Lëvizja e Lirë, Migracioni dhe Siguria

 

Në këtë seksion do të gjeni:

  • Historikun e procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë
  • Dokumentet kryesore të procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë
  • Analizat e EMA-s mbi këtë proces
  • Raportet periodike të paraqitura nga qeveria shqiptare
  • Raportet e Vlerësimit të Komisionit Europian mbi progresin e Shqipërisë drejt plotësimit të standardeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë
  • Aktorë të tjerë që monitorojnë, analizojnë, dhe raportojnë mbi Liberalizimin e Vizave me Shqipërinë
  • Faqe interneti të dobishme

*******************************************************************************************

Informacion i përgjithshëm mbi politikën e vizave të Bashkimit Europian

  1. Zona Shengen

Zona Shengen garanton një lëvizje të pakufizuar në një hapësirë territoriale  të  përbërë nga  26 shtete (ku 22 prej tyre  janë shtete të Bashkimit Europian), ku dhe  jetojnë më shumë se 400 milion qytetarë.  Zona Shengen është e përbërë nga 42 673 km kufij ujorë dhe 7 721 km kufij tokësorë. Krijimi i zonës së Shengenit filloi në vitin 1985, kur pesë shtete europiane nënshkruan marrëveshjen e saj që konsistonte në heqjen e kontrolleve në zonat e kufijve të përbashkët. Ajo u emërtua sipas një fshati të vogël të Luksemburgut që ndodhet në pikën kufitare të Gjermanisë dhe Francës. Duke filluar si një nismë qeveritare, bashkëpunimi i Shengenit tani është i përfshirë në legjislacionin dhe  në rregullat e Bashkimit Europian. Marrëveshja u plotësua nga Konventa Zbatuese Shengen e vitit 1990 që përcaktonte heqjen përfundimtare të kontrolleve të brendshme kufitare, si dhe një seri masash të nevojshme shoqëruese. Konventa forcoi kontrollet e kufirit të jashtëm, përcaktoi procedurat për lëshimin e vizave standarde, ngriti SIS-in (Sistemin e , rriti bashkëpunimin policor në kufijtë e brendshëm dhe përmirësoi luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike.

Të  qënurit  pjesë e kësaj hapësire pa kontrolle të kufirit të brendshëm do të thotë që këto vende:

– nuk i nënshtrohen  kontrolleve  kufitare në kufijtë e tyre të brendshëm, si për shembull  kufijtë midis dy shteteve të zonës  Shengen.

– kanë mundësinë të kryejnë kontrolle të koordinuara, në bazë të kritereve të përcaktuara qartë  në kufijtë e tyre të jashtëm si për shembull ndërmjet një shteti të Shengenit dhe një shteti jo Shengen.

Si përfundim, qytetarët e Bashkimit Europian dhe shtetasit e tjerë që nuk janë anëtarë të BE-së mund të udhëtojnë lirisht brenda zonës së Shengenit dhe kontrollohen vetëm kur kalojnë kufirin e jashtëm të kësaj zone.

  1. Politika e Përbashkët e Vizave e Bashkimit Europian

Zona Shengen pa pasur një përforcim të sigurisë së brendshme rrjedhimisht nuk mund të funksionojë në mënyrë efikase, pa një politikë të përbashkët vizash që lehtëson procedurën e hyrjes së vizitorëve të rregullt në Bashkimin Europian.

Bashkimi Europian ka krijuar një politikë të përbashkët vizash për tranzitin apo qëndrimet në territorin e një shteti Shengen të tilla duke vendosur një afat kohor për jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.

Bashkimi Europian ka një listë të përbashkët të shteteve, qytetarët e të cilëve duhet të kenë vizë kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe një listë të vendeve, qytetarët e cilëve janë të përjashtuar nga kjo kërkesë.

Këto lista janë të përcaktuara në Rregulloren nr. 539/2001 dhe ndryshimet e saj të herëpashershme.

