Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Hapja e bisedimeve për anëtarësim me BE- përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile në strukturat kryesore dhe fazat e procesit të negociatave, 16 maj 2023, Vlorë
Më 16 maj 2023, EMA organizoi në Vlorë një workshop me temë “Hapja e bisedimeve për anëtarësim me BE- përfshirja e aktorëve të shoqërisë civile në strukturat kryesore dhe fazat e procesit të negociatave”, në kuadër të Qendrës Burimore për Shoqërinë Civile e cila po implementohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptarë për Popullsinë dhe Zhvillimin. Aktiviteti u zhvillua në Vlorë, ku kishte fokus kryesor procesin e negociatave, rolin e institucioneve kryesore duke i kushtuar vëmendje të veçantë mënyrës së përfshirjes dhe rolit që mund dhe duhet të luajnë aktorët e shoqërisë civile si dhe mundësitë për financime dhe programet kryesore të granteve të Bashkimit Europian për mbështetjen e shoqërisë civile. Me pjesëmarrjen e 15 përfaqësuesve të organizatave dhe shoqatave aktive në Vlorë, aktiviteti kishte për qëllim rritjen e informimit dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në çështje të lidhura me procesin vendimmarrës, mirëqeverisjen dhe politikëbërjen në kuadër të procesit reformues nxitur nga integrimi i vendit në BE.
Hapja e takimit u bë nga Enela Mone, Koordinatore e Qendrës Burimore për OSHC-të në Vlorë , e cila prezantoi objektivat dhe qëllimet e Qendrës Burimore për OSHC-të ku vëmendje të veçantë ka dhe zhvillimi i aktiviteteve në qytetet përtej Tiranës. Një komponent i Qendrës Burimore është dhe rritja e kapaciteteve dhe njohurive të OSHC-ve mbi procesin e integrimit europian dhe negociatave, dhe kjo po realizohet nëpërmjet trajnimeve e workshopeve, siç është dhe takimi i zhvilluar në Vlorë ku synohet forcimi i mëtejshëm i njohurive teknike të OSHC-ve dhe rritja e kontributit të tyre në procesin të negocimit me BE-në.
Nirvana Deliu, Koordinatore projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri bëri një prezantim të procesit të negociatave ku u fokusua në nivelin e progresit dhe përgatitjes së Shqipërisë për vitin 2022, për të 33 kapitujt e Acquis që do të negociohen me BE, bazuar në vlerësimet e Raportit të Komisionit Europian publikuar në tetor 2022. Vëmendje iu kushtua posaçërisht Grupimit 1 të Kapitujve, ku nga pesë kapituj në këtë grupim përfshihen dhe Kapitulli 23 dhe 24 të cilësuar si dy kapitujt thelbësorë por dhe më sfidues të këtij procesi. Një pikë tjetër e rëndësishme gjatë prezantimit të saj ishte pasqyrimi dhe përshkrimi i metodologjisë dhe realizimit të Dëftesave të Nivelit të Progresit dhe Përgatitjes së Shqipërisë për Kapitullin 23,24 dhe Kriterin Politik të realizuara nga hulumtuesit e EMA në kuadër të Qendrës Burimore.
Sesioni i radhës, u drejtua nga Geron Kamberi, Ekspert për Integrimin Europian, i cili prezantoi rolin e shoqërisë civile dhe mundësitë për përfshirje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai shpjegoi disa nga temat si, procesi screening (si funksionojnë takimet shpjeguese, takimet dypalëshe dhe raportimi). Në rastin e Shqipërisë e cila hapi negociatat zyrtarisht më 19 korrik 2022, ai theksoi se Shqipëria momentalisht ndodhet në fazën e takimeve dypalëshe të cilat pritet të përfundojnë fund të këtij viti, ndërkohë që Raporti Screening i Komisionit Europian për Grupimin e parë të Kapitujve – Çështjet Themelore pritet të publikohet gjatë periudhë maj-qershor 2023. Një element i rëndësishëm gjatë prezantimit, ishte dhe përshkrimi i strukturës së negociatave të ngritur në 2019 dhe që është përditësuar në vitet në vazhdim, ku vëmendje iu kushtua Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) si e vetmja hapësirë ku aktorë të shoqërisë civile mund të përfshihen dhe të angazhohen, e të kontribuojnë me diskutime, rekomandime si dhe të monitorojnë procesin e negociatave. Në përfundim ai u shpreh se përfshirja e OSHC-ve në proces është shumë e rëndësishme për të përfaqësuar interesat e grupeve dhe për të ofruar ekspertizën e tyre, nga ku do sillte një proces efektiv.
Në sesionin e fundit, Geron Kamberi, foli për mundësitë për mbështetje dhe grante nga BE për Shoqërinë Civile. Ai shpjegoi në mënyrë të detajuar mundësitë për financim dhe projekte nga Bashkimi Europian për OSHC-të në Shqipëri, me fokus të veçantë te fondet IPA si fonde të dedikuara për vendet kandidate dhe ku dha dhe këshilla praktike për aktorët e interesuar se si të jenë të informuar dhe të përgatiten për aplikime të suksesshme të këtyre thirrjeve të BE. Korniza e programimit IPA III i referohet gjerësisht mbështetjes për shoqërinë civile, si ndërsektorale dhe si prioritet specifik tematik. Ai gjithashtu listoi disa nga Programet Komunitare të BE ku Shqipëria merr pjesë si vend i asociuar, ku disa prej tyre janë: Erasmus+, Creative Europe, Horizon Europe etj.
Një hapësirë dedikuar diskutimit me pjesëmarrësit shënoi fundin e këtij takimi, ku pyetje dhe komente erdhën nga të pranishmit sidomos të interesuar për mundësitë e përfshirjes në PPIE si dhe mundësitë për grante nga fondet e BE.