Konferenca e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2026, 19 qershor 2026
Më datë 19 qershor 2026, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) zhvilloi Konferencën e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian 2026, e cila iu kushtua tematikave kryesore që lidhen me Kapitullin 23 dhe Kapitullin 24 të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE. Njëkohësisht, kjo konferencë shërbeu gjithashtu si një mundësi për të prezantuar rezultatet, arritjet dhe impaktin e nismës së mbështetur nga Bashkimi Evropian: “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC ve për procesin e anëtarësimit në BE”, i zbatuar gjatë periudhës 2023–2026.
Në këtë kuadër, sesioni hapës dhe tre panelet tematike të dedikuara evidentuan bashkëpunimin e frytshëm të krijuar deri më sot me institucionet publike dhe aktorët e tjerë të rëndësishëm, të cilët përbëjnë katër komponentët kryesorë të projektit.
Në hapjen dhe përshëndetjen e Konferencës, z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi rëndësinë e krijimit të urave të bashkëpunimit dhe forcimit të ndërveprimit mes organizatave të shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe institucioneve shtetërore, si aktorë kyç në procesin e reformave dhe të integrimit europian të Shqipërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin ndër vite me institucionet publike, veçanërisht me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme, duke nënvizuar se që prej vitit 2014, në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, është ndërtuar një bashkëpunim i qëndrueshëm që ka krijuar më shumë hapësirë për angazhimin dhe kontributin e aktorëve jo-shtetërorë në procesin e negociatave. Në këtë drejtim, Gjipali falenderoi posaçërisht Ministrinë e Drejtësisë, duke e konsideruar këtë institucion një shembull pozitiv të hapjes dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile.
Gjipali shprehu gjithashtu mirënjohjen për Delegacionin e Bashkimit Europian, jo vetëm për mbështetjen e këtij projekti, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë punës së organizatave të shoqërisë civile në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, një proces që mbetet kompleks, teknik dhe shpesh sfidues. Ai falenderoi po ashtu partnerët sllovakë të Slovak Foreign Policy Association (SFPA) për mbështetjen dhe ekspertizën e ofruar përmes modelit të Konventës, duke nënvizuar se kjo përvojë ka ndihmuar në përmirësimin e praktikave të punës dhe në afrimin e modeleve më të mira europiane në procesin shqiptar të negociatave. Duke u ndalur te arritjet e projektit, Gjipali theksoi se, në bashkëpunim me partnerët EMA, AIEN, CTFI dhe SFPA, është ndërtuar një qasje e integruar që ndërthur dialogun politik, ekspertizën teknike, ngritjen e kapaciteteve, monitorimin dhe informimin publik. Në këtë kuadër, ai përmendi zhvillimin e 33 tryezave të fokusuara për Kapitujt 23, 24 dhe 5, si dhe të bashkëpunimit të ngushtë me Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian, me 1074 pjesëmarrës në total, me mbi 400 përfaqësues të shoqërisë civile, krahas institucioneve publike, akademisë, medias dhe grupeve të tjera të interesit. Gjipali vuri në dukje gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit institucional me institucione të tjera kyçe, si Agjencia e Prokurimit Publik, Autoriteti i Mediave Audiovizive, Shkolla e Magjistraturës, Agjencia e Inteligjencës Financiare, Akademia e Sigurisë, Policia e Shtetit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, të cilat luajnë rol të rëndësishëm në zbatimin e reformave dhe legjislacionit të lidhur me procesin e anëtarësimit. Në vijim, ai nënvizoi edhe komponentin e ngritjes së kapaciteteve, duke përmendur organizimin e tre edicioneve të Akademisë për Integrimin Europian dhe Negociatat (AIEN) me rreth 120 pjesëmarrës, si dhe angazhimin e 85 lektorëve përgjatë këtyre edicioneve. Po ashtu, u ndal te 16 sesionet mentoruese dhe trajnimet të fokusuara në monitorimin e reformave dhe legjislacionit, si dhe te puna monitoruese dhe analitike e realizuar në kuadër të transparencës së institucioneve të drejtësisë nga ana e CTFI. Gjipali theksoi gjithashtu fuqizimin e komunikimit me publikun dhe akademinë, përmes 20 sesioneve informuese dhe 17 forumeve diskutimi, me rreth 1000 pjesëmarrës në total, si dhe përmes publikimit të 67 artikujve në revistat Albanian Law Journal dhe EuroSpeak, 18 dokumente politikash, si dhe një pranie të shtuar në rrjetet sociale me rreth 1 300 postime dhe mbi 250 mijë persona të informuar. Në përmbyllje, Gjipali theksoi se këto arritje shkojnë përtej shifrave, pasi pasqyrojnë forcimin e një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile, ekspertëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si dhe dëshmojnë se procesi i integrimit europian bëhet më i fortë dhe më i besueshëm kur shoqërohet me transparencë, konsultim dhe pjesëmarrje kuptimplotë të aktorëve jo-shtetërorë.
Z.Andre Rizzo, i Ngarkuar me Punë, në emër të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, vlerësoi se Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit në BE. Ai u ndal te zhvillimet e fundit në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare të 26 majit 2026, duke theksuar se përmbushja me sukses e kritereve të ndërmjetme (IBAR) ka mundësuar miratimin e pozicionit të përbashkët të BE-së dhe kalimin drejt fazës së kritereve përmbyllëse për Kapitujt 23 dhe 24. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit nis me “themeloret” dhe përfundon po me to, çka e bën shtetin e së drejtës, të drejtat themelore dhe funksionimin demokratik të institucioneve elemente të panegociueshme për mbylljen me sukses të negociatave. Në vijim, Rizzo theksoi rëndësinë e përfshirjes kuptimplotë të organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë në procesin e integrimit europian, sidomos tani që Shqipëria ndodhet në një fazë më intensive dhe vendimmarrëse të negociatave. Sipas tij, pjesëmarrja e shoqërisë civile nuk duhet të shihet si një element dytësor apo formal, por si pjesë integrale e procesit, pasi këta aktorë kontribuojnë me ekspertizë, monitorim dhe përfaqësim të interesit publik. Ai solli në vëmendje edhe rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton përfshirjes së shoqërisë civile jo vetëm në vendet kandidate, por në të gjithë procesin e politikëbërjes europiane, duke theksuar se qytetarët dhe organizatat duhet të jenë pjesë e reformave që prekin vendin.
