“Europianizimi i Politikave Publike në Shqipëri”- forume dhe sesione informimi
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në kuadër të programit Erasmus+ të BE-së Jean Monnet- Qendra e Ekselencës “Europianizimi i Politikave Publike në Shqipëri” (ERASMUS-JMO-2021-HEI-TCH-RSCH) ka organizuar disa forume dhe info-sesione me profesionistë të rinj nga sektorë të ndryshëm për të diskutuar mbi procesin e integrimit europian, për t’i fuqizuar ata të ndikojnë politikat në nivel lokal dhe kombëtar dhe të transferojnë njohuritë e fituara në mjedisin e tyre të punës.
Forumi “Ndikimi i BE-së në transformimin e institucioneve shqiptare” u mbajt më 14 tetor 2022. Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA komentoi Raportin e Komisionit Europian 2022 për Shqipërinë me fokus të veçantë te Kriteri Politik. Altin Fuga, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme prezantoi strukturat negociuese duke përfshirë Platformën e Partneritetit për Integrimin Europian dhe shpjegoi fazat dhe procedurat e procesit të integrimit në BE. Agim Rrapaj, Këshilli i Agrobiznesit i Shqipërisë orientoi diskutimet drejt kapaciteteve administrative të vendit tonë për të përmbushur kërkesat e BE-së për çdo kapitull. Ermelinda Kordha, Universiteti i Tiranës dha disa sugjerime lidhur me përfshirjen e akademisë në procesin e negociatave.
Sesioni informues “Europianizimi i Politikave Fiskale” u organizua më 21 tetor 2022. Folësja Av. Denarda Kenaj, specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve foli rreth legjislacionit tatimor specifikisht për marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi; ligjet tatimore; aktet nënligjore, vendimet e Këshillit të Ministrave, udhëzimet dhe urdhrat e Ministrit të Financave, si dhe regulloret dhe udhëzimet teknike të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.Kenaj u ndal më në detaje mbi ligjin për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit të faturave elektronike nga subjekte të tilla si organet publike, bankat, institucione financiare jobankare dhe të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë sipas këtij ligji
Forumi “Impakti i Procesit të Integrimit Europian në Shqipëri: Rasti i Lëvizjes së Lirë të Avokatëve dhe Promovimi i të Drejtave të Grave” u organizua më 1 dhjetor 2022. Gentjan Skara, përgjegjës departamenti/ KUQ, foli mbi rëndësinë e këtij forumi dhe shpjegoi harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Acquis e BE-së. Eriada Çela, eksperte gjinore/Universiteti i Elbasanit solli në vëmendje ndikimin e procesit të integrimit europian në promovimin e të drejtave të grave. Denard Veshi, lektor te Kolegji “Beder” i cili shpegoi më tepër rreth lëvizjes së lirë të avokatëve ku tregoi se mungon një harmonizim mes GJED dhe Dhomave Kombëtare të Avokatisë në BE mbi këtë aspekt. Ada Guven, lektore te Kolegji “Beder” bëri një përmbledhje te aktivitetit.
Forumi “Bioetika, BE dhe Integrimi Shqiptar” u organizua më 15 dhjetor 2022 në Kolegjin “Qiriazi”. Enida Bozheku, pedagoge pranë Kolegjit “Qiriazi” moderoi aktivitetin dhe foli rreth rëndësisë së këtij forumi. Endrita Shehu Hulumtuese politikash pranë EMA shpjegoi të drejtën e informimit dhe konsultimit publik në Shqipëri duke e vënë theksin te nxitja e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë së autoriteteve publike. Denard Veshi, lektor/ Kolegji Bedër shpjegoi rëndësinë e informimit të pacientëve për të drejtat e tyre duke aplikuar një qasje ndërdisiplinore.
Sesion informues “Europianizimi i së Drejtës së Punës” u mbajt më 20 dhjetor 2022. Av. Enkelejda Koka PhD e fokusoi prezantimin e saj tek paditë ndaj zgjidhjes së kontratës së punës; ndërprerja e kontratës pa shkaqe të arsyeshme dhe ajo pa shkaqe të justifikuara; procedura dhe barra e provës dhe ndikimi i së drejtës europiane së punës në legjislacionin shqiptar. Ajo foli për katër fushat kryesore të rregullimit të BE-së për të drejtat e punës: të drejtat individuale të punës, rregulloret anti-diskriminim, e drejta për informim, konsultim, pjesëmarrje në punë dhe e drejta për sigurinë në punë. Koka shpjegoi rastet e gjykatës së drejtësisë, dhe përmendi Neni 93(2) dhe 92(3 të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.
