Angazhohuni me ne

Lëvizja Europiane në Shqipëri është gjithmonë në kërkim të personave të kualifikuar, të motivuar, proaktivë dhe inovatorë të cilët mund të kontribuojnë me përvojën e tyre, profesionalizmin dhe njohuritë për të çuar më tej perspektivën europiane të Shqipërisë.

EMA fton të gjithë ata që mbështesin vlerat europiane dhe që janë të gatshëm  të bëhen pjesë e zhvillimeve pozitive, për të bashkuar energjitë me stafin e EMA-s në kuadër të promovimit të reformave dhe përmirësimin e standardeve të jetesës duke shprehur interesin e tyre në: info@em-al.org

Për anëtarët e regjistruar të organizatës sonë do të ofrohet akses në dokumentet dhe botimet të cilat do t'u ofrojnë mundësinë për të marrë një pasqyrë më të qartë në lidhje me procesin e integrimit Europian të vendit dhe politikat e BE-së. Krahas  vënies në dispozicion të bibliotekës së EMA-s, e cila përfshin një numër të konsiderueshëm publikimesh në fushën e studimeve Europiane, anëtarët do të mund të informohen të parët si dhe do të kenë preferencë në përzgjedhje mbi mundësitë për praktika, trajnime, konferenca, punë të ofruar nga EMA apo nga partnerë të saj kombëtarë dhe ndërkombëtarë.

Kujdes! EMA mbështet aktivisht të rinjtë që me interesin dhe dëshirën e tyre aplikojnë dhe duan të marrin pjesë në nisma, aktivitete, trajnime, shkolla verore, modele simulimi të organizuara nga organizata partnere të Lëvizjes Europiane në Shqipëri si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Gjithsesi, ju informojmë që të gjithë të rinjtë që janë pjesë e Rrjetit Mbështetës të EMA-s dhe kanë interes të aplikojnë në këto mundësi, të lajmërojnë paraprakisht organizatën tonë në raste kur kërkohet referencë apo kur aplikimi bëhet në emër të EMA-s. Ky lajmërim duhet të vijë me shkrim, në e-mailin zyrtar të organizatës: info@em-al.org, e pas njoftimit stafi i EMA-s do përpiqet të mbështesë me të gjitha mënyrat aplikantët.

Si anëtar i EMA-s çdo person ka mundësi të zgjerojnë kontaktet brenda rrjetit të Lëvizjes Europiane Ndërkombëtare (European Movement International), duke rritur mundësitë për zhvillim të mëtejshëm të karrierës profesionale. Organizata mirëpret të gjitha projekt-idetë e anëtarëve të saj në lidhje me fushat e aktiviteteve të EMA-s të tilla si: promovimi i vlerave europiane dhe procesi i Integrimit Europian të Shqipërisë; demokracia dhe qeverisja e mirë; dimensioni socio-ekonomik i integrimit europian; bashkëpunimi rajonal dhe pjesëmarrja e të rinjve në procesin e vendimmarrjes.

Nëse jeni të interesuar për të qenë pjesë e organizatës sonë, ju lutemi të plotësoni formularin e anëtarësimit më poshtë:

Formular Anëtarësimi EMA

Që prej vitit 2014, Lëvizja Europiane në Shqipëri ka ndërtuar  EuroSpeak,  një portal lajmesh e analizash online në gjuhën shqipe kushtuar ekskluzivisht çështjeve të BE-së. I lehtë për tu aksesuar, portali EuroSpeak është një instrument i dobishëm informacioni në veçanti për studentët, hulumtuesit e rinj, punonjësit e administratës publike të të gjitha fushave, komunitetit të biznesit dhe grupeve të tjera të interesuara në çështjet e BE-së.

EMA mirëpret të gjithë ata që janë të interesuar për të kontribuar me shkrime te tyre mbi tema të rëndësishme për t’u publikuar në portalin EuroSpeak.

Kërkesat në lidhje me artikullin:

  • Origjinaliteti i artikullit - Artikulli duhet të jetë punim origjinal i autorit/es.
  • Respektimi korrekt i rregullave të shkrimit akademik - përdorimi i shqipes standarde; gjatësia e artikullit duhet të variojë nga: 1000 – 2000 fjalë; citimi i të gjithë burimeve sipas formatit APA)
  • Temë e përshtatshme me një nga fushat dhe tematikat e përcaktuara nga kjo thirrje.
  • Qartësi në shkrim dhe ofrimi i argumenteve

Për më shumë informacion mbi  thirrjet më të fundit për artikujt të EuroSpeak dhe kriteret e shkrimit të artikujve ju ftojmë të lexoni: https://www.eurospeak.al/kontribuo-ne-es/

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) fton të gjithë të interesuarit për të aplikuar për një mundësi për të ndjekur një praktikë intensive në zyrën e EMA-s, e cila ka për qëllim njohjen për të punuar në sektorin e OJQ-ve.