Në këtë kontekst, Rizzo vlerësoi Konventën Kombëtare për Integrimin Europian si një prej mekanizmave më të rëndësishëm konsultues të ngritur në Shqipëri, duke theksuar se ajo meriton njohje të veçantë si struktura e parë e qëndrueshme e konsultimit për çështjet e integrimit europian, e krijuar më shumë se dhjetë vite më parë. Ai nënvizoi gjithashtu sinergjinë e krijuar mes Konventës dhe Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian, si dhe rolin që këto mekanizma kanë luajtur në forcimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile, përmes tryezave të konsultimit dhe kontributit në kapituj të ndryshëm të negociatave. Në përmbyllje, ai përgëzoi partnerët zbatues për arritjet e deritanishme dhe theksoi se procesi i integrimit nuk është thjesht një proces qeveritar, por një proces që kërkon angazhimin e të gjithë shoqërisë.
Z.Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë, theksoi rëndësinë e afrimit të procesit të integrimit europian me qytetarin, duke vënë në dukje se qytetarët e përjetojnë dhe e vlerësojnë procesin ndryshe nga qasja teknike e negociatave. Sipas tij, ndërsa procesi i integrimit shpesh artikulohet në terma teknikë si kapituj, kritere dhe benchmarks, qytetarët e lidhin atë me aksesin në drejtësi, cilësinë e shërbimeve publike, efikasitetin e gjykatave dhe aftësinë e institucioneve për të ofruar përgjigje në kohë. Ai nënvizoi se sa më shumë që Shqipëria i afrohet Bashkimit Europian, aq më e qartë bëhet nevoja që transformimi real të ndodhë në nivelin e përditshëm institucional dhe shërbimeve publike, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Në këtë kuadër, ai solli si shembull procesin e vetingut në drejtësi, të cilin e vlerësoi si një ndër proceset më të gjata dhe më të thella të reformës në drejtësi në rajon, i cili ka kontribuar në rikthimin e besimit publik përmes rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Gogu theksoi gjithashtu rëndësinë e lidhjes së reformave me qytetarin dhe jo vetëm me angazhimet teknike të procesit të negociatave, duke argumentuar se termat e përdorur në kuadër të integrimit shpesh nuk janë të kuptueshëm për publikun e gjerë dhe krijojnë një hendek mes procesit institucional dhe perceptimit qytetar. Në këtë kontekst, ai nënvizoi nevojën për “përkthimin” e reformave në ndikim konkret për qytetarët, duke bërë të qartë se çfarë ndryshon në jetën e përditshme të tyre. Ai vlerësoi mekanizmat e krijuar si Konventa Kombëtare për Integrimin Europian dhe Platforma e Partneritetit për Integrimin Europian si hapësira të rëndësishme për pjesëmarrje dhe ndikim të aktorëve jo-shtetërorë në procesin e reformave, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile jo vetëm në informim, por edhe në monitorim dhe ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Në përmbyllje, Gogu theksoi se reformat në drejtësi nuk kanë vetëm dimension demokratik, por ndikojnë drejtpërdrejt në klimën ekonomike dhe investimet, duke ndikuar në sigurinë juridike, efikasitetin e gjykatave dhe funksionimin e tregut. Ai nënvizoi se anëtarësimi në BE nuk duhet parë si pikë përfundimtare, por si fillim i një faze të re, ku suksesi i vërtetë do të matet nga funksionimi i institucioneve, kultura e llogaridhënies dhe ofrimi i shërbimeve publike për qytetarët.
Gjatë fjalës së tij, z.Miroslav Wlachovský, ish- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Europiane të Sllovakisë theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë më në margjinat e Europës, por pjesë e së ardhmes europiane, duke vënë në dukje progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit dhe hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave. Ai nënvizoi se procesi i integrimit europian mbetet një prioritet i i mbështetur nga vende si Sllovakia, e cila ka shoqëruar Shqipërinë në këtë rrugëtim me modelin e Konventës Kombëtare për Integrimin Europian. Ai solli në vëmendje përvojën e vendeve anëtare të BE-së, duke përmendur procesin e Kopenhagenit dhe negociatat e suksesshme të Sllovakisë, për të theksuar se anëtarësimi në BE nuk përbën fundin e procesit, por fillimin e një faze të re përgjegjësish. Sipas tij, faza përfundimtare e negociatave është shpesh më kërkuese, pasi nuk mjafton miratimi formal i reformave, por është thelbësore që ato të prodhojnë rezultate konkrete dhe ndikim real. Wlachovský vlerësoi se Shqipëria ka ndërmarrë reforma të thella në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë reformën në drejtësi, procesin e vetingut, ristrukturimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, ai theksoi se sfida të rëndësishme mbeten, veçanërisht në drejtim të rritjes së besimit publik, adresimit të çështjeve të prapambetura në gjyqësor, si dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për të siguruar rezultate të qëndrueshme. Ai nënvizoi se sfida kryesore nuk është vetëm krijimi i institucioneve të pavarura, por garantimi që këto institucione të ofrojnë rezultate në praktikë, duke u fokusuar në perceptimin dhe përvojën e qytetarëve për drejtësinë, barazinë para ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile, akademisë dhe aktorëve të tjerë përmes nismave si Konventa Kombëtare për Integrimin Europian, duke e cilësuar këtë si një mekanizëm që transformon procesin e integrimit nga një proces qeveritar në një projekt kombëtar. Në përmbyllje, Wlachovský theksoi se sa më shumë që vendet i afrohen BE-së, aq më të larta bëhen pritshmëritë dhe niveli i kontrollit mbi rezultatet e reformave, duke nënvizuar nevojën për konsolidim të qëndrueshëm institucional dhe për një proces integrimi të mbështetur gjerësisht nga shoqëria. Ai shprehu besimin se Shqipëria po lëviz në drejtimin e duhur drejt familjes europiane.
