Forum Informativ: Kuptimi i procesit të integrimit europian të vendit

forum informatrivMë 3 Shkurt 2012, EMA organizoi në Universitetin e Korçës “Fan. S. Noli” forumin informativ me temë “Kuptimi i procesit të integrimit europian të vendit” ku e ftuar nderi ishte Shkëlqesia e saj Znj. Fiona Mcllwham, Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.  Ky aktivitet u mbajt në kuadër të projektit “Shtjellimi i Procesit të Integrimit Europian”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Shqipëri e cila synon stimulimin e një debati më të informuar dhe pa klishe mbi integrimin në BE midis grupeve të interesit.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Z. Gjergj Mero, Rektor i Universitetit të Korçës. Ai vlerësoi bashkëpunimin tashmë të konsoliduar prej më se 5 vitesh me EMA-n dhe  shprehu angazhimin e tij për ta vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen. Duke nënvizuar rëndësinë e procesit të integrimit europian, Z. Mero u ndal në mënyrë të veçantë tek nevoja për informim të brezit të ri, me qëllim pajisjen e tyre me informacione, analiza dhe refleksione që shkojnë përtej retorikës politike.

Znj. Fiona Mcllwham, Ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri gjatë fjalës së saj i kushtoi një vëmendje të veçantë sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, duke theksuar se është e nevojshme që ai të funksionojë si një i tëri, me kontributin e të gjitha hallkave përbërëse. Britania e Madhe ka afruar ndihmë dhe vazhdon të ndihmojë disa sektorë të këtij sistemi si: prokuroria, gjyqësori, policia, dhe shkolla e Magjistraturës. Gjithashtu, Znj. Mcllwham përmendi rolin që shoqëria dhe media duhet të luajnë në ushtrimin e presionit përmes denoncimit të rasteve të korrupsionit. Në këtë kuadër ajo përmendi shembullin e Britanisë, ku për shkak të denoncimit të vazhdueshëm në media të deputetëve britanik që abuzonin me fondet publike, tashme 10 prej tyre gjenden në burg. Ky është një shembull që tregon se edhe në demokracitë më të zhvilluara si Britania e Madhe, sistemi ka probleme, por përmes presionit që mund të ushtrojnë aktorë të ndryshëm të shoqërisë, ai mund të përmirësohet. Duke marrë shkas nga prezantimi mbi reformën në administratën publike në Shqipëri, Ambasadorja Britanike përmendi se funksionarët në postet e larta drejtuese caktohen nga politika. Ndaj është detyrë e politikës shqiptare të zgjedhë persona që gëzojnë integritet dhe profesionalizëm të lartë.

Drejtori Ekzekutiv i EMA-s Z. Gledis Gjipali, bëri një ndërhyrje mbi iniciativën e ndërmarrë në bashkëpunim më Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. Ai theksoi rëndësinë e informimit mbi procesin e integrimit europian më qëllim për ta bërë atë sa më të thjeshtë dhe të lexueshëm për grupe të veçanta të shoqërisë ndër të cilët studentët dhe stafin akademik si dhe për publikun e gjerë.

Gjatë prezantimit të saj, Znj. Blerta Hoxha, kërkuese pranë EMA-s u ndal tek reforma e administratës publike në Shqipëri dhe mbështetjen e ofruar nga Bashkimi Europian në këtë drejtim. Reforma në administratën publike merr rëndësi thelbësore për sa kohë që ajo është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe një ndër 12 Prioritet kyç  në Opinionin e Komisionit Europian mbi anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sipas vlerësimeve të rregullta kryera nga Komisioni Europian, administrata publike në Shqipëri është ende larg përmbushjes së pritshmërive për një administratë transparente, të përgjegjshme, eficiente dhe koherente. Si në nivel qendror, ashtu dhe vendor moszbatimi i duhur i kuadrit ligjor mbetet shqetësues, sikurse ndryshimi i vazhdueshëm i stafit, shpeshherë me motivacion politik, përdorimi i tepruar të kontratave të përkohshme, mungesa e meritës dhe të transparencës në emërime dhe promovime. Në kuadër të kësaj problematike, Znj. Hoxha përmendi ndihmën e ofruar nga BE përmes instrumentit të ndihmës financiare (Instrumenti i Para-anëtarësimit, IPA), me qëllim modernizimin e administratës publike, duke siguruar ekspertizë juridike dhe mbështetje teknike në ministri të ndryshme dhe institucione të tjera.

Në fund forumi u ndoq nga një seksion i hapur diskutimesh ku studente dhe akademike të Universitetit të Korçës i adresuan Ambasadores Britanike një sërë pyetjesh lidhur me procesin e anëtarësimit në BE dhe situatën aktuale në Shqipëri.

Pasqyrimin e takimit në media mund ta gjeni në faqen tonë të website, në rubrikën “EMA në Media“.