Seritë e Integrimit Europian – Java e parë, 3-10 korrik 2020

Në kuadër të projektit: “Shqyrtimi i ndikimit të Integrimit Europian në dimensionin Socio-Ekonomik të Shqipërisë” zhvilluar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me ELIAMEP në Greqi, 12 webinare u zhvilluan gjatë muajit korrik 2020  si pjesë e Serive të Integrimit Europian.

Webinar  1, 2 korrik 2020 – kishte si folës kryesor Dr. Dimitar Bechev, Kërkues Shkencor në Universitetin e North Carolina dhe ekspert në çështjet e integrimit europian për Bullgarinë dhe Rumaninë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë aktivitet fokusi qendor ishte mbi Integrimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në Bashkimin Europian, Dr. Bechev theksoi që Bashkimi Europian monitoron vazhdimisht shtetet të cilat janë janë bërë pjesë e Bashkimit Europian, nëpërmjet Mekanizmit për Verifikim dhe Bashkëpunim. Ky mekanizëm analizon veprimtarinë e shteteve, të cilët nuk kanë treguar shumë përgjegjshmëri. Dr. Bechev tha që Bullgaria ka patur një hiperinflacion gjatë dimrit të vitit 1997 si pasojë e skemave piramidale që ishin përhapur në atë periudhë. Anëtarësimi në Bashkimin Europian ka shpëtuar ekonominë dhe shtetin fiskal të Rumanisë dhe Bullgarisë. Këto shtete kanë përfituar shume fonde nga Bashkimi Europian si dhe janë bërë shumë investime për ti sjellë ato në nivelin e shteteve të tjera europiane. Dimitar Bechev thekson që anëtarësimi i këtyre dy shteteve qe një dështim që në fillim dhe ky rrugëtim paraqet nje tablo kaotike. Një nga pjesëmarrëset, Erida Zenelaj shtroi një pyetje me interes për dëgjuesit, se si Rumania dhe Bullgaria angazhuan shoqërinë civile për të marrë pjesë ne procesit e negociimit? Dr. Bechev u përgjigj se angazhimi i shoqërisë civili ka qënë një proces i gjatë por me vullnet nga grupet e interesit.

Webinar 2, 7 korrik 2020 – me temë kryesore krijimin e qyteteve miqësore për rininë, me folës Babis Papaioannou, Kryetar i Monitorimit të Aktiviteteve Rajonale të Sekretariatit të Përgjithshëm për Arsimin Profesional, Trajnimin dhe Mësimin në Afatgjatë pranë Ministrisë së Arsimit në Greqi, si dhe ekspert në krijimin e politikave rinore në nivel lokal. Në prezantimin e tij ai ofroi fakte interesante ku theksoi që rinia europiane shihet si ajo kategori e popullsisë që është më e edukuara por niveli i papunësisë është më i larti. Për të zgjidhur këtë problematikë sipas z. Papaioannou sugjerohet të krijohet një qytet me fokus te rinia, ku politikat e ndërmarra të synojnë fuqizimin dhe përfshirjen e tyre, pra krijimin e një qyteti miqësor me rininë.  Ky plan mund të zhvillohet duke marrë parasysh katër hapa. Hapi i parë, ofrimi i mbështetjes financiare për sektorin e të rinjve. Hapi i dytë, krijimi i departamenteve ose shoqatave të ngritura posaçërisht për rininë. Hapi i tretë, përfshirja e të rinjve në njësitë bashkiake ku të kontribuojnë e të ndihmojnë në menaxhimin e tyre. Hapi i  katërt, zhvillimi i një plani strategjik rinor. Këto hapa mund të ndërmerren duke gjetur një kryebashkiak mendje-hapur dhe me fonde të ndryshme të mundësuara nga BE apo vendet anëtare.

Webinar  3, 9 korrik 2020 –  me të njëjtin folës e pati fokusin e diskutimit mbi Strategjinë për Rininë Europiane. Ndërkohë që programi i parë i mbajtur për rininë Europiane ishte mes viteve ’80, programi i parë afatgjatë që është mbajtur në Europë quhej “Youth for Europe 1,2, and 3” për të cilin u parashikua një buxhet marramendës për vitet ’90 që ishte plot 400 milion Euro. Sipas Papaioannou në vitin 1997 u inagurua dhe shoqata e parë për të rinjtë Europianë që dëshironin të bënin punë vullnetare. Përgjatë viteve buxheti i programeve për rininë është rritur duke iu përshtatur madhësisë dhe projekteve të programeve. Midis viteve 2007-2013, u krijua një program i ri i quajtur “Youth in Action”, me një buxhet prej 886 milion Euro. Ndërkohë gjatë periudhës 2010-2018 Bashkimi Europian ka miratuar strategjinë e parë të quajtur “European Union’s Strategy for Youth”, në të cilën kishte 8 prioritete si: punësimi dhe sipërmarrja, përfshirja sociale, pjesëmarrja e rinisë, edukimi dhe trajnimi, shëndeti dhe mirëqenia, aktivitetet vullnetare, rinia dhe bota, si dhe krijimtaria me kulturën. Babis Papaioannou u shpreh se BE-ja ka disa agjenci me të cilat rinia europiane mund të krijojë lidhje dhe një rrjet profesional. Gjatë viteve 2016-2020, Bashkimi Europian nisi një program më të përparuar të quajtur “Erasmus+” me një buxhet 1,680 miliardë Euro. BE-ja ka prezantuar planin e ri për vitet 2019-2027, ku do të ketë vetëm tre fusha në fokusin e Strategjisë për Rininë: përfshirja, lidhja, si dhe fuqizimi i të rinjve. Buxheti i këtij programi do të jetë 3 miliardë Euro. Arsyet përse Europa po investon dhe po angazhohet kaq shumë me rininë, mund të ndahen në këto tre pika: rritje e qasjes ndaj mundësive të punësimit, të edukimit dhe trajnimit dhe mundësi më e madhe për solidaritet; lëvizshmëria për të mësuar; dhe pjesëmarrje e përfshirje.