PANELI TEMATIK 1: Forcimi i Besimit përmes Drejtësisë, Llogaridhënies dhe Transparencës
Paneli i parë tematik i Konferencës Kombëtare për Integrimin Europian 2026 iu kushtua reformave të shtetit të së drejtës, duke vënë në fokus rolin e drejtësisë, transparencës dhe llogaridhënies në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Si folës kryesor i panelit, z. Ilir Rusi, Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor, theksoi se sistemi gjyqësor ka një rol thelbësor në procesin e integrimit europian, pasi një drejtësi e pavarur, e paanshme dhe efikase përbën një nga shtyllat kryesore të shtetit të së drejtës. Ai nënvizoi se reformat e ndërmarra në sektorin e drejtësisë kanë synuar pikërisht forcimin e këtyre parimeve, duke e vendosur funksionimin e drejtësisë në themel të procesit të reformimit institucional dhe të rritjes së besimit publik. Gjatë fjalës së tij, z. Rusi evidentoi rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të institucioneve të tjera të pavarura në garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe në sigurimin e ushtrimit të drejtë të funksioneve të tij. Ai theksoi se transparenca përbën një komponent kyç të këtij procesi, jo vetëm si detyrim ligjor, por edhe si një mjet për forcimin e komunikimit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies institucionale. Në këtë kuadër, ai vuri në dukje rëndësinë e transparencës financiare dhe të përdorimit sa më efikas të fondeve publike. Gjithashtu, ai vlerësoi bashkëpunimin me Konventën për Integrimin Europian, duke e konsideruar atë një platformë të rëndësishme dialogu ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile. Duke iu referuar zhvillimeve të viteve të fundit, z. Rusi theksoi se janë rritur investimet dhe shpenzimet për përmirësimin e aksesit në drejtësi, por njëkohësisht mbeten sfida të rëndësishme, si menaxhimi i ngarkesës së gjykatave dhe garantimi i transparencës së proceseve gjyqësore. Në përfundim, ai nënvizoi se pavarësia e gjyqtarëve kërkon mbështetje të mjaftueshme financiare dhe institucionale, ndërsa pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv duhet të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të sistemit. Po ashtu, ai theksoi rolin e rëndësishëm të shoqërisë civile në promovimin e llogaridhënies dhe respektimit të ligjit. Sipas tij, administrimi efektiv i sistemit gjyqësor, forcimi i buxhetit dhe garantimi i aksesit në drejtësi mbeten ndër prioritetet kryesore për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e procesit të integrimit europian.
Z. Sami Nezaj, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, preznatoi rezultatin e kompnentin te tmbikqeyrjs se transparence buxhetore te sintiucne te drejtesise, Prezantimi paraqet rezultatet e një monitorimi të gjerë të buxhetit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, të realizuar në kuadër të një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian për forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian. Monitorimi ka përfshirë 11 institucione të drejtësisë dhe është fokusuar në mënyrën se si planifikohet, shpërndahet, zbatohet dhe publikohet buxheti i sistemit gjyqësor. Gjetjet tregojnë se buxheti i gjyqësorit ka njohur një rritje të konsiderueshme gjatë dekadës së fundit, duke kaluar nga 26.8 milionë euro në vitin 2014 në rreth 68 milionë euro në vitin 2026. Megjithatë, pavarësisht kësaj rritjeje, sistemi vijon të përballet me sfida të rëndësishme, si mungesa e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, stoku i lartë i çështjeve të pazgjidhura, infrastruktura e pamjaftueshme dhe nevojat e paplotësuara për investime. Analiza evidenton se pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 67–70%, shkon për paga dhe sigurime shoqërore, ndërsa fondet për investime dhe teknologji mbeten relativisht të kufizuara. Në të njëjtën kohë, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka raportuar vazhdimisht se nevojat reale të sistemit janë dukshëm më të larta se fondet e miratuara nga Kuvendi. Edhe pse numri i gjyqtarëve aktivë është rritur gradualisht pas reformës në drejtësi, Shqipëria vijon të mbetet nën mesataren europiane sa i përket numrit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës për frymë. Kjo reflektohet në kohën e gjatë të shqyrtimit të çështjeve dhe në nivelin ende të lartë të stokut gjyqësor. Një pjesë e rëndësishme e prezantimit i kushtohet transparencës buxhetore dhe llogaridhënies së institucioneve të drejtësisë. Monitorimi ka treguar përmirësime në publikimin e dokumenteve financiare, por gjithashtu ka evidentuar mungesa në publikimin e raporteve, përdorimin e formateve të vështira për publikun dhe mungesën e një përfshirjeje reale të aktorëve të interesuar në procesin e hartimit të buxhetit. Gjithashtu, harta e re gjyqësore ka krijuar nevoja të reja infrastrukturore, veçanërisht në Tiranë, Durrës dhe gjykatat administrative, ku mungojnë ambientet e përshtatshme për zhvillimin normal të veprimtarisë gjyqësore. Në përfundim, prezantimi thekson se rritja e financimit të sistemit të drejtësisë duhet të shoqërohet me investime më të mëdha në infrastrukturë, teknologji dhe burime njerëzore, si dhe me një proces më transparent dhe gjithëpërfshirës të planifikimit buxhetor. Një rëndësi e veçantë i kushtohet përshpejtimit të digjitalizimit përmes sistemit ICMIS, i cili pritet të përmirësojë efikasitetin e gjykatave, të rrisë transparencën dhe të sjellë kursime të konsiderueshme financiare për sistemin gjyqësor. Në këtë mënyrë, synohet që rritja e buxhetit të përkthehet jo vetëm në shpenzime më të larta, por edhe në një drejtësi më të shpejtë, më efikase dhe më të aksesueshme për qytetarët.
Znj. Emerlinda Pema, Drejtore e Drejtorisë së Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, theksoi rolin e rëndësishëm të institucionit në garantimin e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale në vend. Ajo vuri në dukje se kompetencat e institucionit janë zgjeruar ndër vite dhe se aktualisht ai mbikëqyr zbatimin e pesë ligjeve të ndryshme. Duke iu referuar bashkëpunimit me Akademinë e Studimeve Politike (ASP) në kuadër të tryezave të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian, znj. Pema evidentoi një sërë rekomandimesh të rëndësishme të adresuara gjatë këtyre diskutimeve. Ndër to, ajo përmendi nevojën për hartimin e udhëzuesve dhe fushatave sektoriale për mbrojtjen e të dhënave personale, duke theksuar se procesi i anonimizimit të të dhënave kërkon kapacitete të specializuara dhe njohuri të avancuara teknike. Në lidhje me të drejtën e informimit, ajo theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet kuptueshmëria e terminologjisë së përdorur në fushën e konfidencialitetit dhe mbrojtjes së informacionit. Për këtë arsye, është rekomanduar rritja e edukimit ligjor të qytetarëve, përmes shpjegimeve më të qarta të koncepteve kryesore dhe përdorimit të rasteve praktike. Gjithashtu, ASP ka sugjeruar forcimin e kapaciteteve të koordinatorëve për të drejtën e informimit në institucionet publike. Znj. Pema bëri të ditur se në nëntor 2025, në bashkëpunim me ASPA-n, janë certifikuar disa programe trajnimi për koordinatorët dhe grupet e tjera të interesit, me fokus zbatimin dhe interpretimin e legjislacionit përkatës. Ajo përmendi gjithashtu fushatat e ndërgjegjësimit të zhvilluara me sektorin bankar, si dhe hartimin e udhëzuesve praktikë për mbrojtjen e të dhënave personale në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe bankave. Duke iu referuar tryezës së tretë kushtuar ligjit për lobimin, znj. Pema nënvizoi disa nga sfidat e evidentuara gjatë diskutimeve, si mungesa e fondeve të dedikuara dhe nevoja për rritjen e kapaciteteve institucionale për të mundësuar monitorim më efektiv nga ana e Komisionerit. Në fund, ajo u ndal edhe te transparenca e sistemit gjyqësor, duke theksuar se Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” përbën bazën kryesore të transparencës proaktive. Në këtë kuadër, ajo përmendi Indeksin e Transparencës së institucioneve publike, sipas të cilit Këshilli i Lartë Gjyqësor është vlerësuar me “semafor të gjelbër”, duke përmbushur standardet dhe kriteret e transparencës institucionale.
Z.Tomáš Strážay, Drejtor i Shoqatës Sllovake për Politikën e Jashtme (SFPA), vlerësoi progresin e arritur nga Konventa Kombëtare për Integrimin Europian në Shqipëri dhe kontributin e saj në forcimin e dialogut ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve. Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te mënyra se si Bashkimi Europian dhe ndërgjegjësimi qytetar kanë ndikuar në hartimin dhe zbatimin e politikave publike. Sipas tij, një element thelbësor mbetet mënyra se si procesi i integrimit europian është komunikuar deri më tani, duke theksuar se ky proces përballet si me sfida të brendshme, ashtu edhe me sfida të jashtme. Në këtë kontekst, ai përmendi ndikimin e aktorëve të jashtëm, si Rusia dhe Kina, të cilët sipas tij kanë interes në dobësimin e kohezionit dhe unitetit të Bashkimit Europian. Duke iu referuar një publikimi të SFPA-së, z. Strážay identifikoi tre elemente kyçe për një komunikim më efektiv të procesit të integrimit europian: së pari, përmirësimin e mënyrës së shpërndarjes së informacionit për qytetarët dhe komunikimin e Bashkimit Europian si një komunitet vlerash dhe solidariteti; së dyti, rritjen e përfshirjes së qytetarëve dhe aksesit të tyre në proceset vendimmarrëse; dhe së treti, forcimin e vetëbesimit institucional për të identifikuar dhe adresuar hapur aktorët që synojnë të minojnë perspektivën europiane. Në përfundim, ai theksoi se komunikimi publik nuk duhet të fokusohet vetëm te sfidat dhe problemet e procesit të integrimit, por edhe te historitë e suksesit të Bashkimit Europian. Sipas tij, BE-ja vazhdon të jetë një nga modelet më të suksesshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në botë, megjithatë shumë prej këtyre arritjeve nuk komunikohen mjaftueshëm dhe nuk arrijnë të perceptohen nga publiku i gjerë.
Znj. Ana Çoba, Koordinatore Projekti, Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave, sqaroi qe gjate ketij projekti te mbeshtuet nga Bashkimi Europian jane reqalziuar tre dedic one te Akdmeides se Shteitie te Se drejtes, ku Akademia “Shteti i së Drejtës”, e zbatuar nga Akademia e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), është një program profesional për zhvillimin e kapaciteteve, i krijuar për të forcuar njohuritë dhe ekspertizën mbi shtetin e së drejtës, integrimin europian dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nëpërmjet një qasjeje multidisiplinare dhe të orientuar drejt praktikës, Akademia bashkon përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve publike, botës akademike, medias dhe sektorit privat, duke ofruar një platformë për mësim, dialog dhe rrjetëzim profesional. Gjatë tre edicioneve të saj (2023–2026), Akademia është konsoliduar si një nismë udhëheqëse në promovimin e angazhimit të informuar për reformat në fushën e shtetit të së drejtës dhe proceset e integrimit europian në Shqipëri. Gjatë tre viteve të fundit, Akademia “Shteti i së Drejtës” ka arritur rezultate të rëndësishme, duke ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm prej 121 alumni dhe duke angazhuar gjithsej 130 pjesëmarrës të përzgjedhur përmes një procesi konkurrues. Programi ka ofruar mbi 135 sesione të drejtuara nga ekspertë dhe më shumë se 150 orë mësimore, të mbështetura nga 85 lektorë dhe trajnerë. Në tre edicionet e saj, Akademia ka trajtuar tema kyçe që lidhen me shtetin e së drejtës dhe integrimin europian, përfshirë negociatat e anëtarësimit Shqipëri–BE, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore, digjitalizimin, aksesin në fondet e Bashkimit Europian dhe qeverisjen mjedisore. AIEN ka organizuar gjithashtu vizita studimore në institucione të rëndësishme, si Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian. Pjesëmarrësit kanë përfaqësuar shoqërinë civile, institucionet publike, botën akademike dhe sektorin privat. Me gratë që përbëjnë 79.2% të pjesëmarrësve, Akademia ka promovuar përfshirjen dhe barazinë, duke kontribuar njëkohësisht në forcimin e kapaciteteve profesionale, bashkëpunimit ndërsektorial dhe mbështetjes për procesin e integrimit europian dhe reformat e qeverisjes në Shqipëri.
PANELI TEMATIK 2: Lufta kundër korrupsionit dhe Mbrojtja e të Drejtave Themelore
Paneli i dytë tematik iu kushtua mbrojtjes së të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23, si dhe reformave që duhen përmbushur në funksion të procesit të integrimit europian.
Znj. Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti pranë Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), theksoi se në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian janë organizuar gjithsej 16 tryeza për Kapitullin 23 gjatë periudhës 2023-2026, financuar nga Bashkimi Evropian. Ajo nënvizoi se ky kapitull është ngritur që prej vitit 2014, por vitet e fundit është zgjeruar ndjeshëm përfshirja institucionale. Bashkëpunimi nuk është kufizuar vetëm me Ministrinë e Drejtësisë, por është shtrirë edhe te institucione të tjera të pavarura, si Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Avokati i Popullit. Gjithashtu, si anëtarë janë përfshirë jo vetëm organizata të shoqërisë civile, por edhe aktorë të tjerë të interesit si media, akademia, shoqeritë e biznesit, sindikatat, etj.
Tedi Dobi, Zëvendësministër i Drejtësisë dhe Negociator për Kapitullin 23, u ndal te rëndësia e përmbushjes së piketave të ndërmjetme për këtë kapitull, të kaluara gjatë Konferencës së Tetë Ndërqeveritare BE–Shqipëri, të mbajtur më 22 maj 2026. Ai theksoi se ky moment përbën një etapë të rëndësishme, pasi dëshmon përmbushjen e standardeve të kërkuara dhe progresin e Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Në procesin e realizimit të reformave të Kapitullit 23 janë të përfshira 73 institucione dhe 208 përfaqësues institucionalë. Krahasuar me vendet e rajonit që kanë nisur më herët negociatat, arritja e këtyre objektivave përbën një sukses të rëndësishëm. Megjithatë, sfida kryesore mbetet ruajtja e ritmit të reformave me synimin që deri në fund të vitit 2027 Shqipëria të jetë gati për mbylljen e kapitujve negociues. Krahas ritmit, po aq e rëndësishme është edhe ruajtja e standardeve të arritura. Aktualisht janë përcaktuar 14 piketa përmbyllëse për Kapitullin 23, si dhe një piketë horizontale që lidhet me monitorimin e Udhërrëfyesit për Funksionimin e Institucioneve Demokratike. Një nga nënfushat më të rëndësishme të kapitullit është lufta kundër korrupsionit, e lidhur ngushtë me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe efektivitetin e institucioneve të drejtësisë. Në lidhje me mbrojtjen e të drejtave themelore, Z. Dobi theksoi rëndësinë e garantimit të një sistemi drejtësie funksional dhe të balancuar. Ndër zhvillimet pozitive në këtë fushë përmendi dekriminalizimin e shpifjes, e cila nuk konsiderohet më vepër penale, si dhe miratimin e ndryshimeve ligjore për mediat audiovizive që synojnë rritjen e transparencës së pronësisë mediatike. Ai përmendi gjithashtu krijimin e Platformës së Dialogut të Hapur për Median, si një mekanizëm dialogu ndërmjet institucioneve shqiptare dhe aktorëve të medias, si dhe masat për rritjen e sigurisë së gazetarëve.
Znj. Ledjona Dalipaj, Drejtore e Departamentit për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Integrimin Europian pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), u ndal fillimisht te transparenca e pronësisë mediatike. Ajo shpjegoi se rregullorja për publikimin e pronarëve përfitues është në fuqi që prej prillit 2024, në përputhje me standardet europiane. AMA ka krijuar dhe publikuar në faqen e saj zyrtare një databazë transparente dhe të aksesueshme që përfshin pronarët e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të mediave audio dhe audiovizive, përfituesit fundorë, si dhe subjektet e licencuara dhe të autorizuara në sektorin audioviziv. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit është realizuar verifikimi i të dhënave për pronarët përfitues, duke garantuar saktësinë dhe transparencën e informacionit. Në këtë drejtim, nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit me QKB-në është konsideruar një hap i rëndësishëm institucional. Ndër të tjera, ajo solli në vëmendje se ka nisur puna për procesin e transpozimit dhe zbatimit të Rregullores (BE) 2024/1083 të Aktit Europian të Lirisë së Medias (EMFA). Diskutimet u fokusuan në afatet e zbatimit të EMFA-së, të drejtat dhe detyrimet e ofruesve të shërbimeve mediatike, rolin e autoriteteve të pavarura rregullatore, funksionimin e tregut mediatik dhe çështjet e përqendrimit të medias. U theksua se EMFA përbën një gur themeli për garantimin e pluralizmit mediatik, lirisë së shprehjes dhe aksesit të publikut në informacion të besueshëm. Një tjetër prioritet i AMA-s, sipas znj. Dalipaj, është edukimi mediatik. Në këtë kuadër janë zhvilluar fushata ndërgjegjësuese për fëmijët e moshave parashkollore, me qëllim rritjen e njohurive mbi median dhe përmbajtjet audiovizive. Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave të bashkërregullimit në sektor. Diskutimet trajtuan edhe procesin e përafrimit me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian (DSA), me fokus mbrojtjen e të drejtave themelore në hapësirën online, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të miturve dhe luftën kundër përmbajtjeve të paligjshme në internet. Në këtë kuadër është hartuar drafti ligjor përkatës për transpozimin e DSA-së në vend dhe parashikohen hapa konkretë për zbatimin e tij deri në vitin 2027.
Z. Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike (ASP), theksoi se, ndërsa Shqipëria avancon drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, procesi i integrimit duhet të shkojë përtej harmonizimit të legjislacionit dhe përmbushjes së kritereve teknike. Sipas tij, integrimi europian është një proces transformues që kërkon angazhimin dhe përgatitjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë, në mënyrë që reformat të jenë të qëndrueshme dhe të mbështetura gjerësisht. Ai nënvizoi se përfshirja e biznesit, dhomave të tregtisë, organizatave të shoqërisë civile, mediave, akademisë dhe grupeve të tjera të interesit është thelbësore për të garantuar një proces sa më gjithëpërfshirës dhe me ndikim konkret në jetën e qytetarëve. Në këtë kuadër, ai theksoi se secili prej këtyre aktorëve duhet të përgatitet për ndryshimet që sjell anëtarësimi në BE, duke kuptuar përfitimet, standardet, detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga zbatimi i acquis. Ai vuri në dukje se përgatitja e sektorit privat, forcimi i kapaciteteve institucionale dhe rritja e ndërgjegjësimit publik janë elemente kyçe për një integrim të suksesshëm. Z. Tase theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të komunikimit publik mbi procesin e integrimit europian, përmes informimit të vazhdueshëm, dialogut me grupet e interesit dhe krijimit të hapësirave për pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Sipas tij, vetëm një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe i mirëkuptuar nga publiku mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për reformat dhe të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
PANELI TEMATIK 3: Menaxhimi i sfidave të sigurisë – Krimi i Organizuar, Pastrimi i Parave, Migracioni dhe Kontrolli Kufitar
Znj. Nirvana Deliu, Drejtore e Projekteve e Lëvizjes Europiane në Shqipëri, hapi sesionin e fundit tematik për Kapitullin 24 ku prezantoi punën e zhvilluar në kuadër të Konventës Kombëtare për Integrimin Europian dhe Grupit të Punës për Kapitullin 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria. Ajo theksoi se ky grup pune është themeluar në vitin 2014, dhe shërben si një platformë dialogu ndërmjet institucioneve publike dhe aktorëve jo-shtetërorë. Gjatë periudhës 2023–2026 janë organizuar 10 tryeza tematike me mbi 360 pjesëmarrës, duke përfshirë përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, misioneve diplomatike, medias dhe sektorit privat. Gjithashtu, ajo nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës Financiare dhe Akademinë e Sigurisë, si edhe realizimin e sesioneve të mentorimit. Më tej, Deliu përmendi temat kryesore të trajtuara gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, menaxhimin e migracionit dhe kufijve, rikuperimin e aseteve, krimin kibernetik, mbrojtjen e fëmijëve online, bashkëpunimin policor dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese. Në këtë kuadër, ajo evidentoi se nga aktivitetet e zhvilluara janë hartuar 131 rekomandime, të fokusuara në përmirësimin e legjislacionit, forcimin e kapaciteteve institucionale, koordinimin ndërinstitucional dhe rritjen e përfshirjes së aktorëve jo-shtetërorë në proceset e reformës. Në përmbyllje, Deliu theksoi se diskutimet dhe rekomandimet e prodhuara gjatë viteve të fundit kanë kontribuar në dialogun mbi prioritetet e identifikuara në Raportet e Progresit të Komisionit Europian, raportet mbi Shtetin e së Drejtës dhe kriteret për Kapitullin 24. Ajo nënvizoi se, megjithëse Shqipëria ka shënuar progres dhe ka përmbushur kriteret e ndërmjetme për këtë kapitull, faza aktuale mbetet veçanërisht sfiduese, pasi kërkon jo vetëm miratimin e reformave, por edhe garantimin e rezultateve të qëndrueshme dhe përmbushjen e kritereve përmbyllëse. Për këtë arsye, aktiviteti synon të shërbenjë si një hapësirë reflektimi mbi arritjet, sfidat dhe prioritetet e ardhshme në kuadër të procesit të integrimit europian.
