ABC News – Negociatat, faza më e rëndësishme/ Gjipali: Grupkapitulli i tretë ka lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët, 22 maj 2025
Në një intervistë për ABC News, Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), u shpreh se hapja e Grupkapitullit 3 përfaqëson një hap thelbësor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Sipas tij, me këtë zhvillim nisin realisht negociatat për anëtarësim, duke hyrë në një fazë vendimtare ku vendi duhet të dëshmojë angazhimin dhe përgatitjen për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, theksoi Gjipali, qeveria shqiptare prezanton reformat e ndërmarra deri më tani, si dhe planin e veprimit për hapjen dhe mbylljen e kapitujve. Ai e cilësoi këtë fazë si më të rëndësishmen e gjithë procesit, pasi çdo kapitull i hapur kërkon një monitorim të vazhdueshëm dhe përmbushje të detyrueshme të kritereve të përcaktuara nga BE.
Gjipali theksoi se ky grupkapitull ka rëndësi të veçantë edhe për qytetarët, pasi përfshin fusha që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre të përditshme. Ndër to, ai veçoi shoqërinë e informacionit dhe mediat, të cilat trajtojnë procesin e digjitalizimit, zhvillimin e shërbimeve online dhe rregullimin e tregut mediatik. Po ashtu, një tjetër fushë e rëndësishme është ajo e tatimeve, ku synohet luftimi i evazionit fiskal dhe ndërtimi i një sistemi më transparent dhe efikas. Ai vlerësoi gjithashtu progresin që Shqipëria ka bërë në politikat monetare, të cilat lidhen me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Sipas tij, edhe politikat sociale dhe ato të punësimit janë thelbësore, pasi synojnë të garantojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje për qytetarët shqiptarë si ai që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE-së. Hyrja në tregun e përbashkët europian, shtoi Gjipali, është një objektiv strategjik që do t’u mundësojë bizneseve shqiptare të konkurrojnë në një mjedis me rregulla të unifikuara dhe konkurrueshmëri të lartë.
Duke u ndalur te pritshmëritë e qytetarëve, Gjipali u shpreh se ato janë të mëdha, pasi procesi i integrimit ka ecur me ritme të ngadalta ndër vite. Ai theksoi se kjo vonesë nuk ka ardhur vetëm për shkak të sfidave të brendshme, por edhe si pasojë e kontekstit të ndryshuar politik brenda vetë Bashkimit Europian, ku procesi i zgjerimit ishte i bllokuar për një periudhë të gjatë kohore. Megjithatë, sipas tij, situata ka ndryshuar ndjeshëm pas luftës në Ukrainë dhe rikonfirmimit të interesit strategjik të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Gjipali vuri në dukje gjithashtu se reformat në drejtësi dhe administratën publike kanë qenë vendimtare për përmirësimin e perceptimit ndërkombëtar dhe për rritjen e besimit të partnerëve europianë ndaj Shqipërisë.