Sesion informues “Europianizimi i së Drejtës Penale të personave juridik” u organizua më 10 janar 2023. Folësi Prof. Asoc. Av Ersi Bozheku e fokusoi prezantmin e tij në përgjegjësinë penale të personit juridik në Bashkimin Europian; impaktin e legjislacionit europian në të drejtën kombëtare shqiptare; përgjegjësinë penale të personit juridik në Shqipëri; ndarjen e përgjegjësisë personale nga ajo e personit juridik si dhe arsyet pozitive e negative të së Drejtës së Krahasuar. Ai shtoi se personat juridikë, me përjashtim të institucioneve shtetërore, përgjigjen penalisht për vepra penale, të kryera në emër ose në dobi të tyre nga organet dhe përfaqësuesit e tyre.
Sesion informues “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Impakti i së Drejtës së Bashkimit Europian në Legjislacionin Shqiptar” u mbajt më 27 shkurt, 2023. Gentjan Skara, PhD e fokusoi prezantimin e tij tek e drejta e BE-së; kriteret e anëtarësimit; Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit; detyrimi për përafrimin e legjislacionit të së drejtës së brendshme me EU acquis dhe aktorët e angazhuar në përafrimin e legjislaionit. Ai u ndal fillimisht në burimet e së drejtës së Bashkimit Europian dhe foli për traktatin që krijoi Komunitetin Europian të Qymyrit dhe Çelikut; Komunitetin Europian Ekonomik; Komunitetin Europian të Energjisë Atomike; Bashkimit që krijoi një Komision dhe një Këshill të vetëm, si dhe zhvillimet e tyre.
Forum “BE, Integrimi Shqiptar dhe e Drejta Private Europiane” u mbajt në ambientet e Kolegjit Universitar Qiriazi më 14 mars 2023. Gentjan Skara, PhD lektor dhe përgjegjës departamenti te “Bedër” foli më së shumti rreth burimeve të së drejtës së BE-së ku dhe i renditi sipas rëndësisë së tyre ku fillimisht gjenden të renditura burimet parësore, më pas ato dytësore, parimet e përgjithshme, vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë së BE-së, dhe ato që cilësohen si soft law. Nirvana Deliu, Koordinatore Projekti pranë EMA e cila u ndal në tematikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Denard Veshi, lektor kolegji Bedër u fokusua në të drejtën private europiane ku fillimisht e nisi me një hyrje të parimeve të së drejtës së pronësisë dhe asaj të trashgimisë të parashikuara në BE.
Forum “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Impakti i së Drejtës së Bashkimit Europian në Legjislacionin Shqiptar”, u mbajt më datë 30 janar 2025, ku lektori dhe eksperti i së drejtës së BE-së Gentjan Skara, prezantoi një pasqyrë të progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, duke nënvizuar zhvillimet kryesore si hapja e negociatave për Grupkapitullin 1 – Themeloret dhe Grupkapitullin 6 – Marrëdhëniet me jashtë. Ai diskutoi gjithashtu reformat e nevojshme për të përafruar më tej legjislacionin shqiptar me acquis të BE-së, siç kërkohet nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), duke theksuar se si Shqipëria ka përfituar ndjeshëm nga këto reforma, veçanërisht në forcimin e sistemit gjyqësor duke rritur pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë e gjykatave të saj.
Forumi “Politikat e migracionit në dritën e bashkëpunimit europian: Ekuilibër ndërmjet lëvizjeve migratore dhe integrimit?” u mbajt më 26 shkurt 2025 nga Lëvizja Europiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Kolegjin Universitar Bedër. Ai synoi të diskutonte politikat e migracionit në Shqipëri si pjesë e përpjekjeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe veçanërisht në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”. Në këtë kontekst, forumi analizoi Protokollin Itali-Shqipëri dhe ndërlikimet ligjore, ndër të tjera, pasojat e tij. Panelistët, Dr. Ada Güven; Prof. Assoc. Enkelejda Koka; Prof. Asoc. PhD.PhD. Denard Veshi; Nirvana Deliu, Hulumtuese e Politikave; Prof. Gentjan Skara, duke iu drejtuar një auditori studentësh dhe akademikësh, u angazhuan në diskutime të thelluara përgjatë prezantimeve.