Grupkapitulli 4 – Axhenda e Gjelbër dhe Ndërlidhshmëria e Qëndrueshme

Grupkapitulli 4 – Axhenda e Gjelbër dhe Ndërlidhshmëria e Qëndrueshme, përbëhet nga 4 kapituj dhe fokusohet kryesisht në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe të gjelbër, duke përmirësuar infrastrukturën e transportit dhe energjisë, si dhe duke mbrojtur mjedisin dhe klimën në përputhje me standardet e BE-së.

Reformat në këto fusha janë thelbësore për përafrimin e Shqipërisë me acquis të BE-së dhe për të garantuar që zhvillimi ekonomik dhe social të shkojë paralel me qëndrueshmërinë mjedisore dhe tranzicionin e gjelbër. Synimi i përgjithshëm i Grupkapitullit 4 është që Shqipëria të integrohet në mënyrë të plotë në rrjetet energjetike e transportuese të BE-së, duke promovuar një ekonomi konkurruese me ndikim minimal mbi mjedisin dhe duke rritur cilësinë e jetesës së qytetarëve.

BE-ja më 16 shtator 2025 me hapjen e negociatave për këtë Grupkapitull ka përcaktuar se mund të mbyllet përkohësisht vetëm pasi të përmbushen kriteret specifike të secilit kapitull, saktësisht 22 të tilla gjithsej.

Kapitulli 14 – Politika e Transportit

Në kuadër të këtij kapitulli, BE-ja vendos rregulla për sigurinë dhe cilësinë e transportit, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimin e korridoreve të reja. Një rëndësi e veçantë i kushtohet reduktimit të ndikimit mjedisor të transportit dhe mbrojtjes së të drejtave të pasagjerëve. Këto standarde jo vetëm që lehtësojnë integrimin në tregun e përbashkët, por edhe përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve. Kapitulli 14 mbulon këto nënfusha: sektorin e transportit rrugor, atë hekurudhor, transportin ajror, detar dhe atë të kombinuar.

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 4,  janë vendosur shtatë piketa përmbyllëse për këtë kapitull:

  • Shqipëria ka një nivel të avancuar të harmonizimit me legjislacionin e BE-së në lidhje me tarifimin dhe pagesat për përdorimin e rrjetit rrugor.
  • Shqipëria është harmonizuar me kërkesat e legjislacionit të BE-së për transportin e mallrave të rrezikshme, legjislacionin social në transportin rrugor, rregullat për aksesin në aktivitetin e operatorit të transportit rrugor dhe për dimensionet dhe peshat e disa llojeve të mjeteve të rënda, si dhe me Direktivat për Verifikimin e Përshtatshmërisë së Automjeteve dhe Dokumenteve të Regjistrimit të tyre.
  • Shqipëria ka nisur zbatimin e sistemeve inteligjente në fushën e transportit rrugor dhe në atë hekurudhor.
  • Shqipëria ka siguruar që një organ rregullator hekurudhor kompetent, i pavarur dhe efektiv, një autoritet kombëtar i sigurisë dhe një organ kombëtar hetues të jenë plotësisht funksionalë. Shqipëria ka siguruar harmonizimin me legjislacionin e BE-së mbi sigurinë hekurudhore dhe ndërveprueshmërinë.
  • Shqipëria është harmonizuar me legjislacionin e BE-së mbi menaxhimin e trafikut ajror, operacioneve ajrore, raportimin e ngjarjeve dhe hetimet e aksidenteve dhe incidenteve ajrore.
  • Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me legjislacionin e BE-së mbi sigurinë dhe mbrojtjen detare dhe ka ndërmarrë masat e nevojshme për të mos qenë më në listën gri.
  • Shqipëria është harmonizuar me legjislacionin e BE-së mbi të drejtat e pasagjerëve në të gjitha modelet e transportit dhe ka siguruar funksionimin e organeve kombëtare të zbatimit të këtyre të drejtave pas anëtarësimit.