Znj. Silva Caka, Zëvendësministre e Punëve të Brendshme, paraqiti një pasqyrë të plotë të zhvillimeve në kuadër të Kapitullit 24 – Drejtësi, Liri dhe Siguri, duke theksuar se afati final për përmbushjen e piketave përmbyllëse është fundi i 2027. Ajo informoi se Shqipëria ka realizuar tashmë 14 kriteret e ndërmjetme, të cilat përbëjnë hapa të rëndësishëm në procesin e përafrimit me acquis-in e Bashkimit Europian. Caka theksoi se një nga elementet më të rëndësishëm të këtij procesi ka qenë përfshirja e shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë, me qëllim garantimin e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi dhe marrjen e kontributeve të tyre në çështje tematike dhe teknike. Sipas saj, pavarësisht sfidave, kjo qasje ka ndihmuar në rritjen e transparencës dhe cilësisë së procesit reformues. Ajo vuri në dukje se kalimi nga kriteret e ndërmjetme drejt kritereve pëmbyllëse shënon një fazë të re të procesit, ku fokusi zhvendoset nga përafrimi formal drejt zbatimit praktik dhe matjes së impaktit dhe efikasitetit të reformave. Megjithatë, ajo nënvizoi se matja e impaktit mbetet sfiduese, për shkak të mungesave logjistike dhe teknike, si dhe sfidave në koordinimin institucional dhe kapacitetet administrative. Në vijim, Caka u ndal tek zhvillimet kryesore në fushat e Kapitullit 24, duke theksuar fillimisht hartimin e strategjisë së re kundër krimit të organizuar, ku sipas saj mbetet thelbësore forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rishikimi i indikatorëve dhe masave për të siguruar një matje më të saktë të zbatimit të saj. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e “track record”-it, duke vënë theksin tek nevoja për rezultate të prekshme dhe të matshme, si dhe për reflektimin e komenteve dhe sugjerimeve të marra gjatë procesit të konsultimeve. Sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, ajo vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së shoqërisë civile dhe ekspertëve në zbatimin e strategjisë, duke mirëpritur rekomandimet dhe kontributet e tyre, veçanërisht nga organizatat që punojnë në terren dhe që mund të sjellin të dhëna statistikore dhe informacione praktike që ndihmojnë në kuptimin më të mirë të situatës. Në lidhje me luftën kundër drogës, ajo informoi për ngritjen e Observatorit për Drogat dhe Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm brenda Policisë së Shtetit, si hapa të rëndësishëm institucionalë në këtë fushë. Ndërkohë, në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve, ajo theksoi nevojën për përmirësim të mëtejshëm të strategjisë ndërsektoriale dhe planit të veprimit, veçanërisht në aspektin e kthimeve dhe forcimit të marrëveshjeve bilaterale me vendet e origjinës për ripranim dhe riatdhesim. Sa i përket terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Caka theksoi se janë ndërmarrë masa të rëndësishme për parandalimin dhe mitigimin e këtyre fenomeneve, përfshirë edhe udhërrëfyesin rajonal për Ballkanin Perëndimor, duke vënë në dukje se rastet në Shqipëri mbeten të pakta dhe deri më tani janë menaxhuar me sukses.
Z. Lutfi Minxhozi, Drejtues i Parë, Drejtoria e Integrimit dhe Planifikimit Strategjik, Policia e Shtetit të Shqipërisë, u ndal në rëndësinë e Kapitullit 24 në procesin e integrimit europian, duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave mbetet një prioritet kyç dhe një element thelbësor i forcimit të shtetit të së drejtës dhe sigurisë publike. Ai nënvizoi se procesi i integrimit ka shërbyer jo vetëm për të evidentuar sfidat ekzistuese, por edhe për të orientuar reformat drejt rritjes së kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të zbatimit në praktikë. Ai theksoi se krimi i organizuar sot operon në mënyrë gjithnjë e më të sofistikuar, duke përdorur teknologji të avancuara, rrjete financiare komplekse dhe forma të reja të fshehjes së pasurive kriminale, çka kërkon një qasje më të integruar dhe të fokusuar tek hetimet financiare, gjurmimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale. Në këtë kuadër, ai vlerësoi pozitivisht rritjen e përdorimit të hetimeve financiare në Shqipëri dhe miratimin e strategjive kombëtare në këtë fushë, si dhe zhvillimin e instrumenteve praktike për forcimin e kapaciteteve hetimore. Minxhozi u ndal gjithashtu tek krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve (ARO), duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në përafrimin me standardet europiane, ndërsa theksoi se efektiviteti i saj do të varet nga forcimi i kapaciteteve profesionale, aksesit në të dhëna, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe pjesëmarrjes në rrjetet europiane. Ai nënvizoi se Policia e Shtetit po përballet me sfida të reja të lidhura me krimin kibernetik dhe abuzimin online të fëmijëve, për të cilat janë rritur kapacitetet hetimore dhe parandaluese, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, por mbeten ende nevoja për investime të mëtejshme në teknologji, burime njerëzore dhe koordinim institucional. Në vijim, ai theksoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit me agjencitë europiane dhe mekanizmat si Europol dhe EMPACT, duke vlerësuar përfshirjen e Shqipërisë në operacione të përbashkëta, por duke nënvizuar njëkohësisht nevojën për forcim të kapaciteteve analitike, teknologjike dhe profesionale për një pjesëmarrje më efektive në arkitekturën europiane të sigurisë. Në përmbyllje, ai theksoi se procesi i integrimit europian përbën një transformim të thellë institucional që shkon përtej përafrimit ligjor, duke synuar forcimin e kapaciteteve, modernizimin e policisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve përmes rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit.