Webinar 4, 10 korrik 2020 –  ku folësi Babbis Papaioannou në këtë webinar sqaroi më konkretisht pjesën e financimit dhe mundësitë për gjenerim të fondeve për organizatat e shoqërisë civile që punën e tyre e kanë drejtuar te të rinjtë. Mbledhja e fondeve – mbledhja e aseteve ose resurseve nga burime të ndryshme për të mbështetur një organizatë apo një projekt të caktuar. Gjatë prezantimit të tij, ai nxorri të dhëna interesante ku midis viteve 1977 dhe 2017 janë realizuar mbi 410 miliardë dollarë kontribute në mbledhjen e fondeve. Europianët dhurojnë më së shumti në sektorët e zhvillimit të fëmijve dhe sektorit shëndetësor. Shumë organizata ndërkombëtare janë duke ofruar mbështetje financiare për shoqërinë civile, disa nga ato organizata janë: BE, Këshilli Europian, OSBE, OKB, Fondacioni Euro-Aziatik, si dhe shumë të tjera. Z. Papaioannou ofroi me hapa të thjeshtë dhe procedurën që mund të ndiqet për të mbledhur dhe gjeneruar fonde: hapi i parë është kontakti me institucionet përkatëse, por përpara këtyre është e rëndësishme që propozimin që do të prezantohet duhet të jetë i  lehtë për tu kuptuar. Të tjera pika që duhet ti jenë bërë nga  organizata aplikuese janë: buxheti i organizatës, statusi i taksave të institucioneve jo-fitimprurës, databazë të të gjithë donatorëve, person i trajnuar për kërkim fondesh, materiale informuese mbi organizatën, qartësi në lidhje me përdorimin e fondeve. Para se të kërkohen fonde, këto gjashtë pika duhet të merren në konsideratë: krijimi i një plani për mbledhjen e fondeve; vlerësimi  i pikave të forta dhe të dobëta; vendosja e qëllimeve; krijimi i kalendarit për mbledhjen e fondeve; mbledhja e sa më shumë informacioneve nga organizatat e planifikuara për fonde; dhe e fundit prezantimi i punës së organizatës përmes buletineve apo gazetave online. Hapi i dytë është: Si të mblidhen fondet. Kjo mund të arrihet duke krijuar një program për kontribuesit individualë dhe duhet synuar mbledhja e fondeve nga maksimumi 5 organizata që iu afrohen më së shumti profilit të organizatës. Hapi i tretë është aplikimi për grante,  të cilat mund të gjenden duke bërë kërkime në internet, listat e fondacioneve, lidhjet, dhe organizata të tjera që bëjnë punën e ngjashme. Hapi i fundit është pritja për përgjigjet nga institucionet, pavarësisht rezultatit me rëndësi është ruajtja e lidhjeve dhe vullneti për bashkëpunime të tjera të ardhshme.

Nirvana Deliu, Lëvizja Europiane në Shqipëri prezantoi gjetjet e studimit të realizuar nga mbi borxhin e shtetit grek gjatë periudhës 2008-2016. Në këtë studim fokusi është vendosur te roli i tre aktorëve kryesorë të menaxhimit të krizës: 1) partitë politike si në rolin e qeverisë ashtu dhe ë opozitës të cilët nuk arritën të çonin deri në fund masat për reformimin e vendit, edhe pse arritën të nënshkruanin tre paketa shpëtimi për Greqinë; 2) Trojka e përbërë nga BE, BQE dhe FMN dhe roli i tyre për ofrimin e ndihmës Greqisë po dhe vendosjes së kushteve të cilësuara dhe shumë të rënda apo të padrejta; 3) qytetarët grekë të cilët u ndjenë të zhgënjyer si nga aktorët politikë brenda vendit ashtu dhe nga faktori ndërkombëtar.

Gjatë kësaj jave u prezantuan nga Anita Lushi, Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave, dhe gjetjet e para të studimit mbi perspektivat e europianizimit të Shqipërisë realizuar në disa rajone të vendit: Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan. Korçë dhe Shkodër më 100 intervistues në total, kryesisht profesionistë të rinj.  Konkretisht  u morën në analizë dy nga problemet kryesore me të cilat shoqëria shqiptare përballet sot për sot dhe po ashtu çështjet prioritare që shteti shqiptar duhet të adresojë. Ndër problemet themelore të radhitura nga të anketuarit ishin:  papunësia dhe varfëria, po ashtu shteti ligjor i dobët, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërkohë çështjet që duhet të adresohen së pari prej shtetit shqiptar u cilësuan: papunësia dhe varfëria, shteti ligjor i dobët dhe ndjekur më pas nga zhvillimi ekonomik i vendit dhe cilësia e edukimit.