EuroSpeak: Covid-19, lajmet e rreme dhe menaxhimi i katastrofave, 25 shkurt 2021

Më 25 shkurt 2021, EuroSpeak organizoi Aktivitetin Informues me fokus ‘Covid-19, lajmet e rreme dhe menaxhimi i katastrofave’. Në kuadër të ciklit të aktiviteteve që do të mbahen në periudhën janar – maj 2021 me qëllim informimin mbi tematika të ndryshme, ky ishte aktiviteti i dytë.  Këto aktivitete përfshijnë ekspertë, lektorë e gazetarë dhe kontribuojnë në të menduarin kritik mbi aspekte të ndryshme të Integrimit Europian, si edhe informimin mbi çështjet dhe temat më aktuale në këtë linjë.

Aktiviteti kishte si bosht qendror informacionin dhe përhapjen e tij gjatë pandemisë, ndryshimet në mënyrat e përhapjes së informacionit dhe në vet përmbajten e tij, efektet e reflektuara në shoqëri, menaxhimin e katastrofave, si edhe panoramën e këtij prizmi në shoqërinë tonë. Pandemia nxorri në pah probleme themelore kudo nëpër botë, një ndër këto, e ndoshta me rezonancën më të madhe përtej dimensionit shëndetësor, është pikërisht shformimi dhe përhapja e informacionit. Kjo, jo thjesht për hir të komunikimit në vetvete, por në funksion të shmangies, ose minimizimit të pasojave të katastrofave natyrore. Pra, informimi i publikut është hapi i parë dhe thelbësor në menaxhimin e katastrofave. Kur ky informim humbet vërtetësinë, dhe po ashtu formësohet sipas interesave apo dëshirave subjektive të aktorëve të dorës së dytë apo tretë (pronarë mediash, gazetarë, apo persona të tjerë me qëllim dezinformimin e publikut) risku i katastrofave i tejkalon përmasat e të menaxhueshmes dhe krijon situata apo gjëndje të vështira për tu kapërcyer dhe me kosto tejet të larta.

Orientimi i aktivitetit ishte fillimisht kah njohjes me koncepte si menaxhimi i riskut të katastrofave, faktorët kontribues në minimizimin apo maksimizimin e efekteve, strategjitë e përballjes me katastrofat dhe nivelet e përgatitjes së vendeve të ndryshme. Duke vazhduar me lajmet e rreme, rolin e mediave në shpërndarjen e informacionit dhe vështirësinë e lexuesit në verifikimin e saktësisë së burimit të informacionit. Në pjesën e fundit të aktivitetit u bë panorama e menaxhimit të Covid-19 nga mediat në vendin tonë.

Folës në aktivitet ishin Dr. Elona Pojani dhe Dr. Perseta Grabova, Dr. Ilir Kalemaj dhe Suela Musta. Aktiviteti u moderua nga Anita Lushi, EuroSpeake cila në hyrje të aktivitetit dha informacion mbi EuroSpeak – revista e parë në Shqipëri e cila sjell te publiku në një gjuhë më të thjeshtë analiza cilësore dhe të pavarura në lidhje me çështjet e BE, dhe disa statistika mbi artikujt e botuar në këtë revistë në vite.

Dr. Elona Pojani, pedagoge në Universitetin e Tiranës, e nisi prezantimin e saj duke folur për riskun nga katastrofat. Ajo shpjegoi fillimisht se ekspozimi ndaj katastrofave nuk varet nga niveli i zhvillimit të një vendi por nga ana tjetër pasojat e katastrofave varen nga niveli i zhvillimit. Dr.Pojani foli dhe specifikisht për katastrofat në Shqipëri duke e konsideruar si vend me ekspozim të lartë dhe u shpreh se ato ndodhin për shkaqe natyrore dhe antropogjene. Të dhënat tregojnë se niveli i rrezikut është në rritje dhe relatitivisht më i lartë se në vendet fqinje. Ajo dha një shpjegim të detajuar mbi ciklin e menaxhimit të riskut nga katastrofat duke bërë një krahasim mes vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Rimëkëmbja për katastrofat për Shqipërinë mbështetet financiarisht nga buxheti i shtetit, donacione private ose publike dhe në huamarrje ndërkombëtare. Më tej, Dr. Pojani foli për faktorët që ndkojnë në nivelin e ndjeshmërisë së ekonomisë ndaj katastrofave.

