Raport Monitorimi: Monitorimi i reformës në administratën publike (RAP) – Zhvillimi dhe Koordinimi i Praktikave në Zhvillimin Rajonal, korrik 2022
Raporti analizon zhvillimin e politikave dhe procesin e koordinimit për politikat e zhvillimit rajonal dhe kohezionit në Shqipëri. Ekzistojnë dy institucione përgjegjëse për politikat e ZhRK-së në Shqipëri: Kryeministria (specifikisht Zyra e zv. Kryeministrit) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh), një institucion i themeluar në 1993. Për të vlerësuar kriteret e Zhvillimit dhe Koordinimit të Politikave, të bazuara te Parimet e Administratës Publike të SIGMA-s, raporti ndjek një strukturë standarde të themeluar nga metodologjia e WeBER 2.0.
Ky raport bazohet tek analizat e 15 kritereve për tri aktet ligjore të përzgjedhura. Pjesë e kësaj analize ishin Ligji nr. 102/2020, mbi ‘Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin’, VKM-ja nr. 459, 30/07/2021 “Mbi përkufizimin e rajoneve zhvillimore në Shqipëri dhe kufijve të tyre” dhe draft-politika për “Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin”. Vlerësimi për këto tri dokumente përfshiu ekzaminimin e procedurave fillestare (ex-ante) dhe të proceseve të konsultimit të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse /drejtuese (Zyra e Kryeministrisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FShZh). Për vlerësimin e secilit kriter, është kryer një analizë përshkruese, bazuar mbi dokumentet përkatëse dhe në sajëtë intervistave me përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Kryeministrisë, duke sqaruar procedurat e hartimit dhe vënies në zbatim të legjislacionit në bazë të politikave të ZhRK-së. Raporti përfundon me disa rekomandime të përgjithshme.
Kur flasim përgjithësisht për procesin e konsultimit dhe zhvillimit të politikave, mund të dalim në përfundimin se janë vënë re disa sfida gjatë procesit të monitorimit. Kjo pasi politikat e ZhRK-së në Shqipëri janë një fushë e re dhe janë institucionalizuar dhe zyrtarizuar në kuadrin ligjor e institucional vetëm në vitet e fundit. Ligji mbi ZhRK-në u miratua në 2020, ndërkohë që vetë procesi i miratimit të akteve nënligjore është në vazhdim e sipër. Gjatë vlerësimit të kritereve, dilet në përfundimin se nga 15 kritere në total, 1 kriter përmbushet plotësisht, 8 kritere përmbushen pjesërisht dhe 6 kritere nuk përmbushen.
*Raporti është realizuar nga hulumtuesit e EMA, në kuadër të projektit WeBER 2.0 që zbatohet nga rrjeti TEN – Think for Europe Network dhe financohet nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë.