Ora News – Gjipali: Nuk mjafton procesi në letër, zbatimi i legjislacionit, reforma në drejtësi dhe roli i institucioneve domosdoshmëri, 11 shtator 2026

I ftuar në një intervistë televizive për “Ora News”, z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), trajtoi disa çështje të lidhura ngushtë me procesin e integrimit europian. Në qendër të intervistës ishte përmbushja e kritereve, ku sipas tij ndonëse përafrimi formal i ligjeve po ecën në rrugë të drejtë, sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë, forcimi i institucioneve dhe ngritja e strukturave të posaçme, si në fushën e sigurisë ushqimore.. Më tej, Gjipali theksoi se roli i vendeve anëtare dhe rreziku i përdorimit të vetos për çështje dypalëshe, siç janë marrëdhëniet me Greqinë, kërkojnë një diplomaci të kujdesshme për të parandaluar bllokimet në tryezën e negociatave.

Në fokus të bisedës ishte edhe lufta kundër korrupsionit, e cila vijon të mbetet pikë nevralgjike e reformave, pasi BE  nuk toleron mungesën e rezultateve në funksionimin e shtetit të  së drejtës. Kjo luftë, së bashku me atë kundër krimit të organizuar, kërkon një reagim të vazhdueshëm të sistemit dhe jo thjesht përmbushje shifrash në letër. Lidhur me situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, Gjipali u ndal te protestat qytetare, duke i vlerësuar ato si një formë e shëndetshme e presionit të brendshëm demokratik ndaj pushtetit, e cila kërkon reagim dhe adresim real të pakënaqësive shoqërore.

Ora News – Gjipali: Nuk mjafton procesi në letër, zbatimi i legjislacionit, reforma në drejtësi dhe roli i institucioneve domosdoshmëri, 11 shtator 2026