Reciprociteti për vizat – Bashkimi Europian synon arritjen e reciprocitetit të plotë të vizave me vendet jo-anëtare, shtetasit e të cilëve janë të përjashtuar nga kërkesa për vizë. Kështu, as qytetarët e Bashkimit Europian nuk duhet të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar në këto vende jashtë BE-së. Për këtë qëllim, është krijuar mekanizmi i reciprocitetit të vizave.

Marrëveshjet për lehtësimin e vizaveDeri më tani, BE-ja ka ndërmarrë marrëveshje për lehtësimin e vizave me vende të ndryshme jashtë BE-së.

Bazuar në këto marrëveshje, si qytetarët e BE dhe ato jashtë BE përfitojnë nga lehtësia për  lëshimin e vizave.  Marrëveshja për lehtësimin e vizave ndërmjet Komunitetit Europian dhe Shqipërisë ka hyrë në fuqi më 01/01/2008.

Këto marrëveshje për lehtësimin e procedurës së vizave janë të lidhura me marrëveshjet e ripranimit në BE. Marrëveshjet e ripranimit përcaktojnë procedurat për kthimin në Bashkimin Europian të personave të parregullt  të vendeve partnere jo-anëtare të BE-së  ku përfshihen shtetasit e vet dhe shtetasit e vendeve të treta apo personat pa shtetësi.

3. Avancimi  i kërkesave për liberalizimin e vizave

a. Mekanizmi i Pezullimit për liberalizimin e Vizave – Mekanizmi i pezullimit të vizave u prezantua për herë të parë si pjesë e politikës së vizave të Bashkimit Europian në vitin 2013 dhe pati si qëllim  mundësinë e pezullimit përkohësisht dhe përjashtimin nga liberalizimi i vizave për shtetasit nga vendet e treta për një periudhë të shkurtër kohe në rast të një rritjeje të konsiderueshme të migracionit të parregullt.

Në Maj të 2016-ës, Komisioni propozoi të rishikojë rregullat ekzistuese në mënyrë që të forconte më tej këtë mekanizëm. Masat e reja i lejojnë Bashkimit Europian të reagojë më efektivisht dhe në mënyrë më fleksibël nëse përballet me një fluks migrimi që influencon një rritje të rrezikut për sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare që mund të lindin nga udhëtimi pa viza.

Sipas procedurave të ndryshuara, Komisioni tani mund të kërkojë zbatimin e mekanizmit, ndërsa më parë vetëm Shteteve Anëtare iu atribuohej kjo e drejtë.

Përveç kësaj, mekanizmi i rishikuar gjithashtu paraqet disa detyra për Komisionin të tilla si:

– të monitorojë  kërkesat e vazhdueshme  për liberalizimin e vizave.

– të raportoj në mënyrë të përpiktë  për këto kërkesa  të vazhdueshme  në Parlamentin Europian dhe në Këshill.

Mekanizmi  i pezullimit u miratua në shkurt të 2017-ës dhe hyri në fuqi më 28 mars të 2017-ës.

Mekanizmi i pezullimit mund të zbatohet prej rrethanave të mëposhtme:

– një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) të migrimit të parregullt, përfshirë personat e gjendur në mënyrë ilegale dhe personat që u refuzohet hyrja në kufi;

– një rritje e konsiderueshme (më shumë se 50%) të kërkesave të pabazuara për azil .

– një zvogëlim i  politikave të bashkëpunimit në procesin e ripranimit, sidomos në një shkallë më të lartë refuzimi për aplikimet e ripranimit;

– një rrezik në rritje për sigurinë e brendshme të Shteteve Anëtare, në veçanti prej veprave të rënda penale.

Raportet nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave
Komisioni raporton çdo vit për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia), si dhe vendet e Partneritetit Lindor (Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina). Raporti është një vlerësim i progresit nën mekanizmin e ri të pezullimit për tetë vendet që përfitojnë nga lëvizja pa viza sipas skemës së liberalizimit të vizave. Periudha e vlerësimit fillon me datën e miratimit të Raportit të Parë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizmit Vizave në dhjetor 2017. Ky raport përqendrohet në fusha specifike ku veprimet e mëtejshme janë të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e progresit të arritur.

