Klan News – Gjipali: Ja kur ka shanse Shqipëria të hyjë në BE, 2 shtator 2024

I pyetur në Klan News se sa e mundur është që Konferenca e Dytë Ndërqeveritare të mbahet në fillim të tetorit. për shkak të vetos greke. nëse është tejkaluar ose jo ky ngërc, Gjipali shprehet se ngelet për t’u parë qëndrimi i Greqisë, pasi nuk kemi një deklaratë zyrtare nëse do të ketë një tërheqje nga vetoja për çeljen e negociatave. Thekson se  sinjalet do të vijnë shumë shpejt, sepse është një periudhë e ngarkuar me aktivitete, ku pritet raporti vjetor i Komisionit Europian që vlerëson të gjitha vendet, ndër to edhe Shqipërinë, në lidhje me procesin dhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen. Po ashtu, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit në Berlin në tetor dhe do të zgjidhet komisioneri i ri për zgjerimin, i cili ka një rëndësi të madhe për gjithë procesin e vendeve që janë bërë pjesë e rrugës së anëtarësimit. Ngelet për t’u parë se si do të vendosë Greqia.
Mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare mund të ndodhë në një nga dy këto variante: njëra është mbajtja e Konferencës duke bërë një vlerësim të situatës, por pa hapur kapitujt, ndërsa varianti më i mirë është nisja e negociatave, e cila varet nga tërheqja e vetos greke. Është ende herët për të folur për një datë specifike se kur mund të ndodhë anëtarësimi, pasi nuk kemi një masë kritike të vendeve që janë gati për t’u anëtarësuar dhe për të bërë një parashikim për të veçuar një datë apo për të nxitur vendet që janë prapa, siç ndodhi në 2004, kur ndodhi një zgjerim më i madh, ku një pjesë e vendeve që nuk ishin ende gati, si Sllovakia, i përshpejtuan reformat e tyre.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë nisur ende negociatat, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia, që janë më përpara, kanë ngecur në disa fusha specifike. Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina janë ende larg hapave që do t’i sjellin anëtarësimin. Është e vështirë të flasësh për afate, por 2030 është një afat realist nëse do të kemi përpjekje të shtuar nga vendet dhe nga BE-ja nga ana tjetër.
Për situatën Rusi-Ukrainë dhe qëndrimin politik të vendeve ballkanike, Gledis u shpreh se është një meritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, që janë përputhur plotësisht me linjën e politikës së jashtme të sigurisë së BE-së, gjë që tregon koherencë në vendimmarrje dhe një përkatësi europiane të shoqërive tona.
Në lidhje me sistemin ETIAS, BE-ja ka dashur ta aplikojë që në 2019, por për arsye objektive si pandemia, lufta në Ukrainë, etj., nuk është bërë e mundur. Nuk ka asgjë më shumë se sistemet që SHBA-ja apo Kanadaja aplikojnë; pra, është një regjistrim online për të kërkuar hyrjen në vendet Shengen, ku dihet se Shqipëria hyn pa viza në këtë hapësirë për një afat të shkurtër. Regjistrimi bën që kontrollet të jenë më të pakta, sepse filtrin e kryen ky sistem; për shembull, nëse ka një ndalese për të hyrë në një nga vendet Shengen, i bëhet e ditur personit nëpërmjet sistemit.

Klan News – Gjipali: Ja kur ka shanse Shqipëria të hyjë në BE, 2 shtator 2024