Znj. Redina Nasi, Përgjegjëse e Sektorit FINTECH, Drejtoria e Analizës Financiare, Agjencia e Inteligjencës Financiare, u ndal te sfidat e reja që lidhen me luftën kundër pastrimit të parave, duke theksuar se ky fenomen po bëhet gjithnjë e më kompleks për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe përdorimit të mjeteve të reja financiare. Ajo vuri në dukje se grupi ndërinstitucional i punës për pastrimin e parave përbën një mekanizëm të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, por edhe të bashkëpunimit publik-privat, i cili mbetet thelbësor për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve në këtë fushë. Sipas saj, përdorimi i mjeteve virtuale, fintech-ut dhe teknologjive të avancuara po i bën format e krimit financiar më të sofistikuara dhe më të vështira për t’u identifikuar dhe hetuar, çka kërkon një reagim të përshtatur institucional. Në këtë kuadër, ajo theksoi se, ndonëse Shqipëria ka bërë hapa përpara në përafrimin e legjislacionit për pastrimin e parave me standardet europiane, ky proces duhet të shoqërohet domosdoshmërisht me forcimin e kapaciteteve institucionale dhe profesionale. Në mënyrë të veçantë, ajo nënvizoi nevojën për trajnim të vazhdueshëm të stafit të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe për rritjen e kapaciteteve për hetimin e krimeve që lidhen me mjetet virtuale dhe format e reja të mashtrimit financiar e kompjuterik. Sipas saj, kjo kërkon jo vetëm ekspertizë të specializuar, por edhe përmirësim të infrastrukturës dhe mjeteve teknologjike që përdoren nga institucionet përgjegjëse. Gjithashtu, Nasi theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe orientimit praktik për aktorë të ndryshëm që mund të ekspozohen ndaj këtyre rreziqeve. Në këtë drejtim, ajo sugjeroi nevojën për hartimin e materialeve orientuese apo udhëzuesve praktikë mbi mënyrat e mbrojtjes nga mashtrimet kompjuterike dhe financiare, jo vetëm për individët, por edhe për sektorin bankar dhe komunitetin e biznesit, të cilët mbeten ndër hallkat më të rëndësishme në parandalimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara të pastrimit të parave.
Znj. Enkelejda Kallçiu, Drejtuese e Zyrës Kombëtare, Terre des Hommes në Shqipëri, u ndal te roli i organizatave të shoqërisë civile në adresimin e çështjeve që lidhen me sigurinë, mbrojtjen e grupeve vulnerabël dhe parandalimin e fenomeneve si trafikimi, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, si edhe ekstremizmi e radikalizimi. Ajo theksoi se organizata që përfaqëson ka një pozicion të veçantë, pasi nga njëra anë punon drejtpërdrejt në terren me komunitetet dhe grupet në nevojë, ndërsa nga ana tjetër bashkëpunon ngushtë me institucionet publike, duke ofruar mbështetje në forcimin e kapaciteteve teknike dhe institucionale. Sipas saj, kjo qasje e dyfishtë e bën punën e organizatave të tilla veçanërisht të vlefshme në identifikimin e problematikave konkrete dhe në mbështetjen e përgjigjeve institucionale. Në fjalën e saj, Kallçiu vuri në dukje se një nga sfidat kryesore të punës së organizatave joqeveritare është fakti që impakti i ndërhyrjeve të tyre rrallëherë është i menjëhershëm dhe i matshëm në afat të shkurtër. Megjithatë, ajo nënvizoi se fokusi i kësaj pune nuk duhet të jetë thjesht eficienca në kuptimin teknik, por garantimi i mirëqenies së qytetarëve dhe adresimi real i nevojave të tyre. Në këtë kuadër, ajo theksoi se organizatat që punojnë në terren kanë avantazhin e kontaktit të drejtpërdrejtë me komunitetet, veçanërisht me grupet e margjinalizuara dhe vulnerabël, çka u jep mundësi të kuptojnë më mirë sfidat konkrete dhe të ndërtojnë ndërhyrje më të përshtatura. Një element i rëndësishëm i ngritur prej saj ishte nevoja që komunitetet të dëgjohen dhe të përfshihen në mënyrë aktive në të gjitha fazat e adresimit të problematikave, duke filluar nga parandalimi, tek mbrojtja dhe deri te riintegrimi. Sipas saj, përfshirja e komuniteteve dhe e grupeve të prekura nuk duhet të jetë formale, por thelbësore për të ndërtuar politika dhe masa që japin rezultate reale. Në të njëjtën linjë, ajo theksoi se ndërhyrjet për çështje si trafikimi, dhuna ndaj grave dhe fëmijëve, apo ekstremizmi dhe radikalizimi, nuk mund të jenë efektive nëse mbeten ad hoc, të fragmentuara apo të kufizuara vetëm në një zonë të caktuar. Përkundrazi, ato duhet të jenë të qëndrueshme, të vazhdueshme dhe të mbështetura nga qasje afatgjata. Kallçiu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kombinimit të kapaciteteve dhe mekanizmave institucionalë me përvojën dhe qasjen e organizatave të shoqërisë civile që punojnë drejtpërdrejt në terren. Sipas saj, një bashkëpunim i tillë krijon mundësinë për ndërhyrje më efektive, pasi institucionet sjellin autoritetin dhe instrumentet formale, ndërsa organizatat e shoqërisë civile mundësojnë afrimin me komunitetet, ndërtimin e besimit dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të grupeve vulnerabël. Në këtë kuadër, ajo e konsideroi informimin dhe ndërgjegjësimin si një tjetër element thelbësor, duke theksuar nevojën që të gjithë aktorët e përfshirë, institucionet, komunitetet, organizatat dhe grupet e synuara të kenë informacionin e nevojshëm dhe të jenë të vetëdijshëm për rreziqet, mekanizmat e mbrojtjes dhe mundësitë e mbështetjes. Në përfundim, ajo vlerësoi si të domosdoshëm shkëmbimin e modeleve ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit ndërsektorial, si elemente që mund të ndihmojnë në ndërtimin e qasjeve më të plota, më të qëndrueshme dhe më efektive në adresimin e sfidave që prekin grupet më të cenueshme në shoqëri.
*Kjo konferencë u zhvillua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).



