Takim Informues mbi Aktivitetin T.A.K.E Part në kuadër të Erasmus +, tetor 2019 Tiranë

Në takimin informues të mbajtur më datë 25 tetor 2019, mes European Movement in Albania (EMA) e 25 të rinjve të përzgjedhur për aktivitetin që pritet të zhvillohet në Napoli, në datat 11-16 nëntor, pati prezantime mbi i) organizatën dërguese EMA-n, punën e saj me të rinjtë ndër vite dhe mundësi të tjera angazhimi për periudhën në vijim ii) përshtypje dhe këshilla nga pjesëmarrësit e sesionit të qershorit në Napoli iii) informacion për organizatën pritëse italiane, programin e pritshëm në Napoli, detaje logjistike për transportin dhe qëndrimin.

Fillimisht Sonila Dubare, Hulumtuese Politikash e EMA-s bëri një prezantim të shkurtër të Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), duke u fokusuar në punën dhe projektet rinore. EMA u themelua në 2007, në përgjigje të përpjekjeve të rritura të Shqipërisë në përshpejtimin e procesit të përgatitjes për anëtarësim në BE. Duke njohur rolin dhe potencialin e të rinjve, ajo i kushton një vëmendje të veçantë iniciativave që synojnë fuqizimin e këtij brezi. EMA tashmë ka krijuar një traditë në zbatimin e projekteve përmes të cilave promovohet demokracia pjesëmarrëse dhe roli i të rinjve në këtë drejtim. Aktivitetet e EMA kategorizohen si aktivitete me natyrë informuese në sajë të portalit online EuroSpeak, leksioneve publike, debateve në TV dhe publikimeve periodike si dhe ato me fokus ngritjen e kapaciteteve. Të rinjtë pjesëmarrës në trajnim u nxitën që të përfshiheshin me projektet dhe nismat e ndryshme që EMA ndërmerr. Atyre iu bë thirrje për të përfshihen në nismat dhe projekte që EMA po organizon apo do të zbatojë në të ardhmen.

Në vijim pati një prezantim të të rinjve pjesëmarrës në takim. Prezantimi u bë në një formë loje, prezantuar nga Klea Xhaferi, praktikante e EMA, ku çdo dyshe pjesëmarrësish duhej të prezantonte personin që kishte në krahë, te të tjerët që ishin prezent. Nga 200 aplikime, janë përzgjedhur 25, ndër këta 14 femra dhe 11 meshkuj dhe mosha mesatare e grupit është 23 vjeç. Të rinjtë vijnë nga fusha studimi apo marrëdhënie pune në Drejtësi, Shkenca Politike e Sociale si dhe Inxhinieri Informatike dhe Teknologji, me qëllimin e një grupi miks, ku secili të ketë mundësi të shkëmbeje eksperienca të ndryshme.

Gjatë prezantimit pjesëmarrësit u shprehën dhe në lidhje me pritshmëritë e aktivitetit, ku mund të përmendin disa:-Të sjellin një risi në demokracinë online në Shqipëri; Krijimi i një platforme ndërkombëtare online me qëllim vendimmarrjen rajonale; Njohja e praktikave më të reja europiane lidhur me vendimmarrjen online; Dëshira për implementimin e platformave të reja në Shqipëri dhe aplikimi i tyre konkret; Nxjerrja në pah e ideve bashkëpunuese mes të rinjve shqiptarë dhe italianë.

Në vijimësi, dy të ftuarit e takimit, Loriana Bara dhe Jetnor Kasmi, si përfaqësues të grupit të sesionit të qershorit, të ngjashëm me atë që pritet të zhvillohet në 11-16 nëntor në Napoli me Institute for the Future (Itali), ndanë eksperiencat e tyre me të rinjtë duke i stimuluar në angazhimin e plotë lidhur me projektin. Jetnori dhe Loriana, të dy sëbashku zhvilluan një bashkëbisedim me pjesëmarrësit që ishin prezent, duke nënvizuar rëndësinë dhe vlerën e projektit. Ata ftuan të rinjtë të ishin aktiv në leksionet e zhvilluara dhe të respektonin rregullat e pjesëmarrjes, për të patur jo vetëm një eksperiencë ndërkulturore por dhe për të thithur sa më shumë informacione nga lektorë dhe personalitete të shquar të fushës në Itali e Europë. Ata iu përgjigjën çdo pyetje të të interesuarve dhe uruan atyre një eksperiencë me vlerë.

Nirvana Deliu, Koordinatore e Projektit T.A.K.E Part pranë EMA-s, solli informacione: 1. mbi Organizatën Italiane Institute for the Future dhe institucionet e tjera partnere në Itali si: Komuna e Napolit dhe Qendra Europe Direct dhe Instituti Italian për Studime Filozofike në Napoli, të cilat do të jenë dhe institucione mikëpritëse për zhvillimin e aktiviteteve. Gjithashtu prezantoi elementet logjistike: si akomodimi, udhëtimi, rimbursimi dhe temat e aktivitetit. Gjatë 4 ditëve aktivitetet janë parashikuar në dy formate: 1) Ligjërime nga ekspertë italianë dhe të huaj mbi e-democracy, metodat e suksesshme që janë përdorur, risitë dhe avantazhet që ato sjellin, por edhe sfidat që mund të kenë në gjithëpërfshirje apo në zbatim. Pjesa tjetër e aktiviteteve do të zhvillohen në formatin: 2) World Café ku aktorët kryesorë në diskutime dhe debate do të jenë të rinjtë. Pasditja për çdo ditë qëndrimi do t’i kushtohet ‘Zbulimit të Napolit’ (ku të rinjtë do të kenë mundësi të eksplorojnë dhe të shijojnë qytetin. Në ditën e fundit të aktiviteteve është parashikuar dhe përgatitja e YouthPass për secilin pjesëmarrës dhe nata ndërkulturore (që nënkupton që të rinjtë e dy vendeve prezantojnë vendin e tyre duke demonstruar dhe ushqimet karakteristike, vallet apo muzikën tradicionale, por dhe vendet më turistike apo dhe elemente të tjera.)
Aktiviteti u mbyll me pyetje e diskutime nga të rinjtë pjesëmarrës në lidhje me elementet logjistike por dhe tematikat dhe përgatitjen e tyre.