Grupi i Punës për Kapitullin 12 “Forcimi i kuadrit rregullator për kontrollet zyrtare dhe kategorizimin e subjekteve në Shqipëri në kuadër të procesit të negociatave”, 28 prill 2026

Tryeza për Kapitullin 12 – Politikat e Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, pati si tematika kryesore diskutimin e projektligjit për kontrollet zyrtare, kategorizimi i subjekteve në plotësimin e standardeve të BE-së dhe ligji për shëndetin e mirëqenien e kafshëve. Kjo tryezë u organizua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Europian (PPIE) dhe Konventës Kombëtare për Integrimin Europian nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si institucioni përgjegjës për këtë kapitull, dhe Qendrën ALERT si partner i projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian. Pjesëmarrësit e tryezës ishin përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, të shoqërisë civile, të adakemisë, administratës publike, dhomave të biznesit, pushtetit vendor, etj.

Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), në fjalën hyrëse, theksoi se përafrimi i legjislacionit në këtë fushë është thelbësor dhe se ky proces është intensiv, duke kërkuar bashkëpunim nga të gjitha palët e përfshira, edhe shoqërinë civile. Kjo e fundit luan një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve për plotësimin e detyrimeve që lindin nga procesi i negociatave, por mbi të gjitha për ndërgjegjësimin e tyre si konsumatorë. Nga ana tjetër, informimi i vazhdueshëm dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e operatorëve të biznesit në procesin e negociatave duhet të intesifikohet, pasi ndikohen në ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe raste të ngjashme ka ndodhur në vende të tjera kandidate, që tashmë janë pjesë e Unionit, dhe kanë rezultuar në falimentim të një numri të lartë subjektesh.

Arian Jaupllari, Zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe njëkohësisht negociator i Kapitullit 12, theksoi se ky kapitull ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm nga shkallë e lartë e vështirësisë, por edhe në rritjen e besimit nga qytetarët në tregjet e produkteve shqiptare dhe në institucionet vendase. Ai sqaroi se puna për të përmbushur standardet e BE-së është mbështetur në tre shtylla kryesore të Kapitullit. Shtylla e parë lidhet me sigurinë ushqimore, duke përfshirë të gjithë zinxhirin “nga  ferma në tavolinë”, ndërsa së fundmi është punuar për projektligjin mbi kontrollet zyrtare, për të cilin priten komentet përfundimtare nga Komisioni Europian dhe afati i miratimit është qershor 2026. Në këtë fushë, përmirësimi i gjurmueshmërisë, rritja e kapaciteteve laboratorike dhe proceseve inspektuese, duhet të intensifikohet. Shtylla e dytë fokusohet në shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, ku ligji përkatës është miratuar në qershor 2025 dhe përputhet me Rregulloren (BE) 2016/429, dhe ka një qasje të integruar për menaxhimin e riskut.  Shtylla e tretë lidhet me mbrojtjen e bimëve, fushë në të cilën janë kryer auditime të vazhdueshme nga BE-ja, dhe për këtë është e nevojshme që të  avancohet  deri në 2027. Ai theksoi gjithashtu se kapaciteteve laboratorike janë rritur përmes bashkëpunimit me Bankën Botërore dhe projektit EU4FoodSafety, nga kjo e fundit priten 13.5 milion euro investime për fitosanitarinë. Lidhur me procesin e kategorizimit të subjekteve, ai bëri të ditur se, që nga 14 prilli i këtij viti, nga 70 subjekte të vlerësuara deri më tani, 6 prej tyre janë klasifikuar në kategorinë e katërt, çka nënkupton rrezikun e mbylljes nëse nuk përmbushin standardet e përcaktuara. Sektorët kryesorë të përfshirë në këtë procesin e kategorizimit janë të ndryshëm si qumështi dhe nënproduketet e tij, mishi, peshkimi, vezët, ushqimi për kafshë, produkte të tjera (molusqe, mjalti), etj. Shumica e subjekteve të vlerësuara deri në këtë fazë, i përkasin kategorisë së tretë, dhe nevojiten plane konkrete pune për të rritur standardet e tyre dhe kalimin në kategori më të larta. Në mbyllje, ministri u shpreh se Shqipëra po ndërmerr hapa konkrete për sigurinë ushqimore, që janë detyrim ndaj qytetarëve fillimisht, dhe më pas ndaj procesit të anëtarësimit në BE, pavarësisht shkallës së vështirësisë, por bashkëpunimi me aktorë të ndryshëm  mundëson garanci.

Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, theksoi se procesi i përafrimit nuk ka më kthim pas dhe se fokusi nuk është vetëm tek produkti final, por tek i gjithë zinxhiri i prodhimit dhe shpërndarjes. Ai vuri në dukje volumin e madh të punës për transpozimin e direktivave dhe rëndësinë e akreditimit të laboratorëve të rinj, përfshirë ata të ISUV-it. Z.Granit u shpreh se ky proces nuk është vetëm teknik, por strategjik-negociues, dhe që në datën 10 gusht 2026 presim të dhëna nga raporti përfundmitar i vlerësimit të kategorizimit të subjekteve si afati përfundimtar për hartimin e tij.

Znj. Ona Murataj, Përgjegjëse Sektori për Produktet me Origjinë Shtazore, Drejtoria e Politikave të Sigurisë Ushqimore, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, prezantoi procesin e kategorizimit të subjekteve sipas standardeve të BE-së, pasi lidhet drejtpërdrejt me avancimin e vendit tonë në plotësimin e detyrimeve të Kapitullit 12. Urdhëri i Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Nr. 329, datë 26.03.2026 ka standardizuar metodologjinë e vlerësimit për mbarëvajtjen uniforme të kategorizimit dhe rolet institucionale, duke e filluar këtë proces me nisjen e vlerësimit në terren që prej 14 prillit 2026 dhe pritet të përfundojë më 31 korrik 2026. Institucioni kryesor për zbatimin në terren të vlerësimit të kategorizimit është AKU. Murataj sqaroi më tej se instrumenti kryesor për këtë procesi është hartimi i Programit Kombëtar për Përmirësimin e Stabilimenteve, i cili do t’i dërgohet Komisionit Europian dhe është kusht i drejtpërdrejtë si për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për një periudhë tranzitore për stabilimentet që operojnë në në sektorët mish, qumësht, vezë e peshk, ashtu edhe për përmbylljen e piketës  së parë negociuese. Ajo sqaroi se sipas metodologjisë së vlerësimit, stabilimentet do të ndahen në katër kategori,  ku kategoria 1 e stabilimenteve ka përputhje të plotë me standardet e BE-së; kategoria 2 ka mospërputhje të vogla dhe priten zgjidhje afatshkurtra për to; kategoria 3 që kanë mospërputhje të konsiderueshme dhe kanë nevojë për plane përmirësimi dhe kategoria 4 që përben një rrezik të madh për shëndetin e konsumatorëve dhe nuk duhet të operojë në treg. Murataj specifikoi se i gjithë ky proces nuk është penalizues për operatorët, por thjesht vlerësues, dhe janë informuar paraprakisht për mbajtjen e tij dhe për elementët kryesorë të vlerësimit, që përfshijnë lista verifikimi për çdo aktivitet, vlerësim në kushte reale operimi dhe dokument informacioni për çdo stabiliment. Ajo sqaroi se raporti përfundimtar i vlerësimit dhe kategorizimit pritet të realizohet më 10 gusht 2026, dhe do të përmbajë listën e stabilimenteve sipas kategorive, analizën e mospërputhjeve, bazën për ndërhyrje financiare e ligjore dhe elementë fleksibiliteti.