Nëse je një i ri apo e re...

- të paktën në vitin e tretë të studimeve universitare me fokus (drejtësi, shkenca sociale apo/dhe ekonomike, gazetari dhe të tjera të ngjashme)

- që zotëron njohuri të mira të gjuhës angleze (ekziston mundësia që intervista të zhvillohet në anglisht).

- që ke njohuri të mira kompjuterike (paketa Micrsofot Office; rrjetet sociale; Programe editimi të fotove etj.)

- që mund të punosh në grup, si dhe në mënyrë të pavarur

- me dëshirë për të thelluar njohuritë rreth procesit të integrimit dhe politikave integruese

- që do të prekësh nga afër punën dhe aktivitetet e këtij sektori

- që ke vullnet për të vazhduar të mësosh dhe rritesh/zhvillohesh

...atëherë apliko për tu bërë pjesë e praktikës.

Si mund të aplikoni?

Mirëpresim në një nga gjuhët shqip apo anglisht Shprehjen tuaj të Interesit (max. 500 fjalë)  dhe CV  në adresën: info@em-al.org,  me Subjektin: “Aplikim për Praktikë”.

Gjithashtu çdo dokument i dërguar duhet të emërtohet: “CV ose Shprehje Interesi Emër Mbiemër i aplikantit/es” dhe duhet të jetë në formatin (Word apo PDF).

Ne i mirëpresim të gjitha sugjerimet dhe idetë tuaja që mund të përmirësojnë këtë përvojë!

!Theksojmë që periudha e praktikës është 3 muaj, nga e hëna në të premte për 4 orë. Në raste kur praktika ndërpritet në mes për arsye jo-madhore dhe pa njoftim paraprak, praktikanti/ja nuk përfiton Certifikatën dhe Vërtetimin e Praktikës.

!Pas shqyrtimit të aplikimeve, kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen për Intervistë.

***

Nga të gjitha aplikimet e dërguara në adresën e e-mailit të EMA, do të përzgjidhen 1-2 kandidatë për të zhvilluar praktikën e tyre, ku dhe do të ndihmojnë stafin në disa fusha, të tilla si: kërkimi shkencor, zbatimi i projekteve të ndryshme, menaxhimi i mediave sociale duke shkruar dhe përkthyer artikuj të ndryshëm, mbështetje administrative dhe detyra të tjera në varësi të interesit të vetë aplikantit.

Praktikantët e EMA-s kanë qasje të lirë për të përdorur dokumentet dhe botimet të cilat janë një mundësi e mirë për të pasur njohuri më të thella sa i përket Procesit së Integrimit Europian të Shqipërisë dhe politikave të BE-së. Përveç aksesit në bibliotekën e EMA-s e cila përfshin një numër të konsiderueshëm të publikimeve në fushën e studimeve europiane, praktikantët do të kenë mundësinë për t'u bërë anëtarë të Rrjetit Ndërkombëtar të Lëvizjes Europiane. Kjo do të rrisë kontaktet dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të karrierës  së tyre profesionale. Në fund të praktikës, angazhimi i  tyre do të njihet me një Certifikatë Praktike.

MODULET E INTEGRUARA PËR MEL

MONITORIMI DHE VLERËSIMI PËR POLITIKAT E SHTETIT TË SË DREJTËS

 Lëvizja Europiane në Shqipëri hap thirrjen për tu bërë pjesë e  Moduleve të Integruara për MEL - Monitorimi dhe Vlerësimi për Politikat e Shtetit të së Drejtës

Ky program synon të kombinojë forcimin e njohurive teorike, nëpërmjet realizimit të moduleve mbi MEL, me ngritjen e aftësive praktike nëpërmjet ushtrimeve, rasteve konkrete dhe detyrave të ndryshme me fokus politikat në kuadër kombëtar apo europian sa i përket shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit si çështje të lidhura drejtpërdrejt me kapitujt e parë që janë hapur për negocim me BE - THEMELORET (kapitulli 23, 24, 18, 5 dhe 32) .

Programi do t’i dedikohet rreth 25 pjesëmarrësve nga shoqëria civile, akademia dhe qendrat kërkimore, si  dhe grupeve të tjera të interesit, që synojnë forcimin e njohurive apo  kanë në qendër të angazhimit të tyre profesional procesin e monitorimit dhe vlerësimit të politikave.

