Takimi promovues i revistës EuroSpeak

takim promovuesMë 11 Tetor 2011,  EMA organizoi takimin promovues të revistës informative “EuroSpeak” publikuar në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES). EuroSpeak është një revistë e përdymuajshme, e pasur me informacion të përditësuar dhe analiza mbi çështje të integrimit europian, me fokus të veçantë mbi zhvillimet e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Të ftuar në këtë takim ishin: Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi dhe Z. Michael Weichert, Drejtor i Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Shqipërinë.

Takimi u hap me fjalën hyrëse të Ambasadorit të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Ettore Sequi. Në fjalën e tij Ambasadori përmendi rëndësinë e informimit të publikut mbi proceset integruese, duke nënvizuar se Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nuk është një çështje ekskluzive e politikëbërësve, por e të gjithë qytetarëve. “Qytetarët e informuar janë në faktor kyç i suksesit për Bashkimin Europian, por edhe kyçi i suksesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Qytetarët janë ata që do të ndihmojnë në formëzimin e politikave vetëm në rast se i kuptojnë ato” – theksoi Ambasadori. Lidhur me funksionin e njëkohësisht edhe misionin e EuroSpeak, Ambasadori Sequi u shpreh: “Unë kam besim se revista ‘Eurospeak’ do të përfaqësojë një investim në fuqizimin demokratik të qytetarëve shqiptarë pra në fuqizimin tuaj. Unë e mirëpres këtë revistë dhe kam shpresën se do të jetë një sukses i gjatë”.

Z. Michael Weichert, Drejtor i Friedrich Ebert Stiftung (FES) për Shqipërinë mbajti një fjalim të shkurtër mbi rolin që Fondacioni luan në kuadër të informimit të publikut si një instrument për të ndikuar në procesin vendimmarrës. Ai theksoi se Fondacioni mbështet informimin e publikut shqiptar përmes instrumenteve të ndryshëm një ndër të cilat është edhe EuroSpeak.

Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Z. Gledis Gjipali gjatë fjalës së tij shpjegoi një ndër  objektivat krysore të veprimtarisë së EMA-s     që lidhet pikërisht me informimin dhe promovimin e vlerave te BE dhe procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. Z. Gjipali theksoi se EuroSpeak është një instrument më shumë krahas instrumenteve të tjerë të aplikuara deri më tani në këtë drejtim. Një angazhim më të madh EMA i kushton informimit të të rinjve për një kuptim sa më të mirë të procesit me qëllim inkurajimin e pjesëmarrjes së tyre në debatin publik. Në përfundim të fjalës së  tij Z. Gjipali u shpreh në mbështetje të iniciativës së ardhshme “Përse na duhet integrimi në BE? ” që do të iniciohet nga  Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.

Një përshkrim më i detajua i revistës EuroSpeak u adresua për publikun nga kryeredaktorja Znj.Blerta Hoxha. Ajo u shpreh se ky buletin informativ iu drejtohet përveç se të rinjve, edhe botës akademike, komunitetit të biznesit, medias si dhe çdo personi të interesuar mbi procesin e integrimin Europian. Revista është e strukturuar në disa rubrika të tilla si: Fokus (rubrikë e cila përmban një intervistë me një personalitet të shquar shqiptar ose të huaj nga fusha e diplomacisë, politikës, ekonomisë etj. Njëkohësisht pjesë e kësaj rubrike janë edhe dy artikuj njëri mbi zhvillimet më të fundit të marrëdhënieve Shqipëri – BE dhe tjetri me fokus në ngjarjen me sensacionale në nivel botëror); Kartolinë nga BE (do të përmbajë artikuj interesant nga zhvillimet në Bruksel ose vendet anëtare të BE); Këndvështrime (rubrikë në të cilën do të ballafaqohen dy-tre opinione/këndvështrime nga personalitete të njohur në lëmin e studimeve evropiane mbi një çështje të caktuar të këtij procesi); Në pritje të aderimit (i dedikohet plotësisht të rejave më të fundit nga vendet e Ballkanit Perëndimor).

Pasqyrimin e takimit në media mund ta gjeni në faqen tonë të website, në rubrikën “EMA në Media“.