Forum Rajonal: Arsimi dhe hulumtimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor: Një vlerësim i përvojave të vendeve dhe performancës së tyre në programet e financuara nga BE, Shkurt 2019

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Balkans Policy Research Group (BPRG) në Kosovë dhe European Movement Novi Sad në Serbi mbështetur nga Western Balkan Fund (WBF) kanë organizuar Forumin Rajonal me temë: “Arsimi dhe hulumtimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor: Një vlerësim i përvojave të vendeve dhe performancës së tyre në programet e financuara nga BE”, në datën 22 shkurt 2019,  ku janë marr si raste studimore: Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Ky forum ka mbledhur pjesëmarrës nga institucione shtetërore, nga akademia dhe universitetet kryesore, nga institutet e kërkimit, nga organizata joqeveritare e think tanks jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Kosova e Serbia

Aktiviteti u përshëndet nga z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e këtij studimi mbi analizimin e situatës së Arsimit dhe Hulumtimit si dhe të bashkëpunimit rajonal në këto fusha. Ai tha se vendet që janë në zhvillim e sipër, siç janë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, e kanë të nevojshme të punojnë së bashku për të përballuar sfidat e kohës në fushën e kërkimit shkencor.

Fjala përshëndetëse u mbajt dhe nga Drejtori Ekzekutiv i Western Balkans Fund, z. Gjergj Murra i cili përgëzoi studiuesit për punën e tyre dhe vuri theksin te rëndësia e kërkimit shkencor në Ballkanin Perëndimor për të zhvilluar më tej këto vende nga ana sociale dhe ekonomike. Z. Murra u shpreh se WBF gjithmonë do t’i mbështeste kërkuesit e rinj sepse ato kanë vizionin dhe dëshirën e duhur në dobi të vendeve të tyre.

PANELI I: Prezantim dhe Diskutim i Gjetjeve Kryesore pas Studimit Rajonal

I pranishëm në aktivitet ishte dhe zëv/ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, z. Redi Shtino. Z. Shtino në fjalën e tij u fokusua te perspektiva europiane e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Ai foli edhe për ligjin e ri për kërkimin shkencor që pritet të miratohet së shpejti, duke theksuar faktin se ky ligj do t’i japë një frymë të re shkencës shqiptare. Gjithashtu ai theksoi se ka një hendek midis kërkimit shkencor dhe tregut në vendin tonë, duke theksuar që gjithë studimet duhet të shfrytëzohen nga bizneset vendase dhe gjithashtu edhe nga institucionet publike. Për më tepër z. Shtino u ndal edhe të mënyra e financimit duke u shprehur se kontributi financiar në këtë fushë është shumë i madh në raport me atë që merret në këmbim.

Gjatë zhvillimit të Panelit të I të Forumit Rajonal, u prezantuan dhe gjetjet kryesore të Studimit Rajonal “Kërkimi, zhvillimi dhe arsimi në vendet e Ballkanit Perëndimor”, i cili analizon situatën aktuale lidhur me kapacitetin për të përthithur fondet e BE-së për programet e arsimit, kërkimit dhe programeve shkencore në vendet e Ballkanit kryesisht në Shqipëri, Kosovë e Serbi. Ky studim synon të ofrojë një pasqyrë të përgjithshme të fushës së arsimit dhe kërkimit shkencor duke paraqitur situatën aktuale në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje krahasuese, ku përpiqet të analizojë përvojat e mëparshme në dekadën e fundit dhe performancën aktuale, pengesat dhe rezultatet e vendeve përkatëse.

Ekspertja e punimit për rastin shqiptar, znj. Elda Zotaj, nga Lëvizja Europiane në Shqipëri gjatë prezantimit të punimit vuri fokusin në sfidat  e Shqipërisë dhe rëndësinë që ka kërkimi shkencor për zhvillimin e vendit. Ky studim erdhi si një domosdoshmëri për të vlerësuar dhe analizuar rezultatet e arritura deri më tani në thithjen e fondeve të BE-së të dedikuara për kërkimin shkencor, arsimin, teknologjinë në vendet e Rajonit të Ballkanit dhe tenton të realizojë një analizë krahasuese në lidhje me kapacitetet dhe mundësitë përthithëse të VBP ndaj fondeve të BE-së për programe të dedikuara arsimit dhe Shkencës si: Erasmus + (KA1, KA2, Jean Monnet,); COST; Horizon 2020 dhe MSCA. Sipas studiueses problematikat qëndrojnë te mungesa e burimeve të nevojshme financiare dhe njerëzore për të mbështetur reformat; kapaciteti i ulët infrastrukturor i njësive kërkimore në IAL; bashkëpunimi i kufizuar – lidhje të dobëta dhe shkëmbim me universitetet në rajon ose vendet e BE-së. Ajo sugjeron se duhet të bëhet ndarja e stafit akademik me karakter mësimor dhe kërkimor dhe se gjithashtu duhet të ketë mbështetje financiare për botime shkencore, konferenca shkencore, kongrese shkencore, simpoziume shkencore për kërkuesit shkencor;

