Modeli i Simulimit të Institucioneve të BE-së 2018

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), me mbështetjen e European Movement International, në kuadër të Programit ‘Europe for Citizens’ financuar nga Komisioni Europian, zhvilloi trajnimin e pjesëmarrësve në procesin e simulimit të Institucioneve të BE-së më 25 prill 2018 në Europe House, në kuadër të muajit të Europës 2018.  Prezantimi i aktivitetit u realizua nga Koordinatorja e Projektit të EU Day 2018, znj. Mona Xhexhaj,  e cila theksoi ndër të tjera që motivimi i të rinjve dhe përfshirja e tyre në aktivitete të tilla, ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e aftësive të tyre ashtu dhe në rritjen e njohurive mbi Bashkimin Europian dhe procesin e vendimmarrjes në institucionet e tij. Më pas znj. Fjoralba Caka, Pedagoge e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në rolin e trajneres gjatë simulimit, prezantoi procesin e vendimmarrjes së institucioneve të Këshillit të BE-së, Komisionit dhe të Parlamentit Europian, duke bërë dhe dallimet kryesore mes rolit dhe peshës që këto institucione kanë dhe si ndërveprojnë mes njëri-tjetrin.

Tema e zgjedhur për simulimin e këtij viti ishte Direktiva 2014/36/BE – “Mbi kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllime punësimi si punonjës sezonalë”, e cila u prezantua nga z. Embro Ahmetaj, Pedagog i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe gjithashtu supervizor gjatë simulimit. Përmbajtja e temës përputhet me rëndësinë dhe debatin që ka ngritur BE së fundmi dhe konsiston në një direktivë të nënshkruar më 26 shkurt 2014, e cila qëndroi në zbatim deri në fund të 2016. Direktiva e Punonjësve Sezonalë merret me një aktivitet pune të mirë përcaktuar në tregun e brendshëm europian, që është puna sezonale, duke përfshirë të gjitha llojet e punëve që zgjasin për një periudhë të kufizuar kohore (midis 5 dhe 9 muajve). Brenda kontekstit të punës sezonale, teksti ligjor trajton një kategori të veçantë të punëtorëve: shtetas të vendeve të treta, pra punëtorët që vijnë nga jashtë BE-së. Kjo direktivë pra paraqet një pikë takimi midis dy temave aktuale të BE-së për migracionin: funksionimi i tregut të brendshëm dhe menaxhimi i emigracionit. Z. Ahmetaj realizoi prezantimin e temës duke dhënë një informacion të përgjithshëm mbi atë që do të diskutohej ditën e simulimit.

Prezantimet u mbyllen me z. Albi Çela, pjesëmarrës i MEU Strasbourg 2017, trajner dhe koordnator i simulimit, i cili shpjegoi shkurtimisht rregullat, procedurat dhe mënyrën e përgatitjes për simulimin, duke qartësuar rolin që do të kishte çdo student në institucionin që ishte përzgjedhur për të përfaqësuar. Pjesëmarrësit patën mundësi të zhvillonin dhe një takim të grupeve parlamentare sipas ndarjeve të partive, duke caktuar Faction Leader dhe Faction Secretary, si dhe në fund mbledhjen e Këshillit të Ministrave për zgjedhjen e Presidentit dhe Zv. Presidentit të Këshillit. Hapësira e diskutimeve mundësoi që të shpjegohej çdo paqartësi mbi detyrën dhe iu dha 1 javë kohë pjesëmarrësve për të përgatitur sa më mirë rolin e tyre dhe në mbledhjen e informacioneve të nevojshme për temën e simulimit.

Diskutimi në Këshillin e Bashkimit Europian ishte më konstruktiv por dhe këtu nuk munguan kundërshtitë nga përfaqësuesit e vendeve që ndjejnë se preken dhe cenohen nga kjo Direktivë. Ministrat dhanë argumentet e tyre nëse miratimi i kësaj Direktive është në interes të vendeve të tyre dhe BE-së. Si përfundim, Direktiva nuk u votua nga shumica e ministrave të shteteve anëtare. Në fund të aktivitetit u shpallën fituesit e Modelit Simulues për tre institucionet përkatëse të BE dhe u shpërndanë certifikatat për të gjithë pjesëmarrësit.

Simulimi rezultoi shumë i suksesshëm, pasi studentët u angazhuan plotësisht në rolet e tyre, në prezantimet që u shfaqën gjatë diskutimeve dhe votimeve, si dhe në përfaqësimin sa më realist të zyrtarëve nga institucionet e BE-së. Në fund të simulimit pjesëmarrësit u qartësuan mbi funksionet dhe rëndësinë e secilit nga institucionet e BE-së si dhe u përballën me vështirësitë e negocimit dhe votimit. Projekti nxiti mendimin kritik, artin e të komunikuarit dhe negociuarit me individë që mbartin mendime dhe pikëpamje të ndryshme si dhe të folurën në publik dhe prezantimin. Sfidë për këtë vit ishte dhe fakti që studentët u zgjodhën të përfaqësonin ato grupime politike apo vende anëtare që binin deri diku në kundërshtim me bindjet dhe prirjet e tyre politike dhe ideologjike, duke e bërë dhe më sfiduese për ta të gjenin argumente bindëse dhe të futeshin në rol në mënyrë të plotë.