Forum Informues në Elbasan: Informimi mbi Sfidat e Reformës Administrativo-Territoriale

Më datë 26 maj 2017, te salla e bibliotekës së Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me këtë universitet dhe në kuadër të nismës mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED): “Ndërtimi i urave – një kulturë e re bashkëpunimi mes institucioneve vendore dhe komuniteteve të tyre”, zhvilloi aktivitetin për informimin në lidhje me zbatimin dhe sfidat e Reformës Administrativo-Territoriale (RAT), rolin e bashkive të reja, kapaciteteve të zyrtarëve lokalë për realizimin e ndryshimeve të nevojshme dhe përfshirjen e qytetarëve të prekur drejtpërdrejt nga kjo Reformë.

Aktiviteti u përshëndet nga zv. Rektor i Universitetit të Elbasanit Prof. Asoc. Dr. z. Peçi Naqellari. Në fjalën e tij, z. Naqellari vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm mes Universitetit dhe Lëvizjes Europiane në Shqipëri, dhe se si këto nisma të ndërmarra nga EMA janë në shërbim direkt dhe të universitetit, studentëve dhe akademikëve. Ai shprehu nga ana tjetër angazhimin për vazhdimin e nismave të tilla.

Z. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri foli për risitë dhe problematikat e Reformës. Një nga risitë që ligji i ri sjell lidhet me administrimin e shërbimeve publike, ku do të ketë një rritje të numrit të shërbimeve të ofruara si dhe transferimin e këtyre shërbimeve nga sektori publik te ai privat. Nga ana tjetër do të ketë transferime të funksioneve nga niveli qendror i administrimit në atë lokal. Disa nga funksionet që do të transferohen janë: administrimi i rrugëve; arsimi parashkollor dhe administrata jo mësimore e arsimit parauniversitar (hapja e kopshteve dhe mirëmbajtja e shkollave); administrim dhe menaxhim i pyjeve (krijimi i strukturave përkatëse) etj. Tashmë transferta e kushtëzuar, pra fondi i cili kalon nga qeverisja qendrore te ajo vendore, do të jetë një përqindje fikse. Kjo përqindje është caktuar te Ligji i Financave të Qeverisjes Vendore. Nga ana tjetër do të krijohet Fondi Social, një mbështetje financiare për të gjithë qytetarët të cilët duan të ndërmarrin nisma apo kanë ide në shërbim të tyre dhe komunitetit. Ai theksoi nga ana tjetër që disa masa ë duhen të ndërmerren nga Bashkitë janë: 1) Miratimi sa më shpejt i rregulloreve për mirëfunksionimin e strukturave; 2) Realizimi i trajnimeve për të pasur shërbime publike sa më të mira; 3) Shtimi i fondeve për rritjen e cilësisë së shërbimit parashkollor; 4) Informimi dhe ndërgjegjësimi i komunitetit dhe qytetarëve, në mënyrë që duhet të shfrytëzojnë çdo të drejtë, të ngrenë këshilla komunitarë dhe të jenë më kërkues ndaj qeverisjes vendore.

Në fund të takimit u realizua një diskutim me pjesëmarrësit e interesuar të cilët realizuan pyetjet e tyre për tema që lidhen me ndryshimet dhe procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar në nivelin vendor me atë të BE-së; rëndësia e lidhjeve kulturore dhe identiteti në ndarjen e re administrative dhe procedurat dhe afatet e reja për zbatimin e Reformës nga ana e institucioneve përkatëse.

Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhe Manuali Informativ i realizuar nga Grupi i Punës së EMA mbi Reformën Administrativo-Territoriale, si studentëve dhe pjesëmarrësve të aktivitetit ashtu edhe u dhuruan disa kopje në Bibliotekën e këtij Universiteti.