Një Vlerësim Rajonal MIPEX i Ballkanit Perëndimor 2015

EMA ka kënaqësinë të ndajë me ju Vlerësimin e Ballkanit Perëndimor për Indeksin e Politikave të Integrimit të Migrantëve (MIPEX) për vitin 2015. Kjo është hera e parë që Shqipëria është e përfshirë në vlerësimin e MIPEX, ndërsa ekipi EMA me bashkëpunimin e ekspertëve kombëtarë që punojnë në institucionet shtetërore ose OJQ të ndryshme plotësuan pyetësorin MIPEX për Shqipërinë, e cila është një udhëzues referimi dhe një mjet plotësisht interaktiv për të vlerësuar, krahasuar dhe përmirësuar politikën e integrimit. Ekspertët e ekipit EMA me fokus në fushën e ligjit për migracionin, arsimin dhe anti-diskriminimin, kanë përfunduar rezultatin për secilin tregues bazuar në dokumentet e disponueshme për publikun nga vendi deri më 31 dhjetor 2015.
Rezultati i përgjithshëm i Shqipërisë është pozicionimi 47/100 para Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë, ndërsa Montengro me rezultat 52/100 është më i mirë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Fushat ku Shqipëria ka rezultatet më të larta janë bashkimi familjar, politika kundër diskriminimit dhe qasja në shtetësi. Sidoqoftë ka shumë për të bërë në drejtime të tjera, si p.sh. në të drejtën shëndetësore, qasjen në arsim dhe pjesëmarrjen politike.

Çfarë është MIPEX?

MIPEX-i mat politikat e integrimit në 40 vende në Europë dhe Amerikën e Veriut, duke përdorur 148 tregues të politikave, MIPEX përcakton masën në të cilën të gjithë banorët kanë të drejtë ligjore për të drejta dhe përgjegjësi të barabarta, si dhe për çdo mbështetje që i adreson nevojat e tyre specifike për të bërë mundësi të barabarta një realitet. MIPEX tregon se si vendet mund të bëjnë më mirë në krijimin e mjedisit ligjor në të cilin imigrantët kontribuojnë në mirëqenien e një vendi, ku ata kanë qasje të barabartë në punësim dhe arsim, jetojnë në siguri me familjet e tyre, bëhen qytetarë aktivë dhe mbrohen nga diskriminimi. Për secilën nga 7 fushat e politikave: mobiliteti i tregut të punës, bashkimi familjar, arsimi, pjesëmarrja politike, qëndrimi afatgjatë, qasja ndaj kombësisë dhe anti-diskriminimit, MIPEX identifikon standardet më të larta europiane dhe ndërkombëtare që synojnë arritjen e të drejtave, përgjegjësive dhe mundësive të barabarta për të gjithë banorët.