Raporti i Pestë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2022– Komisioni raporton për një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të ngushtë midis Shqipërisë, Shteteve Anëtare dhe agjencive të BE-së në marrjen e masave për zbatimin e rekomandimeve të raportit të 4-të në lidhje me çështjet e migrimit (si migrimi i parregullt, azili, kthimet dhe ri-integrimi), bashkëpunimin gjyqësor, rendin dhe sigurinë publike. Ndër rekomandimet për vitin e ardhshëm, raporti nxjerr në pah fushat ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për përafrim me politikat e BE-së. Komisioni nënvizonte rëndësinë e harmonizimit të politikës së vizave të Shqipërisë me listën e BE-së për vendet e treta për të cilat vizat janë ende në fuqi (veçanërisht për ato që kanë emigrim të parregullt ose që përbëjnë rrezik sigurie) dhe moszbatimi i skemës së dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj.

Raporti i Katërt nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2021  Shqipëria ka marrë masa për të adresuar rekomandimet e Komisionit. Megjithatë, nevojiten veprime të mëtejshme për të trajtuar çështjen e kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare.

Raporti i Tretë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2020 –Ky raport tregon se Shqipëria ka ndërmarrë masa ndaj problematikave të identifikuara në raportin e dytë dhe standardet e liberalizimit të vizave vazhdojnë të përmbushen. Një progres i mirë është arritur në zbatimin e aksioneve për të trajtuar migrimin e parregullt, duke përfshirë përforcimin e kontrolleve kufitare. Përkundër uljes së shkallës së kthimit të migrantëve, bashkëpunim  për riatdhesimin duhet të vazhdoj dhe duhet të ruhet, si dhe bashkëpunimi me shtetet anëtare të BE-së mbi migracionin . Në të njëjtën kohë, duhen përpjekje të mëtejshme për të siguruar përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e rezultateve, veçanërisht në lidhje me aplikimet të pabazuara për azil dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Raporti i Dytë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2018 – Ky raport tregon se kërkesat për liberalizimin e vizave për vendet përkatëse vazhdojnë të përmbushen, por që masat – në disa raste të menjëhershme – kërkohen, për vendet, në fusha specifike. Të tetë vendet kanë ndërmarrë masa për të trajtuar migracionin e parregullt, megjithatë janë të nevojshme përpjekje të mëtejshme për të siguruar qëndrueshmëri. Nga ana tjetër, Raporti vlerëson se pavarësisht nga masat e marra për të luftuar krimin e organizuar, përpjekjet e mëtejshme të forcuara janë të nevojshme nga të gjitha vendet.

Raporti i Parë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave 2017 – Të tetë vendet kanë demonstruar angazhim të plotë për të përmbushur kërkesat e nevojshme dhe kanë ndërmarrë masa të rëndësishme për të zbatuar një numër reformash të gjera dhe të përcaktuara në procesin e liberalizimit të vizave. Komisioni konsideron se të gjitha vendet e vlerësuara vazhdojnë të përmbushin standardet e liberalizimit të vizave.

b.ETIAS – Shqetësimet e fundit të sigurisë ne lidhje me terrorizmin dhe krizën e emigrantëve kanë kërkuar  një menaxhim më të mirë të situatës se cilët persona po hyjnë në kufijtë e Bashkimit Europian. Për të reduktuar procedurat dhe kohën e pritjes, si dhe për të adresuar shqetësimet e sigurisë, Komisioni Europian  ka dalë me një zgjidhje të quajtur – ETIAS. Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Kjo do të thotë se ETIAS  zbulon  nëse një person është një kërcënim apo jo në çfarëdo lloj mënyre për sigurinë e vendeve të Shengenit. Kjo masë sigurie  bën që personit të dyshuar  ti  mohohet hyrja dhe shmanget kërcënimi brenda kufijve të Bashkimit Europian.

ETIAS  shërbimi  për Sistemin Europian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

Është një sistem tërësisht elektronik i cili lejon dhe ruan në sistemet e veta  gjurmët e vizitorëve nga vende që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Zonën Shengen.

