Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri: Sesione Trajnimi mbi Integrimin Europian të Shqipërisë dhe rolin e Shoqërisë Civile në këtë proces

Në kuadër të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, mbështetur nga Bashkimi Europian dhe që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, 12 sesione informimi do të zhvillohen në të gjithë rajonin e Shqipërisë. Këto aktivitete të zbatuara nga EMA, ku përfaqësues të saj marrin pjesë si ekspertë dhe trajnues synojnë rritjen e informimit dhe ngritjen e kapaciteteve të aktorëve të shoqërisë civile mbi çështjet që lidhen me integrimin europian të vendit dhe rolit që mund të luajë shoqëria civile në këtë proces. Ato synojnë rritjen e informimit dhe ngritjen e kapaciteteve të aktorëve të shoqërisë civile sidomos në nivelin lokal.

Trajnues të sesioneve janë z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA dhe znj. Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA. Temat kryesore të trajnimit përfshijnë: 1) Integrimi në BE i Shqipërisë: Historiku dhe momentet kryesore; 2) Krahasimi i progresit të Shqipërisë  me vendet e tjera të Rajonit të Ballkanit; 3) Analizë e detajuar dhe teknike e strukturës institucionale të vendit që do të përfshihet në fazën e negociatave dhe të mundësive dhe hapësirave për angazhim dhe përfshirje nga ana e shoqërisë civile. Me fokus strukturat e miratuara dhe krijuara si: Platforma e Negociatave.

Deri më tani janë zhvilluar tetë sesione trajnimi:

  • Sesioni i Trajnimit Online me pjesëmarrës nga Dibra organizuar në 22 maj 2020. Rreth 12 Organizata të Shoqërisë Civile morën pjësë në këtë seancë online. Përgjatë sesionit pjesëmarrësit shprehën interesin e tyre për negociatat e vendit me BE dhe si organizatat lokale mund të informohen dhe përfshihen në Tryezat e Konsultimit.
  • Sesioni i Trajnimit Online me pjesëmarrës nga Gjirokastra, Patosi dhe Vlora organizuar në 15 maj 2020. Përfaqësues nga OJQ të këtyre qarqeve morën pjesë në seancë. Ata ishin të interesuar në procesin e Integrimit Europian dhe se si BE mbështet sektorin e shoqërisë civile në vendin tonë.
  • Sesioni i Trajnimit në Fier zhvilluar më 25 shkurt 2020 me pjesëmarrjen e 17 përfaqësuesve nga shoqëria civile. Pjesëmarrësit nga organizatat e shoqërisë civile në Fier shfaqën interes veçanërisht për mundësitë për tu përfshirë në tryezat e diskutimit dhe këshillimit mbi kapitujt e ndryshëm të BE në kuadër të procesit të negociatave. Një pikë me interes ishte gjithashtu dhe diskutimi mbi sfidat që këto organizata hasin për të përfituar nga fondet IPA apo dhe për të qenë të suksesshme në aplikime dhe grante të tjera europiane apo rajonale.
  • Sesioni i Trajnimit në Lezhë zhvilluar më 20 shkurt 2020, me pjesëmarrjen e 15 përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe aktorë lokalë. Pjesëmarrësit ngritën shqetësimet e tyre për faktin që nuk organizatat lokale nuk informohen dhe nuk marrin dot pjesë në isma dhe mundësi të ndryshme grantesh. Ndërkohë problematikë është dhe fakti që publiku, e më së shumti të rinjtë janë të pamotivuar dhe të painteresuar të përfshihen në nismat që shoqëria civile organizon.
  • Sesioni i Trajnimit në Elbasan zhvilluar më 31 janar 2020, me pjesëmarrjen e 20 përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe organizata rinore.  Diskutimi me pjesëmarrësit u fokusua në mundësitë reale që ka Shqipëria për tu integruat në BE, roli dhe përgjegjësitë e BE-së për ta bërë këtë proces sa më të besueshëm dhe mbi të gjitha mënyrat që mund të përfshihet shoqëria civile për ta përshpejtuar atë.
  • Sesioni i Trajnimit në Pukë zhvilluar më 23 janar 2020 mblodhi rreth 20 përfaqësues nga shoqëria civile dhe aktorë lokalë. Diskutimi me pjesëmarrësit u fokusua në mundësitë reale të shoqërisë civile lokale në përfshirjen e procesit të integrimit, pasi sipas tyre ekziston perceptimit që ky proces është përqendruar vetëm në kryeqytet duke lënë mënjanë organizatat dhe aktorët lokalë. Interesim pati dhe për mundësitë në përfshirje të projekteve të BE në kuadër të Instrumentit të Shoqërisë Civile -IPA.
  • Sesioni i Trajnimit në Vlorë zhvilluar më 16 tetor 2019, në hapësirat e organizatës me pjesëmarrjen e 16 përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile. Gjatë diskutimit, u shtrua dhe pyetja rreth arsyeve pse procesi i integrimit në Shqipëri po tej-zgjatet në kohë. Interes kishte nga pjesëmarrësit dhe në marrjen e  informacioneve mbi mënyrat se si ata mund të përfshihen, në veçanti në programet e BE dhe me cilat struktura mund të bashkëpunojnë.
  • Sesioni i Trajnimit në Shkodër zhvilluar më 9 shtator 2019, me pjesëmarrjen e 15 përfaqësuesve të shoqërisë civile, ku në fokus të diskutimit ishin sfidat që këto organizata hasin për t’u përfshirë në procesin e Integrimit Europian. Interesim pati dhe për të marrë informacion mbi mënyrat se si ato mund të përfshihen, në veçanti te programet e BE siç janë fondet IPA dhe më specifikisht IPA Instrumenti i Shoqërisë Civile.