Punimi: Përtej statusit kandidat – qasja drejt anëtarësimit, tetor 2012
EMA ka kënaqësinë të ndaj me ju punimin “Përtej statusit kandidat – qasja drejt anëtarësimit”, mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung (FES) dhe Think Tank Fund of Open Society Foundations (OSF).
Në datë 10 tetor Komisioni Europian publikon Strategjinë e Zgjerimit për vitin 2012-2013, së bashku me Progres Raportet për vendet kandidate dhe potenciale kandidate. Për Shqipërinë konkluzionet e Progres Raportit janë vecanërisht të rëndësishme këtë Tetor, pas dy vjet rresht refuzimi të statusit kandidat. Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) ka analizuar mundësitë e opsionet e mundshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të antarësimit të Shqipërisë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme kur progresi në disa prioritete pothuaj nuk ekzistonte dhe në disa të tjera ishte shumë i kufizuar, këtë vit Shqipëria gjendet në një situatë shumë më të favorshme. Marrëveshja e Nëntorit 2011 midis dy forcave kryesore politke hapi rrugën për plotësimin e 12 përparësive të caktuara nga Komisioni Europian. Dialogu politik i arritur ka prodhuar disa rezultate konkrete si: miratimi i reformës zgjedhore; zgjedhja e Avokatit të Popullit, miratimi i disa ligjeve të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar; si dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese për kufizimin e imuniteteve të zyrtarëve të lartë. Ndërkaq problematike ngelen çështjet e adresuara në përparsitë e tjera si: funksionimi i duhur i Parlamentit nëpërmjet miratimit të ndryshimeve në rregulloren e tij; forcimi i shtetit të së drejtës dhe miratimi i ligjeve të rëndësishme në fushën e drejtësisë; lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e shoqëruar me raste e persona konkret të dënuar; politizimi i administratës publike; si dhe garantimi i të drejtës së pronës.
Me këto zhvillime EMA vlerëson se dy janë opsionet e Komisionit për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë:
- Rekomandim pa rezervë;
- Rekomandim i kushtëzuar, duke listuar një ose disa kushte të paplotësuara të cilat duhet të përmbushen para marrjes së vendimit nga Vendet Anëtare të BE. Thënë ndryshe, status me afat kohor (status with timeline).