Në njëfarë mënyre, është i ngjashëm me Sistemin elektronik të SHBA për Autorizimin e Udhëtimit të quajtur ESTA, i cili shërben po ashtu për një qëllim të ngjashëm. Procedurat ligjore për ETIAS kanë filluar në vitin 2016 dhe sistemi pritet të futet në fuqi deri në vitin 2020.

ETIAS do të ushtrojë  një kontroll të hollësishëm të sigurisë për secilin aplikant për të përcaktuar nëse mund tu lejohet të hyjnë në Zonën Shengen. Meqenëse qytetarët e vendeve që nuk kanë nevojë për vizë për udhëtime deri në 90 ditë në BE nuk kanë nevojë të kalojnë nëpër një proces të gjatë të aplikimit për vizë, ETIAS do të sigurojë që këta njerëz nuk janë kërcënim për sigurinë.

Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, do të mbajë gjurmët dhe do të përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët, për të përcaktuar nëse është e sigurt për ata të hyjnë në vendet e Shengenit. Do të jetë e detyrueshme për të gjitha vendet që janë pa viza, duke përfshirë Shqipërinë apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sistemi ETIAS do të jetë i thjeshtë për t’u përdorur dhe do të kursejë kohë për aplikantët. Ata që duan të marrin miratimin e aplikimit të tyre, do të duhet të ndjekin këto hapa për të aplikuar për ETIAS të cilat janë :

  1. Plotësimi i formularit të aplikimit – Formulari ETIAS pritet të marrë rreth 20 minuta për të plotësuar. Do të jetë online kështu që shmang procedurat e komplikuara të shkresave;
  2. Dorëzimi i aplikimit – Kur e plotësoni aplikimin, duhet të paguani tarifën (është planifikuar të kushtoj rreth 7 €) dhe ta dorëzoni atë.

Nëse ajo që keni plotësuar në formularin e aplikimit është e saktë dhe nuk përbën rrezikshmëri për ETIAS, atëherë aplikimi  miratohet.

  1. Raportet e Monitorimit të Liberalizimit Pas Vizave të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor:

Komisioni Europian, raporti i pestë mbi monitorimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor 2015

Komisioni Europian, Raporti i katërt mbi monitorimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor 2013

Komisioni Europian, Raporti i tretë mbi monitorimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor 2012

Komisioni Europian, Raporti i dytë mbi monitorimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor 2011

Komisioni Europian, Raporti i parë mbi monitorimin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor 2011

  ***

Historiku i procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë

10 korrik 2020 – Komisioni Europian publikon Raportin e Tretë nën Mekanizmin e Pezullimit të Liberalizimit të Vizave.

11 qershor 2020– Komisioni Europian rekomandon lehtësim gradual të kufizimeve të lëvizjes për disa vende, duke përfshirë dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

17 mars 2020 – BE vendos mbylljen e kufirit të saj të jashtëm për të paktën 30 ditë për të jgithë qytetarët e vendeve të treta, përfshirë dhe Shqipërinë në kuadër të masave kundër Covid-19.

3 qershor 2019 – Komisioni Europian refuzon kërkesën e Holandës për rikthimin e vizave për Shqipërinë

31 maj 2019 – Holanda i bën kërkesë Komisionit Europian për vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë.

19 dhjetor 2018 – Komisioni Europian prezanton Raportin e dytë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit, duke vlerësuar Shqipërinë pozitivisht për masat e ndërmarra ndaj migracionit të parregullt.

20 dhjetor 2017 – Komisioni Europian paraqet Raportin e tij të parë në kuadër të Mekanizmit të Pezullimit të Liberalizimit të Vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Partneritetit Lindor. Në lidhje me Shqipërinë ai thekson që vendi ka vazhduar të përmbushë kritetret por kërkohet implementim më i mirë i masave të ndërmarra.

30 Maj 2011 – KE paraqet “raportin e monitorimit për periudhën e post-liberalizimit të vizave“, i cili vlerëson progresin e bërë nga pesë vendet e Ballkanit Perëndimor në vazhdueshmërinë e reformave të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave.

Prill 2011 – Ekspertët e Komisionit dhe të Shteteve Anëtare vizitojnë Shqipërinë për të verifikuar zbatimin e vazhdueshëm të standarteve të Udhërrëfyesit.

