Grupi i Punës për Kapitullin 5 – Prokurimi Publik: Përmbushja e piketave të përkohshme përmbyllëse në kuadër të negociatave, 10 qershor 2025
Më 10 qershor 2025, u mbajt tryeza e radhës mbi Kapitullin 5 – Prokurimi Publik me fokus përmbushjen e piketave të përkohshme përmbyllëse të këtij kapitulli si dhe rekomandimet e raportit të monitorimit mbi zbatimin e parimeve të Reformës së Administratës Publike (RAP) në praktikat e prokurimit publik, në fushën e turizmit. Tryeza u organizua nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik, në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian.
Në fjalën hapëse, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv, Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), u shpreh se bashkëpunim më i thelluar në nivele të ndryshme për çështje specifike sipas kapitujve të acquis, për të përshpejtuar bisedimet e anëtarësimit në BE, është i nevojshëm, duke qenë se procesi është intensiv dhe nuk mjafton vetëm hartimi i një kuadri të qartë ligjor, por dhe shpërndarja e informacioneve të duhura te grupet e interesit dhe administrata publike. Gjithashtu, ai theksoi se procesi legjislativ në Shqipëri është ndër më të shpejtët në rajon, duke ofruar vetëm tri javë për konsultime publike para miratimit të një ligji. Në këtë këndvështrim, ai nënvizoi rëndësinë e procesit të konsultimeve me aktorët relevantë për të ecur përpara drejt përmbylljës së piketave të përcaktuara nga BE.
Geri Pilaca, Përgjegjës i Sektorit të Integrimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë e Prokurimit Publik, përmendi se po vijon puna për përmbushjen e piketave, sipas një plani të qartë pune të koordinuar me institucionet e tjera. Ndër prioritetet aktuale është rishikimi i ligjit për koncesionet dhe PPP-të, me synim për të arritur një shkallë të lartë përputhshmërie me legjislacionin e BE-së, ku Grupi i Punës ka përgatitur një draft në përputhje me Direktivën 2014/23/BE dhe reflektim te komenteve të SIGMA-s, i cili është publikuar për konsultim publik.
Xhoana Ristani, Drejtore e Drejtorisë së Zbatimit të Politikave Strategjike dhe Integrimit në Agjencinë e Prokurimit Publik, prezantoi masat e ndërmarra dhe statusin e tyre me qëllim përmbylljen me sukses të piketave të përkohshme, duke theksuar se Kapitulli 5 pritet të jetë i pari që mbyllet gjatë negociatave, falë edhe avantazhit të Shqipërisë në këtë fushë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Në raportin vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë 2024, kjo e fundit është e cilësuar mesatarisht e përgatitur në fushën e prokurimit publik. Për rrjedhojë, nevojitet më shumë fokus në transparencë, integritet dhe konkurrencë në procedurat e prokurimit publik sipas parimeve të tij.
Për sa i përket piketës së parë mbi harmonizimin e kuadrit ligjor kombëtar sipas acquis të BE-së në lidhje me të gjitha fushat e prokuromit publik, Ristani komentoi se aktualisht po shqyrtohet nga KE nëse Ligji nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” ka nevojë për ndryshime në këtë fazë. Gjithashtu për këtë piketë, është përfunduar drafti i parë për miratimin e Ligjit të ri për Koncesionit dhe PPP-të, pas konsultimeve me Ministritë e linjës, si dhe është ngritur Grupi Ndërinstitucional i Punës për hartimin e amendimeve të ligjit për prokurimet në fushën e mbrojtjes/sigurisë, në përputhje me Direktivën 2009/81/BE, për të realizuar hartimin e draftit të parë.
