Prezantim i Analizës SWOT në kuadër të Projektit Erasmus + “T.A.K.E Part”, nëntor 2019

Në datën 5 nëntor 2019 u zhvillua takimi informues në Europe House Tiranë, mes European Movement in Albania (EMA) dhe 25 të rinjve të përzgjedhur për aktivitetin e dytë që do të zhvillohet në kuadër të projektit të Programit Erasmus + (KA3 Action) në bashkëpunim me Institute for the Future (Itali) në datat 11-16 nëntor 2019.

Tema e këtij aktiviteti ishte prezantimi me analizën SWOT dhe përgatitja e studentëve për të vënë në zbatim njohuritë e marra nga prezantimi. Kjo analizë do të përdoret gjatë grupeve të punës dhe përgatitjes së një publikimi mbi përdorimin e mjeteve dixhitale për përfshirjen dhe pjesëmarrjen në politikë-bërje dhe politikë-marrje në nivel lokal dhe qendror të qytetarëve.

Nirvana Deliu, Koordinatore e projektit T.A.K.E Part nga EMA, bëri një përshkrim të shkurtër të projektit dhe tematikës së tij, dhe çfarë pritet nga të rinjtë gjatë aktivitetit në Napoli. Ajo sqaroi dhe njëherë pjesëmarrësit për ndonjë paqartësi të lindur me informacionet logjistike të programit dhe i udhëzoi ata për burimet e informacionit, që mund të përdornin në mbledhjen e informacioneve për temën e Demokracisë dixhitale, mjeteve që mund të përdoren apo ato që janë përdorur për zhvillimin e e-demokracisë në Shqipëri.

Duke qenë se jo të gjithë pjesëmarrësit ishin të familjarizuar me analizën SWOT, Sonila Dubare, hulumtuese politikash pranë EMA, shpjegoi shkurtimisht se në çfarë konsiston kjo analizë (S- Pikat e forta, W-Pikat e dobëta, O-Mundësitë, T- Rreziqet) dhe se si përdoret zakonisht në vlerësimin e veprimeve, politikave të ndryshme si në fushën sociale ashtu dhe në atë  ekonomike.

Në vazhdimësi të pranishmit u organizuan në katër grupe ku secili grup diskutoi për rreth 20 minuta mbi një nga pikat e analizës S, W,O ose T, për të vënë në praktikë njohuritë e sapo-marra nga prezantimi. Mbështetur në një temë aktuale dhe të prekshme nga ata si Ligji për Arsimin e Lartë ata diskutuan mbi këtë ligj bazuar duke vlerësuar dhe analizuar pikat e tij të forta dhe të dobëta, mundësitë dhe rreziqet e këtij ligji. Tema u përzgjodh e tillë e ndryshme nga tema e aktivitetit që të rinjtë do të diskutojnë në Napoli, me qëllim që diskutimet dhe analiza e bërë këtu të mos ndikojnë në mënyrën e mendimit dhe diskutimit të pjesëmarrësve gjatë punës në grup në Napoli. Qëllimi kryesor ishte që ata të familjarizoheshin me analizën SWOT dhe procesin që duhet ndjekur për të analizuar një proces, politikë apo situate bazuar të kjo analizë.

 Më pas ata shkëmbyen rezultatet e punës në grup, duke i prezantuar ato e duke riforcuar dhe njëherë pikat kryesore që duhet të kenë parasysh në përdorimin e analizës SWOT.