malit të Zi” implementuar nga Democracy for Development (D4D) (Kosovë) me mbështetjen e European Fund for the Balkans (Programi Think&Link), u zhvillua në Tiranë aktiviteti i datës 24 janar 2020, organizuar nga EMA si organizatë partnere e këtij projekti. Ky aktivitet mblodhi bashkë ekspertë të fushave të ndryshme dhe po ashtu pjesëmarrës nga disa sektorë si: institucione shtetërore, shoqëri civile, akademikë dhe studentë.

Aktiviteti pati formën e një forumi debati që u fokusua në rolin reformues të BE-së në rajonin e Ballkanit e më specifikisht në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Fjala hyrëse u mbajt nga Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA. Në vijim fjala iu dha zv/Ministres së Drejtësisë, Fjoralba Caka, e cila u ndal kryesisht në rolin e BE-së si fuqi transformuese. Një ndër kriteret e Kopenhagen-it, theksoi zv/Ministrja, është përafrimi i legjislacionit të vendeve kandidate me atë të BE-së. Me mbikëqyrjen e BE-së shihen mangësitë e legjislacionit të vendit aspirant dhe si ky i fundit mund të harmonizohet duke iu përmbajtur disa vlerave dhe parimeve themelore. Pra roli i BE-së shkon përtej rishikimit të legjislacionit, ai shkon në ngritjen e institucioneve të reja, rikonceptimin e disa prej koncepteve bazë (si: shteti i së drejtës) e deri në përçimin e vlerave. Si pikë diskutimi u ngrit zbritja me 11 vende e Shqipërisë në raportin e Transparency International, ku zv/Ministrja bëri zbërthimin e “formulës” së matjes së indeksit dhe trajtoi faktorët që kanë ndikuar në këtë përkeqësim të pozicionit të vendit tonë dhe si përkthehet kjo në praktikë. Po ashtu përmendi dhe disa nga pikat nevralgjike në të cilat Ministria e Drejtësisë po punon për të zgjidhur ngërçet e akumuluara ndër vite.

Fjalën e zv/Ministres e pasoi përfaqësuesja e D4D (Kosovë), Valëza Zogjani, Hulumtuese Politikash, e cila përtej fjalës përshëndetëse bëri dhe një prezantim të shkurtër të projektit që po zbatohet nga organizata e Kosovës së bashku me EMA-n dhe organizatën e Malit të Zi, Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI). Ky projekt ka në fokus realizimin e studimit por dhe të takimeve kombëtar me grupe interesi për të diskutuar mbi gjetjet dhe rezultatet e raportit.

 Për të vazhduar me prezantimin e punimit në detaje nga autorja e studimit për Shqipërinë, Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA-s. Nirvana e fokusoi prezantimin e saj duke dhënë një pasqyrë të procesit të integrimit për Shqipërinë. Momentet kyçe të këtij procesi dhe të realizimit të prioriteteve. Element i rëndësishëm gjatë fjalës së saj ishte vlerësimi i marrëdhënies dhe raportit mes Europianizimit dhe Demokratizimit. A janë këto dy procese të ndërlidhura në Shqipëri, dhe a po ndihmon europianizimi për demokratizimin e vendit, apo po realizohet përciptas vetëm për tu anëtarësuar në BE. Nga ana tjetër dhe demokratizimi dhe zhvillimi i tij në mënyrë reale dhe të prekshme u diskutua ku u morën në konsideratë ato elemente që mund të pengonin apo të ngadalësonin këtë proces si: 1) kultura e dobët demokratike; 2) mungesa e kapaciteteve institucionale; 3) mungesa e një informacioni të qartë e objektiv mbi procesin e reformimit dhe europianizimit; 4) përdorimi i këtij procesi vetëm nga aktorët politikë dhe më së shumti për arsyet e tyre politike.

Më pas një diskutim i hapur u realizua me dy ekspertët e ftuar, Dr. Ilir Kalemaj, zëvendës rektor i Universitetit të New-Yorkut në Tiranë dhe Dr. Elda Zotaj, shefe e departamentit të Shkencave Politike në Universitetin e Durrësit. Me një debat të hapur me pjesëmarrësit u prekën tema të lidhura me dilemën që po përballet BE kohët e fundit: thellimi apo zgjerimi i Bashkimit Europian? Gjithashtu çështjet të gjeopolitikës si ndikimi i Rusisë në rajon, përpjekjet e vendeve të Ballkanit për krijimin e nismave alternative si “mini – Shengeni” ballkanik apo problematikat e marrëdhënieve mes vetë vendeve të rajonit ishin tema të tjera me interes që u reflektuan gjatë debatit.