Sesion trajnimi mbi pushtetin vendor në Vlorë

Në kuadër të projektit të financuar nga NED “Forcimi i demokracisë pjesëmarrëse dhe kërkesës nga të rinjtë për llogaridhënie institucionale” EMA organizoi më 5 korrik 2012, një sesion trajnimi në ambientet e Qendrës së Informimit mbi BE-së, Vlorë. Krahas pajisjes së studentëve me informacion të përgjithshëm mbi mënyrën e funksionimit të pushtetit vendor, sesioni i trajnimit  shërbeu si një  hap para përgatitor për një orientim dhe strukturim më të mirë të debatit që studentët do të zhvillojnë gjatë forumit televiziv, i cili do të organizohet në një nga mediat më të njohura lokale.

Znj. Baisa Sefa, Kërkuese politikash tek EMA, e cila iu përgjigj pyetjeve gjatë dhe pas seancës së trajnimit, ofroi informacion mbi cështjet që kishin të bënim me:

  • Strukturën e qeverisjes vendore në Shqipëri – nën të cilën u diskutua mbi kuadrin ligjor që rregullon pushtetin vendor, funksionet dhe organet vendim- marrëse në nivel  lokal.
  • Korrelacionin midis pushtetit qendror dhe atij vendor – ku prefekti luan rolin e ndërmjetësuesit midis këtyre pushteteve. Kuadri ligjor që sanksionon funksionet e Prefektit ishin në fokus të vecantë të kësaj pjesë të trajnimit.
  • Mekanizmat e demokracisë pjesëmarrëse në qeverisjen vendore – ku vëmendja u përqendrua kryesisht në zgjedhjet për organet e pushtetit vendor, si forma e drejtpërdrejtë e pjesëmarrjes në vendim-marrje. Në këtë kuadër, Këshilli Bashkak shërben si një urë lidhëse mes pushtetit vendor dhe publikut.
  • Të drejtën e informimit si instrument rregullator në marrëdhënien qytetar – pushtet vendor, e drejtë kjo e sanksionuar falë ligjit “Mbi të drejtën e informimit mbi dokumentet zyrtar”.

Trajnimi u pasua nga një diskutim i hapur mbi çështjet me të cilat studentët janë ballafaquar gjatë praktikës që po zhvillojnë në drejtori të ndryshme të bashkisë së Vlorës. Gjithashtu në mesin e problemeve të ndryshme që qyteti i Vlorës përjeton, studentët kanë zgjedhur për të analizuar më tej dhe prezantuar gjatë forumit televiziv çështjen e turizmit, një temë shumë e diskutueshme dhe e ndjeshme për opinionin publik lokal.