24 – 25 Shkurt 2011 – KE i paraqet Këshillit të Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme mekanizmin e monitorimit, i cili vlerëson zbatimin e masave të ndërmarra nga vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë procesit të liberalizimit të vizave afatshkurtër.

15 Dhjetor 2010 – Hyrja në fuqi e regjimit pa viza për qytetarët shqiptarë.

8 Nëntor 2010 – Këshilli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme voton pro heqjes së regjimit të vizave afatshkurtër për qytetarët shqiptarë. Ndërkohë, Komisioni inicion një mekanizëm të ri monitorimi për të vëzhguar zbatimin e vazhdueshëm të standardeve të Udhërrëfyesit, si dhe fluksin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria drejt vendeve të hapësirës Shengen.

6 – 7 Tetor 2010 – Parlamenti Europian voton në favor të heqjes së regjimit të vizave për Shqipërinë me 538 vota pro dhe 47 kundër.

14 Shtator 2010 – KE paraqet Raportin e katërt të Vlerësimit, i cili arrin në përfundimin se Shqipëria ka përmbushur kërkesat e mbetura dhe si rezultat KE propozon heqjen e regjimit të vizave afatshkurtër.

Korrik 2010 – KE paraqet propozimin legjislativ për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë bazuar në përfundimet e raportit të vlerësimit të misioneve të fundit të ekspertëve.

27 Maj 2010 – KE prezanton një propozim legjislativ duke sugjeruar udhëtimin pa viza për qytetarët shqiptare, me kusht që vendi të përmbushë standardet e mbetura deri në hartimin në muajin shtator të Raportit të Vlerësimit.

19 Prill 2010 – KE jep një vlerësim të ri (Raporti i Vlerësimit të katërt) për Shqipërinë, duke treguar progres thelbësor drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit. Mbetet për t’u adresuar një numër i kufizuar standardesh.

Janar – Shkurt 2010 – Ekspertët e BE-së kryejë një vlerësim të dytë në terren për Shqipërinë në kuadër të kapitullit dy dhe tre të Udhërrëfyesit drejt Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë.

27 Nëntor 2009 – KE paraqet Raportin e tretë të Vlerësimit tek Qeveria shqiptare.

16 Korrik 2009 – KE i propozon Këshillit të Ministrave të BE heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

18 Maj 2009 – KE paraqet Raportin e dytë të Vlerësimit tek Qeveria shqiptare.

Janar – Prill 2009 – KE dhe Shtetet Anëtare kryejnë një vlerësim në terren mbi progresin e bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit .

24 Nëntor 2008 – KE paraqet Raportin e parë të Vlerësimit mbi progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë.

1 Shtator 2008 – Qeveria shqiptare paraqet Raportin e parë të Gatishmërisë, i cili vlerëson progresin e arritur drejt përmbushjes së standardeve të Udhërrëfyesit.

3 Qershor 2008 – Komisioni Europian (KE) parashtron Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave për Shqipërinë, i cila paraqet zyrtarisht një hap konkret drejt udhëtimit pa viza për qytetarët shqiptarë. Udhërrëfyesi përcakton 42 standarde të ndara në 4 kapituj: 1. siguria e dokumenteve; 2. migrimi ilegal; 3. rendi dhe siguria publike; 4. çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore.

7 Mars 2008 – Z. Franco Frattini, Komisioneri i BE-së nga Këshilli i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme (JHA), lancon dialogun drejt liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian.

1 Janar 2008 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave (MLV), e cila shënon hapin e parë konkret drejt një regjimi pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

1 Maj 2006 – Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ripranimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Europian.

20 Nëntor 2006 – Hapja e negociatave për Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave (MLV) dhe Marrëveshjen e Ripranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

14 Prill 2005 – Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ripranimit ndërmjet Shqipërisë dhe Komunitetit Europian.