Dr. Perseta Grabova, pedagoge në Universitetin e Tiranës, trajtoi strategjitë ex-ante dhe ex-post për sa i përket financimit në rastet e përballjes me katastrofa. Strategjia ex-ante konsiderohet më e qëndrueshme sepse cikli i menaxhimit të riskut është i plotë. Niveli i ndjeshmërisë ndaj katastrofave ndikohet edhe nga perceptimi i publikut. Znj. Grabova mori si shembull Covid-19 duke thënë se në fillim të pandemisë frika orientoi sjelljen e individëve. Megjithëse risku është i pandryshuar vërehet se kemi  një mosrespektim të masave mbrojtëse duke treguar se ka ndryshuar perceptimi i riskut. Znj.Grabova foli dhe për edukimin në Shqipëri mbi menaxhimin e riskut duke ju përshtatur axhendës së BE-së. Në përmbyllje u tha se për menaxhimin e riskut është e nevojshme të bëhen sisteme paralajmërimi të hershme, ndërgjegjësim i publikut, bashkëpunim i vazhdueshëm ndërkombëtar etj.

Diskutimet u ngritën mbi projekte të ndryshme kombëtare që mund të kombinojnë sesione informuese me praktikën në raste katastrofash natyrore. U rekomandua që të studiohet eriozioni dhe kostot e fshehura të katastrofave natyrore.

Dr. Ilir Kalemaj, nga Universiteti i  New Yorkut në Tiranë, trajtoi çështjen e lajmeve të rreme. Ai foli për përdorimin e rrjeteve sociale dhe impaktin e shtrirjes së këtyre lajmeve. Z.Kalemaj tha se një lajm i rremë është i barabartë me 19 reklama të sponsorizuara në mediat tradicionale në Amerikë. Ai ilustroi me shembuj konkretë efektet e këtyre lajmeve në jetën politike. Z. Kalemaj shtoi se individë të pasur kanë blerë media të mëdha dhe mund të ushtrojnë kontroll në shpërndarjen e informacioneve. Ai tha se transformimi i medias në epokën dixhitale duket edhe në Shqipëri, ku nuk ka një ndarje të qartë mes shtypit serioz dhe kronikës së zezë, asaj rozë etj. Një tjetër problem në vendin tonë është fragmentizmi i medias duke mos i lënë vend informimit dhe verifikimit të lajmeve në mënyrë të pavarur.

Suela Musta, gazetare, foli për mediatizimin e Covid-19 në mënyrë empirike. Ajo solli në vëmendje në studimin e saj të kryer me gazetarë të terrenit, dhe po ashtu monitorimin e bërë në disa nga televizionet më të mëdha në vendin tonë, ku rezulton se mediat janë gjendur të papërgatitura dhe nën efektin e informacionit ortek. Ajo tha se lajmet e rreme dhanë një efekt zinxhir në shëndetin mendor te individët e ndjeshëm të cilët u gjendën nën këtë trysni. Znj. Musta paraqiti përfundimet e nxjerra nga intervistat e bëra si pjesë e punës kërkimore. Ajo tha se shpesh të dhënat zyrtare nuk përputheshin me të dhënat e mbledhura në terren. Mediat kanë pasqyruar çdo informacion të mundshëm pa u kujdesur për të filtruar burimet. Në përfundim ajo dha disa sugjerime se si mediat mund të jenë të paanshme duke thënë se ka ardhur koha për të krijuar një grup gazetarësh shkencorë. Znj. Musta tha se duhet të ketë manuale për mënyrën si duhen shfytëzuar burimet në raste të tilla emergjente dhe duhet të ngrihen platforma fact-check.

Diskutimet u përqëndruan te lidhja që mund të ketë ligji anti-shpifje dhe lajmet e rreme.

Aktivitetin e gjeni online në Youtube: https://www.youtube.com/watch?v=0v30kfuOxBs