Forum Diskutues: Konektivitet për Zhvillim në aksin Shqipëri-Kosovë-Serbi, Nëntor 2018.

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me organizatën Demokraci për Zhvillim (D4D) në Kosovë dhe Transconflict në Serbi, me mbështetjen e European Fund for Balkan (EFB) organizuan në datën 2 Nëntor 2018, një Forum Diskutues në Tiranë me temë Konektiviteti për Zhvillim në aksin Shqipëri-Kosovë-Serbi. Aktiviteti synonte të rriste ndërgjegjësimin dhe transparencën në lidhje me rëndësinë dhe ritmin e progresit në zbatimin e këtyre investimeve komplekse ndërkufitare infrastrukturore dhe energjetike. Si fillim u prezantuan gjetjet kryesore të Hulumtimit Rajonal që organizatat partnere kanë hartuar mbi situatën e tanishme të projekteve të investuara në këto tre shtete, ndërkohë që diskutimi me panelistët e tjerë u fokusua te statusi aktual i projekteve të transportit dhe energjisë në Shqipëri.

Këtë takim e përshëndeti z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, i cili në fjalën e tij u ndal te rëndësia e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Axhendës së Konektivitetit, që fokusohet në ndërlidhjen e infrastrukturës së transportit dhe energjisë përmes projekteve dhe investimeve konkrete, me qëllim përforcimin e rritjes ekonomike dhe konkurrencës.

Më pas z. Gersi Gashi përfaqësues nga organizata Demokraci për Zhvillim (D4D) prezantoi projektet e ndërmarra mbi konektivitetin për zhvillim në aksin Shqipëri – Kosovë –Serbi. Ai u shpreh se projektet që parashikohen të zbatohen në Kosovë kanë axhenda shumë ambicioze dhe nuk mungon vullneti politik për t’i përkrahur, por ato kanë shfaqur probleme në procesin e zbatimit. Puna ka ecur me ritme shumë të ngadalta dhe ka pasur ngërçe sidomos në bashkëpunimin Kosovë-Serbi. Gjithashtu kapacitetet administrative në Kosovë janë të pakta dhe nuk e përballojnë fluksin e madh të punës. Rekomandimet që jep ky studim janë që të krijohet një sistem monitorimi i punës së administratës që zbaton projektet dhe gjithashtu të përditësohen faqet zyrtare të institucioneve, kështu do rritet besueshmëria te publiku dhe do të nxitet llogaridhënia.

Ekspertja për Shqipërinë znj. Gentiola Madhi paraqiti gjetjet për vendin tonë me një qasje të përqendruar mbi transportin dhe energjinë. Ajo foli fillimisht për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) 2015-2020, rëndësinë që ka Axhenda e Konektivitetit dhe për sfidat që pritet të përballet Shqipëria gjatë këtyre viteve Më pas u ndal te katër projektet që kishte studiuar nga afër. 1. Korridori Mesdhetar: Interkonjeksioni hekurudhor Mali i Zi – Shqipëri–Greqi, ku pritet fillimisht të rehabilitohet hekurudha Tiranë- Durrës e cila do sjellë shumë përfitime për vendin, por në praktikë po vonon të zbatohet dhe është i vakët pretendimi së ajo do të përfundojë në 2020. Studiuesja mendon se do të duhen fonde të tjera deri në përfundimin e saj dhe akoma nuk është miratuar një fond për elektrifikimin e saj. 2. Për sa i përket projektit të dytë Autostradës Adriatiko-Joniane momentalisht po kryhet një studim për të vlerësuar a është i mundur dhe praktik ky projekt, dhe problemet e para që po shfaqen janë ato në lidhje më territorin nga do të kalojë, ndërtimet informale, çështjet e kompensimeve apo mosmarrëveshjet e pronësisë. 3. Projekti i tretë ai për rikonstruksionin e Portit të Durrësit është në fazën parapërgatitore dhe në vitin 2019 pritet të nisi studimi i prakticitetit. Shteti shqiptar ka marr një grant prej prej 1.1 mln €, dhe së shpejti pritet të marrë edhe një kredi nga BERZH nëse plotëson kushtet e duhura financiare. 4. Së fundmi për sa i përket energjisë, projekti që do të zbatohet është linja e interkonjeksionit Shqipëri – Maqedoni,i cili përbëhet nga dy komponentë: ndërtimi i linjës së transmetimit Fier-Elbasan e Elbasan-Qafë Thanë dhe rikonstruksioni i nënstacioneve Fier & Elbasan 2. Ky projekt ka filluar në Maqedoni, ndërsa në vendin tonë pritet të fillojë në 2019.

Pas prezantimit të studimeve të dy vendeve Kosovë dhe Shqipëri fjalën e mori z. Sokol Dedja, Drejtor i Drejtorisë së BE-së pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ai foli për rëndësinë e Procesit të Berlinit dhe të ardhmen e tij për zhvillimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor dhe progresit të rajonit drejt Bashkimit Europian. Gjithashtu ai bëri dhe një reflektim mbi Axhendën e Konektivitetit 2015-2018. Përfaqësuesi nga Kryeministria i Departamentit për Zhvillim dhe Qeverisje të Mirë, z. Oljan Kanushi prezantoi disa nga projektet strategjike të Shqipërisë në kuadër të Axhendës se Konektivitetit. Ai tha se qeveria ka vullnetin e duhur t’i çojë përpara këto projekte. Gjithashtu pasqyroi disa punë të deritanishme në emër të ekzekutivit. Z. Kanushi ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe tregoi disa raste ku kishte pasur ngërçe mes shteteve. Z. Agim Bregasi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtoria e Programeve të Zhvillimit në Fushën e Energjisë dhe Eficencën e Energjisë foli për projektin energjetik Shqipëri – Kosovë – Serbi dhe tha së puna ngec te linja Kosovë – Serbi për mungesë vullneti nga pala serbe. Gjithashtu ai në fjalën e tij u shpreh edhe për sfidat dhe gjendjen aktuale të zbatimit të masave të buta dhe të rënda në projektet e investuara të konektivitetit. Së fundmi fjalën e mori z. Bashkim Kasoruho, Shef i Projektit për Rehabilitimin e Hekurudhës Shqiptare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u ndal te zbatimi i projekteve të konektivitetit dhe problematikat e ndeshura në praktikë. Ai theksoi se sfidë në vitin që vjen mbetet përfshirja e sa më shumë konsulentëve profesionalë që të shmangen problemet teknike dhe gjithashtu një vullnet politik gjithëpërfshirës.

Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit ritheksuan edhe njëherë dobishmërinë e diskutimit i cili ishte shumë i frytshëm. Gjithashtu u theksua rëndësia e Procesit të Berlinit i cili është një shtysë në krijimin e një bashkëpunimi më të afërt ekonomik, politik dhe social mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Si një ndër shtyllat kryesore të këtij bashkëpunimi është dhe Axhenda e Konektivitetit, që fokusohet në ndërlidhjen e infrastrukturës së transportit dhe energjisë përmes projekteve dhe investimeve konkrete për rajonin.

Konektivitetet për zhvillim, rruga drejt zhvillimit ekonomik