21 Qershor 2003 – Samiti i Selanikut harton perspektivën e Liberalizimit të Vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Dokumentet kryesore të Procesit të Liberalizimit të Vizave me Shqipërinë

Marrëveshja e Ripranimit ishte pjesë e politikës Europiane për luftën kundër imigracionit të paligjshëm, të miratuar nga Këshilli Europian. Një marrëveshje e tillë përfshin ndërmarrjet reciproke midis BE-së dhe Shqipërisë në kuadër të bashkëpunimit për kthimin e rezidentëve të paligjshëm në vendin e tyre të origjinës ose në vendin tranzit.

Marrëveshja për Lehtësimin e Vizave (MLV) kishte për qëllim lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së. Objektivi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte grupi i “faktorëve të shkëmbimit”, që përfshinte anëtarët e delegacioneve zyrtare; përfaqësues të komunitetit të biznesit; gazetarë; përfaqësues të shoqërisë civile; nxënësit, studentët dhe lektorët e universitetit që udhëtojnë për qëllime studimi dhe trajnimi; personat që marrin pjesë në aktivitete shkencore, kulturore dhe artistike, pjesëmarrësit në ekspozita ndërkombëtare, konferenca, seminare; të afërmit e emigrantëve, bashkëshortët, fëmijët, prindërit, gjyshërit, nipërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e tyre; persona të përfshirë në sporte dhe turistët. Marrëveshja ka për qëllim të sigurojë:

  • shkurtimin e procedurave për lëshimin e vizave Shengen;
  • mbajtjen e tarifës së vizës në vlerën e 35 eurove për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe heqjen e tarifës për kategori të veçanta;
  • heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike;
  • mundësinë e dhënies së vizave afatgjata dhe me shumë hyrje-dalje për kategoritë e personave që kanë shkëmbime të shpeshta me vendet e hapësirës Shengen.

Udhërrëfyesi i Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë ishte dokumenti kryesor strategjik mes BE-së dhe Shqipërisë në kontekstin e Liberalizimit të Vizave afatshkurtër. Në këtë dokument ishin përcaktuar 42 standardeve, përmbushja e të cilave do të çonte drejt heqjes së regjimit të vizave. 42 standardet ishin të organizuara në 4 kapituj/blloqe:

1. Siguria e dokumenteve
2. Migrimi ilegal
3. Rendi dhe siguria publike
4. Çështjet e marrëdhënieve të jashtme dhe të drejtat themelore

Analizat e EMA-s mbi procesin Liberalizimit të Vizave:

Raportet periodike të paraqitura nga qeveria shqiptare:

Raporti i Parë i Gatishmërisë (shtator 2008)
Raporti i Përditësuar (12 janar 2009)
Raporti i Dytë Periodik (1 tetor 2009)
Përditësimi i Raportit të Dytë Periodik (2 nëntor 2009) dhe (16 nëntor 2009)
Masa të tjera, kapitulli 1 dhe 2 (29 janar 2010)
Përmbledhje e arritjeve (shkurt 2010)
Raport mbi standardet e mbetura të Udhërrëfyesit të Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë (25 qershor 2010)

Raportet e Vlerësimit të KE mbi progresin e Shqipërisë drejt përmbushjes së standardeve të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave për Shqipërinë:
Raporti vlerësues mbi përmbushjen e standardeve të mbetura – 14 shtator 2010

Raporti i Vlerësimeve – 19 prill 2010 

Raporti i Vlerësimeve – 27 nëntor 2009 

Raporti i Vlerësimit – 18 maj 2009 

Raporti i Vlerësimit – 24 nëntor 2008 


Aktorë të tjerë që monitorojnë, analizojnë, dhe raportojnë mbi Liberalizimin e Vizave me Shqipërinë:

Balkan Trust for Democracy, German Marshall Fund 
European Citizens Action Service 
European Stability Initiative 
Europe Without Barriers 
Group 484 – Serbia 
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM)
Qendra për Hulumtimin dhe Hartimin e Politikave (CRPM) 
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri 
Parlamenti Europian 
Këshilli i Drejtësisë së BE-së dhe Punëve të Brendshme 
Ministria e  për Europën dhe Punët e Jashtme 
Ministria e Punëve të Brendshme 
Policia e shtetit 
Populari