Sa i përket projektligjit “Për kontrollet zyrtare dhe veprimtari të tjera zyrtare të kryera për të garantuar zbatimin e legjislacionit mbi ushqimin dhe ushqimin për kafshë, rregullimeve mbi shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve si dhe mbi shëndetin e bimëve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve në Republikën e Shqipërisë”, Murataj vazhdoi sqarimin se ai është hartuar në përputhje me Rregulloren (BE) 2017/625 dhe parashikon ndarjen e autoriteteve kompetente në tre kategori kryesore: për kontrollet zyrtare, draftligje për aktivitete të tjera zyrtare dhe për kontrolle uniforme në pikat e inspektimit kufitar. Projektligji aktualisht është për vlerësim në Komisionin Europian, pritet të miratohet në qershor 2026 dhe të fillojë zbatimin nga 1 gushti 2027. Qasja e tij bazohet në risk,duke përcaktuar që kontrollet të kryhen rregullisht në mënyrë transparente dhe me frekuencë të përshtatshme në varësi të nivelit të rrezikut ku përfshihet fillimisht auto-kontrollet të  përfshira në skemat private të cilësisë, më pas rreziqet e lidhura me kafshët apo mallrat, dhe në fund të dihet historiku i operatorit duke pasur për objektiv: mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të konsumatorit, mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqënies së kafshëve, mbrojtjen e shëndetit të bimëve, garantimin e ushqimeve të sigurta në treg,  parandalimin e rreziqeve shëndetësore dhe së fundmi besueshmëri në tregtinë me BE-në dhe më gjerë. Znj. Murataj theksoi se detyrimet e autoriteteve përfshijnë sigurimin e efektivitetit, paanshmërisë dhe cilësisë së kontrolleve zyrtare dhe aktiviteteve të tjera zyrtare, si dhe kryerjen e këtyre kontrolleve në përputhje me procedura të dokumentuara duke mbajtur evidencë të shkruar për çdo kontroll. Nga ana tjetër, operatorët janë të detyruar të japin informacion mbi emrin, formën ligjore dhe aktivitetet e tyre specifike, të ofrojnë akses në kompjuterë dhe ambiente në masën e nevojshme, si dhe të ndihmojnë dhe bashkëpunojnë me stafin e autoriteteve kompetente. Sigurimi i burimeve të mjaftueshme për të gjitha llojet e kontrolleve shoqërohet me vendosjen e një tarife të detyrueshme që zbatohet për sektorë si thertoret, stabilimentet e prerjes së mishit, produktet e qumështit, produktet e peshkut dhe PIK, duke përfshirë kontrollin e kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, produkteve germinale dhe nënprodukteve shtazore (ABP), si edhe produkteve bimore dhe atyre për mbrojtjen e bimëve, kërkesat e operatorëve dhe ndjekjen e mospërputhshmërive me masat mbrojtëse, çka më pas formalizohet përmes një VKM-je. Kostoja përfshin elemente si pagat e stafit, ambientet dhe pajisjet, materialet e konsumueshme, shërbimet e organeve të deleguara, trajnimin e vazhdueshëm, udhëtimet, si dhe marrjen e mostrave dhe testimin. Për të siguruar transparencë për sa më sipër, duhen  bërë publike metodat dhe të dhënat e përdorura për përcaktimin e tarifave, shuma e ngarkuar për çdo kategori operatorësh, si dhe të realizohet konsultimi me  palët e interesit mbi metodat e përgjithshme të llogaritjes, theksoi Murataj.

Znj. Matilda Xhepa, Drejtore e Politikave Veterinare në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, theksoi se ligji për shëndetin e kafshëve është miratuar më 26 qershor 2025 me nr. 41/2025 dhe përbëhet nga 9 pjesë, 273 nene dhe 4 anekse. Ai do të hyjë në fuqi në vitin 2027, dhe është në përputhje me Rregulloren (BE) 2016/429, duke reflektuar standardet më të avancuara europiane dhe duke vendosur bazat për një sistem të harmonizuar me kërkesat e BE-së. Më tej, ajo shtoi se vendi ynë është në fazë përshpejtimi dhe kërkon domosdoshmërsiht të përafrohen 400 nene sipas standardeve të BE-së. Ajo nënvizoi elementet e reja të ligjit, të cilat përfshijnë përgjegjësitë e mbajtësve të kafshëve, operatorëve, veterinerëve dhe autoriteteve kompetente, si dhe forcimin e biosigurisë dhe mbikëqyrjes. Ligji bazohet në një qasje të orientuar nga risku, me fokus të veçantë në parandalimin e sëmundjeve të kafshëve sipas kategorive, si dhe në rëndësinë e njoftimit dhe raportimit të tyre për të mbrojtur të gjithë zinxhirin me qëllimin e përfshirjes së kafshëve të gjalë në tregun europian. Znj. Xhepa ndërkaq theksoi se rol shumë të rëndësishëm në këtë proces e mban veterinaria ku në trajnime dhe auditime të ndryshme është bërë e mundur informaconi i saktë në lidhje me sigurinë e kafshëve dhe të biosigurisë.

Në përfundim, pjesëmarrësit diskutuan mbi kriteret e vlerësimit të subjekteve në bazë risku, veçanërisht për rastet kur ato klasifikohen në kategorinë e tretë dhe afatet që u nevojiten për të hartuar plane pune me qëllim përmbushjen e standardeve dhe kalimin në kategori më të larta. Gjithashtu, u theksua rëndësia e ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit të operatorëve të biznesit për këto procese, duke qenë se ato i prekin drejtpërdrejt.

*Kjo tryezë diskutimi dhe këshillimi u zhvillua në kuadër të projektit “Linja e gjelbër për mbrojtjen e konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri nëpërmjet fuqizimit të OSHC-ve lokale”, financuar nga Bashkimi Evropian (IPA III/2024), që po zbatohet nga Qendra Alert në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).