Ndërkohë eksperiencën e Kosovës që ishte e ngjashme me atë të vendit tonë, e prezantoi hulumtuesja Znj. Gresa Statovci, nga  Balkans Policy Research Group. Sipas studiueses kërkimi shkencor në Kosovë është kryesisht i financuar nga buxheti i shtetit, dhe këto shpenzime për kërkimet shkencore janë vetëm rreth 0.1%, ndërkohë që ligji e parashikon rreth 0.7%. Ajo sugjeron se duhet të krijohet një sistem transparent të informacionit rreth kërkimit shkencor, krijimi i një grupi pune dhe menaxhimi për lançimin e një programi bashkëpunues për Zhvillim dhe Hulumtim, hartimi i një plani vlerësimi të nevojave për laboratorët dhe pajisjet moderne që nevojiten për të kryer eksperimente praktike të përditësuara, krijimi i një fondi brain-gain dhe programi për të tërhequr hulumtues qytetarë të Kosovës nga vendet e huaja, si dhe vendosja dhe përditësimi i kritereve për studentë të doktoraturës dhe profesorëve rreth kërkimeve shkencore.

Përfaqësuesi serb, z. Nikola Bozic, Drejtor Programi i Petnica Science Centre gjatë fjalës së tij u fokusua në mënyrën e financimit dhe progresin e kërkimit shkencor serb që kryeson tashmë rajonin. Sipas tij disa nga projektet e financuara nga BE në Serbi u njohën nga Komisioni Europian si shembujt më të mirë, të tjerë fituan çmime ndërkombëtare ose rajonale. Z. Bozic tha se Serbia ka një nivel të mirë të përgatitjes në fushën e kërkimit shkencor dhe janë bërë disa përparime në lidhje me politikën e inovacionit dhe pjesëmarrjen në programet e BE-së për hulumtime.

 

PANELI II: Sfidat Kryesore të Përthithjes së Fondeve të BE-së në Hulumtim, Arsim dhe Zhvillimin në Shqipëri

Panelit të dytë fjalën e mori z. Robert Dumi, Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) i cili shpjegoi sesi ndodh financimi i hulumtimit në Shqipëri dhe për rolin e Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit në zhvillimin e shkencës shqiptare. Ai tha se AKKSHI mbështet, monitoron dhe vlerëson programet dhe projektet në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në vend. Së bashku me zbatimin e misionit të saj, AKKSHI bashkëpunon me ministritë dhe institucionet e tjera në zbatimin e strategjisë së Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe jep mbështetje financiare, në përputhje me prioritetet e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, bazuar në vlerësimin e bërë nga komisionet përkatëse.

Më pas përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Ingrid Jushi paraqiti reformat e bëra nga qeveria në këtë fushë dhe sfidat me të cilat po përballet. Ajo gjithashtu tha se qeveria shqiptare ka një fond të caktuar monetar që të sponsorizojë kërkimin shkencor specifikisht për kërkuesit e rinj. Po ashtu Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ndihmon me këshillim akademik për këdo studiues që dëshiron të bëj një studim duke e orientuar drejt tregut

Lekë Sokoli, Zëvendës Rektor i Universitetit ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës (UAMD) foli për sfidat që përballen institucionet publike të Arsimit të Lartë në përthithjen e fondeve të BE-së. Ai foli për nivelin e kërkimit shkencor në institucionet publike në vend dhe veçanërisht për universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku u ndal te disa projekte që universiteti kishte realizuar duke u financuar nga BE. Z. Sokoli vuri theksin te fakti se kërkimi shkencor vazhdon të jetë pikë e dobët për vendin tonë dhe kjo ka bërë që të ngadalësohet edhe zhvillimi ekonomik dhe social. Gjithashtu ai shprehu mosdakordësi me ligjin e ri për arsimin e lartë duke thënë se ishte një goditje shumë e fortë për shkencën duke qenë se universitetet publike do ta kenë shumë të vështirë vetëfinancimin. Së fundmi ai u shpreh se është e nevojshme që edhe vetë Ministria të reformohet duke pasur edhe një zv/ministër për shkencën.

Znj. Elona Karafili, Zëvendës Rektore, Universiteti ‘Polis’ diskutoi mbi  rolin e institucioneve private të arsimit të lartë në fushën e kërkimit shkencor. Ashtu si parafolësi ajo kishte të njëjtat shqetësime dhe vërejtje, por tha se situata është më pak problematike në institucionet private, duke qenë se kanë më lehtësira në financim. Për atë ishte shqetësuese fakti se reformat në arsim importohen në vendin tonë pa asnjë filtër nga vendet e zhvilluara dhe pastaj në praktikë hasin vështirësi për t’u zbatuar.