Jeni të interesuar për t’u bërë pjesë e programit MEL?

Ju ftojmë të lexoni me kujdes informacionin dhe mirëpresim aplikimin tuaj!

Informacionin e plotë e gjeni në Broshurën Informative mbi Thirrjen për Modulet e Integruara për MEL

 

Çfarë përmban programi i Moduleve të Integruara për MEL?

  • Tre module 1-ditore me 4 sesione secili;
  • Ushtrime interaktive ku kombinohet i mësuari teorik me aplikime praktike;
  • Të mësuarit nëpërmjet analizës së rasteve konkrete;
  • Literaturë teorike dhe praktike e përshtatur me raste reale të politikave europiane dhe kombëtare dhe një platformë e të mësuarit online;
  • Vlerësim gjithëpërfshirës i njohurive dhe aftësive me bazë detyrat dhe punën në grup;

TEMATIKAT:  Fokusi i programit do të jenë metodikat e monitorimit dhe vlerësimit të politikave publike të ndërmarra në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, me një vëmendje të veçantë politikat e lidhura me kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 1 – Themeloret, si gjyqësori,  lufta kundër korrupsionit, ekonomia dhe punësimi, kontrolli financiar apo prokurimet publike

OBJEKTIVAT:

  • Të kuptuarit qartë të metodikës, koncepteve dhe parimeve të Monitorimit dhe Vlerësimit të reformave apo politikave publike;
  • Aftësimin teknik mbi metodat cilësore dhe sasiore të kërkimit të përdorura në monitorimin e progresit dhe vlerësimin e rezultateve të politikave publike si p.sh. dizenjimi i indikatorëve të monitorimit dhe vlerësimit, identifikimi i metodës së matjes dhe vlerësimit, mbledhja e të dhënave dhe përfshirja e aktorëve dhe grupeve të interesit në proces;
  • Zhvillimi i aftësive praktike mbi përpunimin e informacionit dhe të dhënave për të monitoruar dhe vlerësuar impaktin dhe efektivitetin e politikave;
  • Njohuri mbi mënyrën si të komunikohen rezultatet e monitorimit dhe vlerësimit te politikëbërësit dhe grupet e interesit

Programi është i hapur për:

  • Aktorë të shoqërisë civile në nivel kombëtar dhe lokal në Shqipëri që kanë në fokus monitorimin e politikave në Shqipëri të realizuara në kuadër të procesit të integrimit europian në fushën e shtetit të së drejtës dhe anti-korrupsionit
  • Përfaqësues nga akademia dhe qendrat kërkimore që janë të përfshirë në hulumtime të bazuara në të dhëna dhe në vlerësimin e impaktit të politikave
  • Përfaqësues nga sektorë të tjerë (sektori privat, shoqatat e punëmarrësve/punëdhënësve, media apo institucione shtetërore qendrore dhe lokale) me interes për procesin MEL

Vlerësimi i pjesëmarrjes dhe përfshirjes

Në përfundim të programit MEL për të gjithë pjesëmarrësit do të ketë certifikim.

Vlerësimi i pjesëmarrjes do të realizohet në mënyrë të vazhdueshme dhe është e ndarë si më poshtë:

  • përfshirja dhe përfundimi me sukses i punë-projektit i përcaktuar që në fillim të programit (50%);
  • Pjesëmarrja në të gjitha modulet (30%);
  • Realizimi i ushtrimeve gjatë sesioneve praktike dhe angazhimi në diskutim (20%)

Për pjesëmarrësit me 50 apo më shumë pikë do të shpërndahet: Certifikata e Pjesëmarrjes së Suksesshme në program.

Ku, kur dhe si të bëheni pjesë? Modulet do të zhvillohen fizikisht në Tiranë, si dhe për mentorim të vazhdueshëm një platformë online me materiale, udhëzime dhe video shpjeguese do të jetë e hapur për të gjithë pjesëmarrësit.

Programi do të zhvillohet në periudhën Nëntor  – Dhjetor 2024

Apliko duke nisur CV tënde në shqip apo anglisht në: info@em-al.org brenda datës 08 Nëntor 2024

***

MODULET E INTEGRUARA PËR MEL - Monitorimi dhe Vlerësimi për Politikat e Shtetit të së Drejtës zhvillohen nga Lëvizja Europiane në Shqipëri në kuadër të projektit ”Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE” financuar nga Bashkimi Evropian.