Lëvizja Europiane në Shqipëri

Është një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, që kombinon elementin e think tank-ut me instrumentet e informimit dhe advokimit. EMA është themeluar në shkurt të 2007-ës, si përgjigje ndaj përpjekjeve në rritje të Shqipërisë për të avancuar në procesin e anëtarësimit në BE.

EMA e konsideron Integrimin Europian si tepër të dobishëm, por në shumë aspekte ky proces nuk funksionon siç duhet. Prandaj qëllimi ynë kryesor është nxitja dhe promovimi i ideve të reja për përmirësimin e hartimit dhe zbatimit të politikave në funksion të zhvillimit të vendit.

EMA shërben si një forum për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat politike, ekonomike dhe sociale me të cilat vendi përballet. Ne i përkushtohemi inkurajimit dhe forcimit të përvojave aktuale demokratike, duke promovuar këto vlera nëpërmjet analizimit, ndikimit në hartim, si dhe monitorimit në zbatim të politikave publike në vend. Gjatë veprimtarisë së saj, EMA përpiqet ta bëj procesin e hartimit të politikave sa më transparent, të hapur dhe të përgjegjshëm ndaj interesit publik, duke ofruar sugjerime alternative që burojnë nga kërkime të mbështetura në të dhëna faktike.

Fushat programatike të veprimtarisë së EMA-s janë:

• Promovimi i vlerave Europiane dhe procesit të Integrimit Europian të Shqipërisë
• Demokracia dhe Mirëqeverisja
• Dimensionet ekonomiko – sociale të Integrimit Europian
• Bashkëpunimi në Rajon

Duke patur parasysh nevojat dhe sfidat e shoqërisë shqiptare në këtë proces transformimi, EMA aplikon një shumëllojshmëri instrumentesh si: hulumtim shkencor, analiza dhe advokim; informim dhe komunikim; rritje të kapaciteteve dhe trajnime; debate publike dhe forume politike; anketa, sondazhe e fokus grupe; zhvillim të mekanizmave të monitorimit mbi disa çështje me rëndësi të veçantë për publikun, etj.

EMA e ka vendodhjen në Tiranë dhe ka koordinatorë lokal në disa qytete kryesore të Shqipërisë si Vlora, Shkodra, Elbasani dhe Korça. Janë më shumë se 300 mbështetës të EMA-s, ajo  është anëtare e European Movement International, organizatë ndëreuropiane e themeluar në maj të 1948 e cila ka si qëllim mbështetjen e zhvillimin e mëtejshëm të projektit europian.