Diskutime të shumta pati edhe nga të ftuarit e tjerë ku theksi u vu në mos shfrytëzimin me efikasitet të kërkimit shkencor nga institucionet publike në vend. Kërkimet shkencore shqiptare nuk merren të shfrytëzohen nga bizneset vendase apo nga institucionet publike kur hartojnë politika apo strategji afatgjata. Për më tepër vendi ynë e bazon 90% të ekonomisë te biznesi i vogël duke bërë që kapaciteti financiar për kërkim shkencor të jetë i vogël gjithashtu. Është shumë e rëndësishme që shteti të ndërhyjë dhe të financojë universitetet sepse vetë-finanimi është i pamundur.

Workshopi Rajonal

Ky Workshop mblodhi rreth 20 përfaqësues të akademisë dhe hulumtues nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Objektivi primar i këtij sesioni ishte të ofronte informacion mbi mundësitë për financime dhe programet në nivel europian dhe rajonal, si dhe të ofrojë mundësinë për shkëmbim të eksperiencave dhe praktikave më të mira dhe vendosjes së kontakteve për bashkëpunime të ardhshme mes pjesëmarrësve.

E para e mori fjalën përfaqësuesja nga Western Balkan Fund, znj. Dafina Beqiri. Ajo u ofroi pjesëmarrësve informacion mbi misionin dhe qëllimin kryesor të organizatës WBF dhe synimit për të mbështetur me fonde pikërisht projekte nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë si objektiv primar zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të shoqërisë dhe ekonomisë, bazuar në bashkëpunimin rajonal mes tyre. Gjithashtu bazuar në eksperiencën e saj si ‘marrëse dhe dhënëse’ e fondeve për projekte, ajo  ofroi disa këshilla për tu pasur parasysh gjatë shkrimit të projekt-propozimeve dhe realizmit të bashkëpunimeve dhe partneriteteve.

Geron Kamberi ekspert i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, prezantoi sesi po shfrytëzohen në vendin tonë financimet nga Horizon 2020, Erasmus + dhe COST. Pikat në të cilat ai e bazoi diskutimin ishin në ndërtimin e mundshëm të një rrjeti brenda vendeve të Ballkanit për t’u përfshirë në programin H2020, Erasmus dhe COST dhe sesi vendet që kishin akses më të madh në këto programe në Ballkan të mund tu mundësonin mbështetje vendeve të tjera.

Më pas z. Eltion Meka asistent profesor në Universitetin e New York, Tirana dhe koordinator projekti të Jean Monnet “Demokratizimi dhe Bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor” dha shembullin e universitetit të tij, i cili kishte përfituar fond nga BE në kuadër të këtij programi. Ai u ndal në shembuj praktik, duke filluar nga mënyra sesi nis të shkruhet projekti, pikat e rëndësishme që duhen të trajtohen si dhe mënyra sesi llogariten fondet Deri te bashkëpunimi dhe koordinimi i tij në praktikë, duke ofruar dhe këshilla dhe shembuj për të përballuar vështirësitë apo sfidat që mund të hasen gjatë zbatimit dhe që nuk janë parashikuar gjatë përgatitjes së propozimit të projektit.

Znj. Albana Halili koordinatore e projektit “Zhvillimi dhe implementimi i Multimedias dhe Kurrikulave Dixhitale Televizive” në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës shpjegoi në mënyrë të hollësishme sesi funksionin ky projekt. Gjithashtu ajo u shpreh se është problematike menaxhimi i fondeve bashkë me partnerët e tjerë.

Adelina Basholli, doktorante në Qendrën Kërkimore për Europën Jug-Lindore në Universitetin e Sheffield-it foli për projektin Erasmus +, si po e përdorim akademikët atë dhe si përfitojnë prej saj. Ajo tha bashkëpunimi me studiues europianë, me prejardhje të ndryshme në fushën e arsimit dhe kërkimit është një përvojë e frytshme dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin dhe zbatimin e mëtejshëm të projekteve të tjera ndërkombëtare në këto fusha.

Pavle Sekerus profesor në Universitetin e Novi Sad-it foli për projektin ‘BioSense’. Kjo nismë bashkon dy sektorët më premtues në Serbi: Teknologjinë e Informacionit dhe Bujqësinë. Qëllimi i BioSense është të përfshijë të gjitha përpjekjet dhe rezultatet e grupeve të ndryshme kërkimore në një sistem unik BioSense të integruar për monitorimin e sektorit bujqësor. Instituti BioSense koordinon ose merr pjesë në një numër të madh të projekteve kërkimore ndërkombëtare, përfshirë Horizon 2020, FP7 dhe Eureka.

Në këtë drejtim, vetëm nëkuadër të Horizon 2020 BioSense ka realizuar apo po realizon 21 projekte, dhe rreth 14 projekte ne kuadër të FP7.

Aktiviteti vazhdoi me diskutime dhe sugjerime nga pejsëmarrësit dhe panelistët, mbi mundësitë për bashkëpunime për të mundësuar projekte të suksesshme, çfarë mund të mësohet nga njëti-tjetri ku do vend ka karakteristika dhe eksperiencat unike si dhe të mundësohet zhvillimi i shkencës dhe edukimit në rajon.