Për piketën e dytë mbi krijimin e kapaciteteve administrative dhe institucionale për zbatimin efektiv të legjislacionit, Ristani shpjegoi se është parashikuar certifikimi i 500 personave në këtë fushë, ku deri më tani, 144 kanë kaluar me sukses dy testime, ku morën pjesë stafi i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), trajnerët në fushën e prokurimit publik dhe nga autoritete kontraktore. Ndër masa të tjera të tjera të parashikuara për këtë piketë, përfshijnë hartimin e një dokumenti analitik mbi procedurat e anulluara dhe ato me një ofertues; dhënien e rekomandimeve mbi përgatitjen e dokumentave të tenderit dhe zbatimin e kontratës, të cilat përkojnë me punën e vazhdueshme të realizuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Për më tepër, kjo e fundit ka bashkëpunuar me Bankën Botërore për publikimin e mjeteve për koston e ciklit të jetës (LCC tools), të cilat në këtë fazë janë duke u përkthyer në gjuhën shqipe. Masë tjetër e parashikuar është edhe hartimi i një strategjie për zhvillimin e OBP-së, që parashikohet të miratohet brenda muajit qershor.
Në përfundim, Ristani sqaroi se për piketën e tretë mbi demonstrimin e një sistemi të drejtë dhe transparent të prokurimit publik, po përfundohet raporti statistikor mbi performancën e sistemit të prokurimit për vitet 2022-2025 duke u bazuar në të dhënat e raporteve vjetore të APP-së; miratimi i një metodologjie për vlerësimin e riskut të korrupsionit në PP në bashkëpunim me MAPA, ANAC dhe OSBE, që pritet të përfundojë brenda qeshorit, si dhe hartimi i një model plani integriteti për AK/EK me fokus të veçantë te integriteti në proceset e prokurimit në bashkëpunim me MAPA.
Elda Zotaj, Lektore dhe Eksperte për Çështje Europiane, e vuri theksin te roli i rëndësishëm i shoqërisë civile në negociata përmes monitorimit. Ajo prezantoi gjetjet e raportit të EMA-së në kuadër të projektit WeBER 3.0, që shqyrton zbatimin e parimeve të Reformës së Administratës Publike (RAP) në prokurimin publik dhe menaxhimin e financave publike. Raporti fokusohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për periudhën janar 2023 – korrik 2024, duke analizuar 7 kritere mbi transparencën dhe konkurrencën, aktet nënligjore për prokurimin publik dhe koncesionet/PPP-të, intervistat me institucione dhe dokumentacionin përkatës. Në përfundim, katër kërkesa janë plotësuar, dy pjesërisht dhe një jo, me rekomandime për përmirësim. Më tej, Zotaj u shpreh se në Strategjinë e re të Prokurimit Publik 2024-2030 dhe Planin e Veprimit (2024-2027), shoqëria civile përmendet vetëm një herë në faqen 38, kur ndërkohë shoqëria civile ka luajtur një rol të rëndësishëm në prokurimin publik gjatë viteve të fundit. Në përfundim, Zotaj nënvizoi përfshirjen aktive të shoqërisë civile si thelbësore për të siguruar qe ky proces të jetë transparent, për të ndihmuar në forcimin e demokracisë, rritjes së besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Diskutimet përmbyllëse u fokusuan tek aplikimi i kriterit social në prokurimin publik, veçanërisht në lidhje me punësimin e personave të regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. U ngritën pyetje nëse ky kriter duhet të zgjerohet për përfaqësime të tjera dhe nëse sistemi është i përgatitur për integrimin në tregun e përbashkët europian, duke pasur parasysh pjesëmarrjen ende të kufizuar të shoqërive të huaja në prokurime. Gjithashtu u diskutua edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në sistemin e prokurimit publik në Shqipëri dhe të ketë një ndërthurje të balancuar me kapacitetin njerëzor.
**Kjo tryezë zhvillohet në kuadër të projektit “Ndërtimi i Partneritetit mbi Çështjet Themelore: Fuqizimi i OSHC-ve për procesin e anëtarësimit në BE”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian – IPA Civil Society Facility 2021, i cili zbatohet nga Lëvizja Europiane në Shqipëri dhe në bashkëpunim me Akademinë e Integrimit Europian dhe Negociatave (AIEN), Slovak Foreign Policy Association (SFPA) dhe Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë (CTFI).