Kapitulli 15 – Energjia

Rëndësia e këtij kapitulli lidhet me ndikimin e drejtpërdrejtë të energjisë në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe me varësinë e vazhdueshme të BE-së nga importet energjetike. Duke marrë parasysh ndikimin e politikave energjetike në ekonomi, treg, shëndetin publik dhe mjedis, angazhimet strategjike në këtë fushë janë thelbësore për arritjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të qëndrueshëm. Në këtë kapitull përfshihen nënfusha si siguria e furnizimit me energji, rritja e konkurrencës në tregun e brendshëm të energjisë, promovimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, energjia dhe siguria bërthamore dhe mbrojtja nga rrezatimi.

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 4,  janë vendosur tri piketa përmbyllëse për këtë kapitull:

  • Shqipëria është harmonizuar me legjislacionin e Tregut të Brendshëm të Energjisë, veçanërisht me Paketën së Integrimit të Elektricitetit.
  • Shqipëria ka harmonizuar legjislacionin e saj me legjislacionin e BE-së për Efikasitetin e Energjisë dhe Energjinë e Rinovueshme, duke përfshirë edhe legjislacionin e zbatuar, dhe ka treguar përparim në zbatimin e tij.
  • Shqipëria ka harmonizuar legjislacionin e saj me rregullat për Stoqet Emergjente të Naftës dhe Përgatitjen për Rreziqe në Sektorin e Energjisë Elektrike, duke përfshirë edhe caktimin e një autoriteti kompetent për menaxhimin e stokut të energjisë, dhe ka filluar të krijojë stokun aktual.

Kapitulli 21 – Rrjetet Trans-Europiane

Ky kapitull trajton politikat e infrastrukturës së transportit, telekomunikacionit dhe infrastrukturës energjetike, përfshirë edhe udhëzimet e Komunitetit për zhvillimin e Rrjeteve Trans-Europiane dhe masat mbështetëse për zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët. Zhvillimi i rrjeteve trans-europiane dhe ndërveprimi me rrjetet kombëtare synon të sigurojë përdorimin e plotë të tregut të brendshëm, të nxisë rritjen ekonomike dhe të krijojë vende pune, duke garantuar lidhshmëri dhe qarkullim të lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore, si dhe duke forcuar kohezionin ekonomik dhe social. Nënfushat e këtij kapitulli janë rrjetet trans-europiane të transportit, rrjetet trans-europiane të energjisë dhe rrjetet trans-europiane të telekomunikacionit.

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 4,  janë vendosur tri piketa përmbyllëse për këtë kapitull:

  • Shqipëria ka harmonizuar kuadrin e saj ligjor me Rregulloren TEN-E.
  • Shqipëria ka rënë dakord me Komisionin Europian, pas konsultimeve të duhura, mbi projektet prioritare të ardhshme të rrjetit TEN-T. Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me rregulloren TEN-T dhe ka arritur përparim të mjaftueshëm drejt përfundimit të projekteve në Korridorin Europian të Transportit Ballkan Perëndimor–Mesdheu Lindor.
  • Shqipëria siguron kapacitetet institucionale dhe administrative të mjaftueshme, me standarde të larta integriteti, të nevojshme për të marrë përsipër përgjegjësitë e legjislacionit të këtij kapitulli.

Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike

Politikat e BE-së në fushën e mjedisit synojnë të promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të mbrojnë mjedisin për brezat aktualë dhe të ardhshëm. Ato mbështeten në veprimet parandaluese, parimin “ndotësi paguan”, luftën kundër dëmtimit të mjedisit në burim, ndarjen e përgjegjësive dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të Bashkimit Europian. Ky kapitull mbulon nënfusha si legjislacioni horizontal; cilësia e ajrit; menaxhimi i mbetjeve; cilësia e ujit; mbrojtja e natyrës; ndotja industriale; kimikatet;  zhurmat; mbrojtja civile dhe ndryshimet klimatike.

