Zgjerimi në BE: Krahasim i përvojës shqiptare në procesin e Integrimit Europian me atë të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, janar 2020 Durrës

Në kuadër të projektit “Shqyrtimi i ndikimit të procesit të Integrimit Europian në dimensionin Socio-Ekonomik të Shqipërisë – duke u bazuar në eksperiencat e vendeve të rajonit”, që po zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me organizatën ELIAMEP (Greqi) me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Financimeve dhe Kontraktimeve (CFCU), të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të Fondeve IPA të Bashkimit Europian, u zhvillua në datë 28 janar 2020, në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu” aktiviteti “Zgjerimi në BE: Krahasim i përvojës shqiptare në procesin e Integrimit Europian me atë të Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë”.

Ky aktivitet pati interes dhe pjesëmarrje të lartë nga studentët e këtij universiteti. Pjesë e panelit ishte dhe Dekani i Shkencave Politike-Juridike të UAMD-së, Prof. Asoc. Dr. Andon Kume. Në fjalën e tij hapëse Dr. Kume theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të publikut për integrimin në BE si një nxitës i reformave socio-ekonomike dhe promovimi i europianizimit të vendit, sidomos në radhët e studentëve. Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i EMA bëri një prezantim të shkurtër të projektit dhe më pas fjalën e mori Dr. George Siakas, i cili punon që prej 2015 si Drejtor i Hulumtimeve në Njësinë e Kërkimeve të Opinionit Publik (PORU) në Universitetin e Maqedonisë, në Greqi; i specializuar në Opinionin Publik dhe hulumtime politikash.

Dr. Siakas u thellua në rolin që opinioni publik luan në procesin e zgjerimit. Analiza vazhdoi me ndryshimet që ky i fundit ka pësuar përgjatë viteve rreth zgjerimit të Bashkimit Europian në vende të ndryshme. Ai solli fakte interesante mbi mënyrën sesi perceptohet integrimi i Shqipërisë në BE nga vendet tanimë anëtare të Bashkimit Europian. Të dhënat e marra nga sondazhet e realizuara tregojnë që vetëm 30% e opinionit publik europian që mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërkohë që 58% janë kundër tij. Për z. Siakas element i rëndësishëm janë pjesa tjetër që mbeten (rreth 10%) që janë të pavendosur dhe në raste ku ka një imazh pozitiv për vendin mund të orientohen kah mbështetja për anëtarësim. Sa i përket shteteve ku qytetarët janë më mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë ato janë shtetet më të reja në BE si Kroacia dhe Rumania, por dhe vende e Europës Juglindore: Sllovenia, Polonia, Hungaria si edhe Suedia gjithashtu. Opinioni publik i vendeve themeltare të BE-së nga ana tjetër e kundërshton këtë anëtarësim ku qytetarët më kundërshtues janë austriakët, të ndjekur nga gjermanët, belgët dhe italianët. Ky është një fakt interesant pasi shikojmë që ka një përplasje mes asaj që kërkon opinioni publik dhe ajo që promovojnë elitat në këto vende, ku është e qartë që shtete si Gjermania apo Italia, janë ato vende ky udhëheqësit e tyre kanë ofruar mbështetjen e plotë dhe po synojnë përshpejtimin e progresit të Shqipërisë në BE.

Në përfundim fjalën e mori znj. Nirvana Deliu, Hulumtuese Politikash pranë EMA-s. Ajo bëri një prezantim të punimit realizuar nga Dr. Dimitar Bechev, në kuadër të projektit. Ky punim përqendrohet në procesin e integrimit të dy vendeve Rumania dhe Bullgaria duke e analizuar procesin me qëllim nxjerrjen e disa mësimeve që mund të marrin si Shqipëria ashtu dhe Bashkimi Europian. Për Rumaninë dhe Bullgarinë, procesi i zgjerimit ka qenë i veçantë në krahasim me vendet e tjera anëtare në BE, pasi anëtarësimi u shoqërua me një Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi (CVM) që do të monitoronte progresin e këtyre dy vendeve në fusha prioritare të konsideruara ende problematike: si lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në Drejtësi. Ky mekanizëm – si një kusht pas anëtarësimi edhe pse ishte në fuqi deri në 2019 nuk pati efektin e dëshiruar pasi Rumania dhe Bullgaria nuk treguan motivimin e duhur për të realizuar reforma të plota dhe domethënëse. Një mësim i dytë që mund të dalë nga procesi i anëtarësimit për Rumaninë dhe Bullgarinë, është fakti që elitat politike nuk duhet të jenë aktorë të vetëm e vendimmarrëse për gjithë procesin, por edhe sektorë të tjerë të shoqërisë, duke filluar nga shoqëria civile, media deri të qytetarët duhet të përfshihen e të kontribuojnë në këtë proces. Së treti më rëndësi është dhe rekomandimi për BE-në që fondet që u ofron vendeve aspirante të përdoren dhe si kushte apo sanksione në rastin kur nuk realizohen standardet e vendosura nga BE.