Pas hapjes së negociatave për Grupkapitullin 4,  janë vendosur nëntë piketa përmbyllëse për këtë kapitull:

  • Shqipëria ka harmonizuar legjislacionin e saj me legjislacionin horizontal mjedisor dhe ka treguar përparim të prekshëm drejt një rekordi të qëndrueshëm të zbatimit dhe forcimit të tij në këtë fushë, përfshirë vlerësimin e ndikimit (Direktivat për Vlerësimin e Ndikimit Mjedisor dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor), veçanërisht për investimet infrastrukturore, duke siguruar përputhshmëri me kërkesat për pjesëmarrjen publike, konsultimet ndërkufitare dhe qasjen në drejtësi në çështjet mjedisore. Shqipëria ka demonstruar se do të jetë e gatshme të zbatojë dhe të forcojë në mënyrë efektive legjislacionin horizontal në datën e anëtarësimit. Shqipëria siguron që infrastruktura kombëtare e të dhënave hapësinore përputhet me Direktivën INSPIRE..
  • Shqipëria është harmonizuar me legjislacionin e BE-së mbi krimet mjedisore dhe ka bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një rekordi të qëndrueshëm në këtë fushë, siç janë krimet ndaj faunës dhe florës, përkeqësimi i habitateve, transporti ose hedhja e paligjshme e mbeturinave, krimet e ndotjes dhe tregtimi i paligjshëm i substancave të rrezikshme.
  • Shqipëria vazhdon të harmonizohet me legjislacionin përkatës të BE-së mbi cilësinë e ajrit dhe disa ndotës atmosferikë. Ajo raporton emetimet çdo vit, në përputhje me Direktivën NEC, ka miratuar një Program Kombëtar për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit dhe ka paraqitur një analizë të strategjive të kontrollit të emetimeve me kosto efektive për vitin 2030. Shqipëria vazhdon të ndërmarrë masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, veçanërisht në zonat që tejkalojnë vlerat kufitare të BE-së, duke zhvilluar ose përditësuar plane të cilësisë së ajrit, siç parashikohet nga Direktiva për Cilësinë e Ajrit në Ambient.
  • Shqipëria vazhdon të harmonizohet me legjislacionin përkatës të BE-së mbi mbeturinat, duke respektuar hierarkinë e menaxhimit të mbeturinave dhe duke i dedikuar financime të përshtatshme investimeve infrastrukturore. Shqipëria krijon programe për parandalimin e ndotjes, përgatit plane menaxhimi të mbeturinave kombëtare dhe rajonale, që përfshijnë informacion mbi të gjitha rrjedhat e mbeturinave dhe zgjidhjet për menaxhimin e tyre, duke përfshirë llojin dhe kapacitetin e infrastrukturës për menaxhimin e mbeturinave, skemat e mbledhjes së ndarë dhe instrumentet ekonomike. Shqipëria vazhdon të harmonizohet me legjislacionin e BE-së në sektorin e ujit dhe zhvillon plane menaxhimi të baseneve të lumenjve për çdo rajon të baseneve të lumenjve që gjendet plotësisht në territorin e saj, përfshirë pjesët e rajoneve ndërkombëtare të baseneve të lumenjve që ndodhen në territorin e saj, dhe siguron që baza ligjore dhe mekanizmat për koordinim ndërkombëtar të këtyre planeve të jenë në rregull. Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me legjislacionin për ujë të pijshëm dhe po harmonizohet më tej me Direktivën e Kuadrit të Strategjisë Detare.
  • Shqipëria ka dorëzuar te Komisioni listën e vendeve të propozuara Natura 2000, duke mbuluar në mënyrë të mjaftueshme llojet e habitateve dhe specieve në përputhje me kërkesat e Direktivave për Zogjtë dhe Habitatet. Shqipëria ka siguruar kapacitetin për menaxhimin e rrjetit Natura 2000, përfshirë dhënien e statusit të përshtatshëm të mbrojtjes për zonat e caktuara dhe zbatimin efektiv të masave të nevojshme të konservimit që çojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e tyre. Shqipëria demonstron se do të jetë plotësisht e përgatitur për të siguruar zbatimin dhe forcimin e kërkesave të legjislacionit të BE-së për mbrojtjen e natyrës në datën e anëtarësimit.
  • Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me legjislacionin e BE-së në fushat e kimikateve, zhurmës dhe mbrojtjes civile, dhe demonstron se do të jetë plotësisht e përgatitur për të siguruar zbatimin dhe forcimin e kërkesave të BE-së në datën e anëtarësimit.
  • Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me legjislacionin e BE-së mbi klimën dhe ka demonstruar se do të jetë e gatshme ta zbatojë dhe të sigurojë zbatimin e tij pas anëtarësimit. Shqipëria ka krijuar një kuadër të fortë monitorimi dhe raportimi, në përputhje me kërkesat e raportimit sipas Rregullores për Qeverisjen. Shqipëria ka vendosur një strategji afatgjatë të harmonizuar me objektivin e BE-së për neutralitetin e klimës në vitin 2050.
  • Shqipëria ka një nivel të avancuar harmonizimi me legjislacionin e BE-së në fushën e tregtimit të emetimeve, veçanërisht duke miratuar legjislacionin mbi funksionimin e Sistemit Evropian të Tregtimit të emetimeve (EU ETS) dhe ndryshimet e tij pasuese. Në veçanti, Shqipëria ka siguruar që legjislacioni përkatës mbi monitorimin dhe raportimin, akreditimin dhe verifikimin (MRVA) dhe monitorimin, raportimin dhe verifikimin (MRV) nga sektori detar nën EU ETS në tërë fushën e tij të jetë në vend dhe i zbatuar. Shqipëria është harmonizuar më tej me Regjistrin e Bashkimit, ndarjen e lirë dhe ankandet. Shqipëria siguron përparim të mjaftueshëm për të qenë në gjendje të zbatojë CBAM pas anëtarësimit.
  • Shqipëria ka demonstruar kapacitete të mjaftueshme të organeve administrative në të gjitha nivelet, me standarde të larta integriteti, përfshirë shërbimet e inspektimit, po përmirëson më tej koordinimin e punës dhe demonstron se të gjitha strukturat administrative përkatëse dhe trajnimet e duhura janë në vend me kohë para anëtarësimit për të mundësuar zbatimin dhe forcimin e legjislacionit në të gjitha fushat e këtij kapitulli.

 

Kalendari Screening për Grupkapitullin 4 BE-Shqipëri

Grupkapitulli 4 Institucioni Drejtues Takimi shpjegues Takimi dypalësh
Kapitulli 14 – Politika e Transportit Ministria e  Infrastrukturës dhe Energjisë 24 – 27 qershor 2019,përditësuar më 15 mars 2023 10 – 13 korrik 2023
Kapitulli 15 – Energjia Ministria e  Infrastrukturës dhe Energjisë 26-27 mars 2019, përditësuar më 16 mars 2023 28-29 shtator 2023
Kapitulli 21 – Rrjetet Trans-Europiane Ministria e  Infrastrukturës dhe Energjisë 27 dhe 29 mars, përditësuar më 15-16 mars 2023 13 korrik 2023 dhe 29 shtator 2023
Kapitulli 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike Ministria e Mjedisit 13-17 maj 2019, përditësuar më 20-24 mars 2023 19-23 qershor 2023

 

 

Dokumente të rëndësishme:

Raporti Screening për Grupkapitullin 4 – Axhenda e Gjelbër dhe Ndërlidhshmëria e Qëndrueshme, korrik 2025

Pozicioni i Përbashkët Negociues i BE për Grupkapitullin 4 – Axhenda e Gjelbër dhe Ndërlidhshmëria e Qëndrueshme, shtator 2025